Fetarët janë armiq të lirisë, ndërsa miqtë e lirisë sulmojnë fenë, mendjet e larta dhe avokatët fisnik skllavërojnë shoshoqin, ndërsa servilët më të shëmtuar predikojnë pavarësinë; qytetarët e ndershëm dhe të shkolluar janë kundër çdo përparimi; ndërkohë që burrat pa patriotizëm dhe pa parim e quajn veten si apostuj të cilivizimit dhe të inteligjensës. Kështu ka qenë fati i shekujve që na ka paraprirë, dhe njeriu ka banuar gjithmonë një botë si kjo e sotmja, ku të gjitha gjërat janë jashtë lidhjeve të tyre natyrore, ku nderi ska asgjë gjeniale dhe gjeniu është pa pikë nderi; kur dashuria për rend konfondohet me një dëshirë për t’u ndjerë të shtypur, ndërsa shenjtëria e lirisë barazohet me përbuzjen e ligjit, ku drita që buron nga ndërgjegja njerëzore është e zbehtë dhe ku asgjë nuk ndalohet, asgjë nuk lejohet, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e turpshme, gjithçka është e rreme, gjithçka është e vërtetë?*)
*)Alexis de Tocqueville (29 korrik 1805 – 16 prill 1859), Demokracia në Amerikë
Tek citoja paragrafin e mësipërm të Alexis de Tocqueville (Demokracia në Amerikë) më dukej se kjo mendje brilante kishte patur në vëmendje bash Shqipërinë dhe shqiptarët e fillimshekullit të 21-të kur i ka shkruar këto fjalë. Megjithatë ka një arsye të qenësishme pse ky paragraf i Alexis de Tocqueville ngjanë si i qepur posaçërisht për ne; sepse ne shqiptarët jemi të vonuar. Domethënë, të vonuar në të gjitha aspektet; të vonuar në shtetformim dhe shtetndërtim, të vonuar në emancipim shoqëror, të vonuar në zhvillim ekonomik dhe social. Ndaj edhe përkufizimi i mësipërm i Tocqueville, megjithse i shkruar në shekullin e 19-të për një shoqëri tjetër, për një kohë tjetër, për vende të tjera, tingëllon kaq real, i fortë dhe mbresëlënës për shoqërinë shqiptare.
Le të përpiqemi të shohim thelbin e asaj çfarë përshfaqë shoqëria shqiptare sot. Por, më parë është e nevojshme të bëjmë një parashtrim të asaj se çfarë angazhimi duhet marrë në vëmendje; domethënë, duhet bërë një përpjekje serioze për të mos injoruar asnjë shtresë shoqërore, asnjë zë, asnjë grup interesi, asnjë forcë politike. E megjithatë, në këtë rast do të ishte një punë fort e mundimëshme, ndaj më lejoni të jem paksa i njëanshëm, dhe sipas mendimit tim, disa “zërave” do t’ua “ha të drejtën”, duke u thënë disa të vërteta sipas meje, që me ose pa qëllime të caktuara, sot e gjithë ditën po e mbajnë peng së pari zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë, dhe së dyti, po e zhytin vendin në një spirale imorale dhune dhe denatyrimi.
Të kuptohemi, në këto rrethana krejt të pazakonta, siç është realisht shoqëria shqiptare, është e vështirë të bësh dallimin mes të mirit dhe të keqit, sepse shpesh herë i miri ka ndonjë të keqe dhe anasjelltas, i keqi ka ndonjë të mirë. E kjo gjendje e vështirëson fort konkluzionin, ndaj ky tekst është vetëm një përpjekje modeste për ta pa me sy kritik realitetin tonë. Për këto arsye, por edhe pse kjo është bindja ime e palëkundur, unë propozoj një aksiomë; Enver Hoxha është terroristi i popullit shqiptar dhe Partia e Punës është një Organizatë Terroriste. Prej këtu do të ndërtohet gjithë arsyetimi në vijim, si një vijë ndarëse ku ndahet e mira pas të mirës, me të keqen pas të keqes *).
Të dallosh të mirën nga e keqja, ka qenë dhe mbetet sfida më e madhe e njerëzimit. Megjithatë, ndërkohë që shekujt kanë rrjedhur, ndriçimi ka ardhur bashkë me zhvillimin e shoqërisë njerëzore. E ky rregull e ka çliruar mendjen e njeriut edhe prej ligjeve absurde dhe të padenja siç ishte përshembull skllavëria e njeriut. Megjithatë, iluminimi nuk ishte punë fort e lehtë, dhe historia njerëzore është e mbushur me përpjekje të pashoqe të mendjeve të ndritura për të ndriçuar rrugën tonë. Por të kthehemi në rrafshin tonë social dhe politik, që dukshëm na e lehtëson arsyetimin me specifikat banale që mbartë në vetvete.
Disa dilema qenia njerëzore i ka zgjidhur me kohë, qysh në lashtësi. Domethënë, njerëzimi e ka zgjidhur me kohë dilemën nëse “të vrasësh” është mirë apo keq. Për më tepër, të vrasësh pa arsye, të vrasësh për pushtet, të vrasësh për politikë, të vrasësh sepse tjetri nuk mendon njësoj me ty. Të vrasësh gra dhe fëmijë, t’i torturosh dhe ti poshtërosh ata. Të vrasësh për të grabitur pronën e tjetrit. Të vrasësh për të shuar një klasë politike. Të vrasësh sepse ti sheh në ëndërr sikur po të marrin pushtetin tënd të ngritur mbi gjakun e kombit tënd. Ky ishte Enver Hoxha. Dhe padyshim, sipas të gjitha përkufizimeve të së drejtës, sipas të gjitha doktrinave filozofike dhe fetare, por edhe sipas virtyteve bazë me të cilat çdo qenie njerëzore është mëkuar, Enver Hoxha cilësohet VRASËS. Por përmasat e vrasjeve të tij si dhe filozofia mbi të cilën ai e ngriti këtë sistem, e bëjnë atë një Terrorist, dhe Partinë e Punës të Shqipërisë e kthejnë në një Organizatë Terroriste. Nisur nga ky arsyetim i thjesht dhe elementar, të zhveshur nga çdo propagandë bajate, në të vërtetë këtu mund të dallojmë fare lehtë të mirën nga e keqja.
Për të vazhduar arsyetimin tonë, në përpjekje për të dalluar të mirin nga i keqi ose të mirën nga e keqja, pasi kemi përcaktuar si aksiomë se Enver Hoxha ishte një terrorist dhe Partia e Punës ishte një Organizatë Terroriste, gjithçka bëhet më e qartë dhe e kuptueshme gjatë ndërtimit të argumenteve. Ideologu dhe shefi i kësaj Organizate Terroriste kishte ngritur një mekanizëm gjigand dhune dhe represioni, një seri kampesh dhe burgjesh të rënda për kundërshtarët e tij, si dhe Sigurimin e Shtetit, një organizatë brenda organizatës së madhe terroriste, që vepronte si instrument i jashtëzakonshëm terrori në duart e vet terroristit Enver Hoxha. Arritjet e kësaj arme famëkeqe përgjatë 45 viteve janë mbresëlënëse. Malet me kufoma shqiptarësh të pafajshëm janë aty në tokën dhe memorien tonë historike.
II
Në të vërtetë, nevoja për të ndërtuar një formë të menduari dhe parashtrimi, shpesh merr rëndësi të veçantë, për vet mënyrën se si argumentet ndonjëherë “lëkunden”; sepse ato nuk e kanë ndërtuar me bazë solide, linjën e tyre të arsyetimit. Prandaj, ishte e nevojshme të fillohet nga elemente krejt të thjeshta dhe të kuptueshme; si përshembull “vrasja e njeriut të pafajshëm është krim” dhe “ai që vret është kriminel”. Prej këtej, mund të kalohet në përshtjellime paksa më “filozofike”, siç është komunizmi shqiptar dhe prona private, e majta dhe e djathta, demokracia dhe ekonomia e tregut. Problemi është se do të ishte tejet e vështirë të ndërtosh një tekst për shoqërinë shqiptare, nisur vetëm nga faktorët aktual politik dhe social, pa e njohur më parë mjedisin mbi të cilin është ndërtuar kjo shoqëri, shpesh herë me kundërthënie të forta dhe paradokse që të lënë pa fjalë.
