Sekuestrohen prona të tjera të Bardhok Pllanajt, pas pallatit në Dobraç të Shkodrës. Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sekuestros preventive për 6 apartamente, 5 bodrume, një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe 3 automjete në pronësit të tij. Dyshohet se të gjitha pasurite e patundshme janë përfituar nga aktivitete kriminale kryesisht në trafik droge.
Pllanaj, i njohur si “Kumbari i Shkodrës”, u arrestua në fillim dhjetori për dyshimet se ka pastruar para, falsifikuar dokumente dhe ndërtim pa leje.
Ndaj tij, gjykata dha masën e arrestit me burg.
Arrestimi i “Kumbarit” të Shkodrës, biznesmeni probleme me zemrën, nga qelia përfundon në spital
Lidhjet politike
Bardhok Pllanaj, i arrestuar në fund të vitit të shkuar, njihet si një biznesmen me reputacion në qytetin verior dhe me lidhje të forta politike.
Ai kishte një palllat 10-katësh dhe akuzohet se 44-vjeçari e kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente në lagjen “Dobraç”.
Pallati me vlerë 2 milionë euro është tashmë nën sekuestro, pasi nga hetimet ka rezultuar se ky objekt është financuar nga të ardhura që dyshohet se janë rrjedhojë e aktivitetit kriminal, që ky shtetas ka kryer më parë.
Emri i Pllanajt do të lakohej për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Pllanaj arriti t’i shmangej kapjes.
Sipas Partisë Demokratike në atë kohë, për t’iu shpëtuar prangave, trafikanti u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku, por ky i fundit mohoi akuzat. Sipas burimeve policore, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur për Pllanajn masën e “arrestit me burg” për trafik narkotikësh, edhe në maj të vitit 2017, por në rrethana të paqarta rezulton që kjo masë të jetë shuar 2 muaj më vonë.
44-vjeçari akuzohet tashmë për pastrim të produkteve të veprës penale, ndërtim pa leje dhe falsifikim. /Boldnews.al/













