Nga Elton Laska
Partia Demokratike nuk i humbi zgjedhjet e 2017, pasi ato zgjedhje nuk u fituan, u vodhën, u grabitën, por jo nga Partia Socialiste, u vodhën nga kriminelët dhe rezultatin ia dhuruan Rilindjes dhe kreut saj, Edi Rama, që sot, më shumë se kurrë, është peng i krimit.
Dosja 339 është kapitullimi përfundimtar i Rilindjes, teksa, për fatin tonë, kapitullimin shqiptarët e shohin edhe njëherë përmes Zërit të Amerikës, një dritare e së vërtetës dhe shpresës për shqiptarët.
Në këtë vend, i madh dhe i vogël, e dinë se në të gjithë Shqipërinë në 2013 dhe në 2017, votat u blenë nga bandat, të cilët, kundrejt parave, tjetërsuan vullnetin e skamnorëve të këtij vendi.
Blerja e votës, përkthehet në zero investime në zonat ku ky fenomen ishte masiv, përkthehet në vjedhje flagrante fondesh dhe denigrim të institucioneve publike, që duhet të jenë në shërbim të qytetarëve.
Qeveria, për 4 vjet, u kujdes që në Shqipëri të kishte sa më shumë varfëri, ndërsa bandat e saj, u kujdesën që në 40 ditë, të blinin sa më shumë të varfër.
Avdylajt, me shokë, nuk janë vetëm mbretër të Durrësit, ku Vangjush Dako, është kthyer në të deleguar të tyre pranë qeverisë, por sot Avdylajt dhe modeli i tyre, janë zotër të të gjithë Shqipërisë, pasi falë eunukërisë së këtij shteti, bandat sot ndihen më të forta se në 1997.
Bandat sot emërojnë kandidatë për Kryetarë të Bashkive, u bëjnë fushatën, fitojnë, përcaktojnë tendera, përcaktojnë vendet e punës dhe kjo barbari, erdhi falë Rilindjes dhe babëzisë saj.
Publikimi i dokumenteve, që i çjerrin maskën Edi Ramës, përveçse meritë e medias, është pasojë e përplasjeve të klaneve të Partisë Socialiste në betejën e egër për të plaçkitur Shqipërinë.
Partia Demokratike, që prej 2013, ka denoncuar faktin se krimi ka uzurpuar Rilindjen e për pasojë edhe pushtetin. Dekriminalizimi është fitorja e Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, që ashtu si në vitet 1990, duhet të ngreje popullin në protesta, për të shpëtuar Shqipërinë nga bijtë e kastës së kuqe.
Dako i Durrësit, Lala i Elbasanit, pashallarët mavi të veriut e mbarë Shqipërisë, përfunduan peng i krimit të organizuar, ndërsa në Tiranë, mafia e ndërtimeve bën kërdinë, duke marrë pronën publike dhe pronën e qytetarëve të thjeshtë.
Dosja 339 është maja e ajsbergut të lidhjeve mes krimit dhe politikës, që po mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve. Sot shqiptarët degdisen rrugëve dhe azileve të Evropës për një kafshatë bukë, ndërsa krimi i organizuar drejton institucionet lokale e qendrore.
16 shkurti është dita kur shqiptarët do marrin në dorë fatet e tyre dhe do t’i japin një leksion demokracie këtij narkoshteti tipik, vetëm për vendet e Amerikës Latine.
Partia Demokratike ka shansin dhe detyrën historikë të kanalizojë pakënaqësitë e shqiptarëve dhe të çojë vendin drejt zgjedhjeve të ndershme, që do t’i dhurojnë Shqipërisë një qeverisje të denjë.
Sot shqiptarët më shumë se kurrë kanë nevojë për shpresë dhe besim se Rilindja dhe Dosja 339 nuk vlejnë me shumë se e ardhmja e tyre.