Zakonisht më pëlqen të ftoj lexuesit të përqëndrohen në pamjen që unë e shoh me mendjen time; njësoj siç sheh një film të mirë dokumentar. Prandaj ju lutemi, shikoni me vëmendje pamjen që unë shoh; një Shqipëri me dy masa të mëdha:
1. Një masë e indoktrinuar rëndë nga propoganda “e majtë”, dhe që vazhdon të mbështesë “të majtën” shqiptare, pa kushte.
2. Një masë tjetër, disi më ndryshe, më e pasur, më skeptike, më e rafinuar, por tejet opurtuniste, që zakonisht rend pas interesave të ditës, me shpresën se punët rregullohen vetiu.
Përtej këtyre dy masave të mëdha, sigurisht që ka edhe ngjyra dhe faktor të tjerë, por ajo që e kushtëzon plotësisht zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit, në fakt nuk janë këto dy masa që ne shohim. Në realitet ekziston një Organizatë Ombrellë dhe disa Struktura që komandojnë krejt jetën politiko-ekonomike të Shqipërisë.
Historia reale e Organizatës Terroriste “Partia e Punës e Shqipërisë” me siguri që do të shkruhet një ditë. Ndaj, do të isha shumë kurioz të shoh se si do të jetë shkruar ajo nga historianët në të ardhmen, sidomos Kapitulli i pas Kongresit të 10-të të saj. A do të shkruhet në këtë Histori se Organizata Terroriste “Partia e Punës e SHqipërisë” një ditë të bukur pranoi të mos ekzistojë më?! Apo se ajo u rithemelua dhe u riorganizua, nga Parti e tipit komunist, në një Parti Socialiste e vlerave përëndimore? Çfarë do të thuhet aty për masën e stërmadhe të komunistëve shqiptar që militonin në këtë Parti? Po për figurat e saj, për Sekretarët e Parë, për Antarët e Byrosë Politike, për Komitetin Qëndrorë? Po për Sigurimin e Shtetit, arma e preferuar e dhunës dhe terrorit mbi shqiptarët? Çfarë do të përmbaj kapitulli për fillimet e ekonomisë së tregut në Shqipëri? Po për dallandyshet e para të biznesit privat, që për ironi të fatit ishin me shumicë nga rradhët e Sigurimit të Shtetit? A do të flas ajo për Historinë e Bandave Kriminale, për Piramidat Financiare, për rebelimin e vitit 1997? Po për “eksponentët legjendar” të “së majtës” shqiptare, që gjallojnë duke zotëruar dhe dominuar të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike, sociale, mediatike dhe politike të vendit? Kjo që sapo lexuat, a është një provë? Apo ajo, Organizata Terroriste “Partia e Punës e Shqipërisë”, një ditë të bukur vendosi të tretet, të zhduket, sikur nuk ka ekzistuar kurrë, ashtu kot, pa shkak dhe arsye? A mund të zhduket diçka kaq papritur? Vërtet mendoni se diçka e tillë mund të ndodhë, ashtu, me urdhër të peshkut?
Prandaj, ju lutem shikojini ngultas këtë që po ju tregoj me gisht, duke i prekur emër për emër të gjithë këta “korifej” të elitës ekonomike, politike dhe sociale të vendit; që kanë pushtuar çdo burim jetësor të shqiptarve, duke deformuar frikshëm realitetin nëpërmjet manipulimit masiv; duke kapur çdo institucion të shtetit, të varur dhe të pavarur, duke kapur çdo organizëm të shoqërisë civile, çdo media; ata kanë deportuar thellë në strukturën ekonomike të shoqërisë, ata kanë bankat, industrinë e ndërtimit, industrinë energjitike, naftën, mineralet, telekomunikacionin; ata kanë marrë edhe pozicionet kyçe në të gjitha Organizatat Mafioze dhe merren me të gjitha llojet e trafiqeve, ndërkohë, që është në përfundim e sipër Operacioni i Reformës në Drejtësi.
Shikoni se çfarë ndodh ndërkohë që shqiptarët rreken të mbijetojnë; “ata” kanë kapur pikat kyçe prej ku kontrollohet paraja dhe pushteti, paçka se kjo para në shumicën e saj vjen nga pasuria kombëtare. Në çdo strukturë të shtetit, në ato ekonomike dhe në ato të zbatimit të ligjit gjenden me shumicë eksponent ose bijë dhe bija të komunistëve shqiptar.
Është e nevojshme që të evidentohet një specifikë thelbësore që ka karakterizuar Organizatën Terroriste “Partia e Punës”. Kupola e saj përbëhej me shumicë nga sadistë gjakftohtë, vrasës serial dhe të pamëshirë. Po ashtu, Armata e Sigurimit të Shtetit mbillte terror anembanë vendit. Njeriu i Sigurimit ishte veshur me një pushtet absolut, i cili vendoste për jetën e çdo qytetari të zakonshëm. Kjo specifikë u nënvizua për të shenjuar faktin se tridhjetë – dyzetvjeçarët oficerë të Sigurimit të Shtetit në vitin 1990, janë 60 vjeçarët e sotëm që zakonisht ndodhen në pikat prej ku kontrollohet gjithçka, përfshirë mafien dhe shtetin. Këta njerëz që kanë qenë të mësuar të vrasin, të frikësojnë, të mbellin terror dhe gjak, nuk e kanë për gjë që të vazhdojnë të njëjtën rrugë, madje kjo tashmë është bërë pjesë e karakterit të tyre. Ndaj mos u lodhni shumë t’i gjeni se ku janë, sepse njëri prej tyre sot është jo më pak se vet Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, ndërsa ish Ministri i Brendshëm i Organizatës Terroriste “Partia e Punës” sot është Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Pa fjalë!
Kjo është pamja që ju shihni në “dokumentarin” tim, ndërsa unë rrekem të ndërtoj para jush me fjalë imazhin e masës gri. Ajo masa e madhe me shqiptar të mesëm dhe të arsimuar, punëdashës; nëpunës të zakonshëm dhe rrogëtar profesionist. Disa gjenerata shqiptarësh e bënë kompromisin e madh në emër të jetëve të familjeve të tyre; teksa “pranonin” në heshtje dhunën e terroristit Enver Hoxha, me dilemën hamletiane që i shoqëroi gjithë jetën. Në të vertet, tmerri atyre kohëve akoma nuk ka kaluar, sa gati mund të mendohet se ai terror është bërë pjesë e gjeneve tona. Ndryshe ngjan gati e pabesueshme se si simptoma të tilla përcillen nga brezi në brez, teksa “Ata” tashmë kanë marrë përsëri frenat dhe timonin duke komanduar gjithçka, masa gri rri zemër ngrirë, hesht dhe nuk flet, dridhet dhe vihet në rrjesht.
Por, më ndjeni, sepse dhimbja jonë, e imja dhe e juaja nuk mbaron këtu. Ne jemi shumica, por akoma lejojmë të na komandojnë “Ata”. Sepse në fakt kjo është fjala e duhur, “Ata” na komandojnë, nuk na qeverisin. Terroristi Enver Hoxha komandonte. Komandanti i Kufirit të vriste. Komandanti i Brigadës jepte urdhëra. Gjithçka ishte me komandë dhe nën komandë. Edhe sot “Ata” komandojnë. Komandojnë gjithçka që lëvizë dhe gjallon në territorin e Shqipërisë. Edhe burgu për dritat bëhet me komandë Kryeministri. Edhe të mjerët lihen pa bukë me komandë Kryeministri. Edhe droga mbillet dhe trafikohet me komandë Kryeministri, Ministri dhe Drejtorësh Policie. Por, prap ne, shumica pranojmë komandën e tyre, sepse nuk jemi në gjendje të kuptojmë se në fakt, ne jemi shumica. E di se si më ngjan e gjithë kjo situatë absurde?
Para jush po shënoj një hartë. Në pikat kyçe të shtetit (që “Ata” kanë ngritur për ne) në çdo rast ndodhet një personazh X. Nëse shohim me pak vëmendje se kush është ky X-si, del se ai është aty jo se ka cilësi të vyera profesionale ose morale, por është aty si një ingranazh i sistemit, në shërbim të sistemit zhvatës.
Punët kanë shkuar larg, sa edhe ligje të veçanta dizenjohen në funksion. Ndërkohë, për llojet e ligjeve fondamentale, siç është përshembull Kushtetuta dhe Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut, veprohet ndryshe. Zakonisht ato injorohen. Dhe askush nuk flet. Masa e madhe gri është e zënë me probleme të rëndësishme siç është ta zëmë lepuri në bark, ose ajo shprehja madhështore e gomarit “Bëje Zot andërr”.
Një ditë, në ditët që do të vijnë, zgjimi nga gjumi do të jetë traumatik. Zjarri do të ketë përfshirë sipërfaqe të tëra, tashmë jo me pyje, ullishte dhe kullota, por një zjarrë real, që djeg gjithçka si një lubi, do të jetë në prag të çdo shtëpie shqiptari. Mbreti Kaos do të jetë rrugëve të Atdheut, ndërsa ne, të çartur prej dhimbjes do të vrapojmë, pa drejtim. Atë ditë, as Zoti nuk do të ketë mëshirë për ne.
Tani dua të rikthehem edhe njëherë në diçka esenciale. Sepse, nuk mund dhe nuk dua të besoj se ne jemi kaq indiferent me gjërat serioze. Jo, në fakt nuk jemi të tillë, por meqense ngjyra gri është dhe ngjan shumë indiferente, atëherë ne, padashur i jemi përshtatur rrethanave. Me sa duket kjo vjen nga një arsye specifike, dhe ne e kemi pranuar kurthin e ngritur. Shikoni se çfarë ndodh; njeriu ndërvepron me mjedisin nëpërmjet shqisave, siç është ta zëmë, shikimi dhe dëgjimi. “Ata” kanë arritur që të deformojnë realitetin që ne përceptojmë, nëpërpjet shikimit dhe dëgjimit. Në shohim dhe dëgjojmë saktësisht çfarë ata dëshirojnë, zakonisht Klan TV, Top Channel, Vizion Plus, News 24, Ora News, ERTV, Blendi Fevziu, Endri Fuga, Henri Çili, Sokol Balla, Mustafa Nano, Arjan Vasjari, Lorenc Vangjeli, Mero Baze, Artan Hoxha, Fatos Klosi, Izet Haxhia, Spartak Ngjela, Gjergj Zefi etj. Në çdo kanal, në çdo orë të ditës deri mbrëmjeve të vona, ne jemi si të zënë në çark nga “Ata”, të detyruar të mos e kuptojmë kurrë realitetin në të cilin jetojmë. Në të vërtet, kjo gjëmë bëhet e mundur nëpërmjet pronës tonë publike, siç janë frekuencat e transmetimeve televizive.
Unë e di se është punë fort e vështirë që të shohësh çfarë fshehin nën kostume këta birbo të çakërdisur nga paraja e pushtetit, por ju lutem, përpiquni të paktën të kuptoni se, ta zëmë; Mustafa Nano, Lorenc Vangjeli ose çdo njëri prej këtyre djemve lëvend që shikoni në ekrane duke varrosur të vërteta, në fakt po varrosin copa vitesh, të rrëmbyera nga jetët tona. Kjo është ajo çfarë ata saktësisht bëjnë. Rrëmbejnë vitet tona dhe i varrosin mu para syve tanë.
Për tu rikthyer edhe njëherë aty ku e nisëm këtë bashkëbisedim; në të vërtet jo të zakonshëm, unë jam përkjekur të përshkruaj një bisedë imagjinare me lexuesit potencial, sepse nuk kam asnjë mundësi tjetër reale që të bashkëbisedoj, dhe të them ato gjëra që unë e gjykoj se duhen thënë. Nuk e di, ndoshta disa prej jush mund t’i përqeshni mendimet e mia, ose edhe mund t’i pëlqeni. Por, për një gjë unë dua të ju siguroj; ne të gjithë jemi në të njëjtin vend, për të njëjtat arsye; sepse jemi shqiptarë. Një burrë fort i zgjuar ka thënë se “Ju nuk mund të qëndroni indiferent në një tren që lëviz” (Howard Zinn). Me sa duket, treni ynë ka dalë krejt nga binarët. A mund të rrijmë ne ndërkohë, ashtu krejt indiferent?!
Erl Kodra, 1 Mars 2018.
Foto 1: Franz Marc: War Crime, The Assassinated Painter (1880-1916)