Nga Boldnews.al
Dy nga tre skafistët, të cilët tentuan të trafikonin 1.7 ton kanabis nga Shqipëria drejt Italisë në Shkurt 2017, u gjetën të vdekur në rrethana misterioze, vetëm një muaj pas këtij episodi. Për një person i tretë, për të cilin kishte dyshime të forta se ishte i përfshirë në këtë trafik, Prokuroria e Krimeve të Rënda, e drejtuar nga Donika Prela, vendosi të pushojë hetimet për përfshirje në këtë ngjarje dhe ta akuzojë vetëm për “moskallëzim krimi”, pavarësisht se ekziston prova të shumta për implikimin e tij.
Pa asnjë dëshmitar tjetër të mbetur gjallë, Prokuroria e drejtuar nga Donika Prela rezulton se e ka pasur shumë të thjeshtë për të ndryshuar kualifikimin e akuzës për Meçajn, nga “trafik narkotikësh” në “moskallëzim krimi”, kjo e fundit vepër penale që ka një dënim minimal.
Në Shkurt 2017, tre persona kanë tentuar të trafikojnë drejt Italisë 1.7 ton lëndë narkotike kanabis sattiva. Ata janë pikasur në det, fillimisht nga rojet bregdetare italiane, të cilat e kanë detyruar skafin të ndryshojë rrugë dhe të futet në ujërat territoriale greke. Këtu janë angazhuar forcat policore detare greke, të cilat, me lejen e autoriteteve shqiptare, i kanë ndjekur deri në Karaburun. Pasi kanë mbërritur në tokë, tre trafikantët janë larguar, duke lënë skafin, lëndën narkotike dhe disa dokumenta të tyre.
Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur të dyshuar për këtë rast trafiku tre persona; Ardian Hitaj, Qamil (Numan) Lazaj dhe Ariel Meçaj.
Në 11 Mars 2017 u gjet i vdekur në det Qamil (Numan) Lazaj, i cili gjithashtu dyshohej nga Policia Gjyqësore si një prej skafistëve të trafikut të dështuar të 1.7 ton kanabis të Shkurtit të atij viti. Ekspertiza mjeko-ligjore nxori mbytjen si shkak të vdekjes së tij.
Ardian Hitaj është gjetur i pajetë në det, në datë 6 Maj 2017. Nga të dhënat e siguruara deri në atë moment nga Policia Gjyqësore, ky shtetas ishte një prej të dyshuarve kryesorë si i përfshirë në trafikun e 1.7 ton kanabis në Shkurt 2017. Gjithashtu, dyshimet janë se vdekja e tij mund të ketë lidhje pikërisht me dështimin e trafikut, pavarësisht se ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi se ai ka vdekur nga mbytja.
I dyshuari i tretë ishte Ariel Meçaj, i cili është gjallë dhe nuk është bërë i mundur arrestimi i tij gjatë kohës që ishte nën hetim. Ai u dërgua për gjykim për “trafik narkotikësh” në Prill 2018. Prokuroria për Krime të Rënda kishte siguruar prova të shumta për përfshirjen e Meçajt në trafikun e 1.7 ton kanabis. Në bordin e skafit të përdorur për trafikim u gjetën disa dokumenta të Ariel Meçaj, si pasaporta, karta e identitetit dhe telefoni që ai kishte përdorur së fundmi.
Në bazë të këtyre provave, por edhe të detajeve të tjera, prokuroria ngriti akuzën e trafikimit ndaj tij dhe e dërgoi në gjyq. Gjyqtari i seancës paraprake ia riktheu dosjen prokurorisë, për të plotësuar në mënyrë përfundimtare disa akte hetimore.
Kthimi i dosjes rastisi me caktimin e Donika Prelës në krye të Prokurorisë për Krime të Rënda. Kjo prokurori, pasi mori sërish dosjen e kthyer nga gjykata, vendosi të zhvlerësojë provat e gjetura gjatë hetimit dhe pushoi hetimet për trafik narkotikësh. Për Prokurorinë e drejtuar nga Donika Prela, personi nën hetim Ariel Meçaj duhet të akuzohej vetëm për “moskallëzim krimi” e, për këtë arsye, ia kalon dosjen për kompetencë gjykatës së Vlorës.
“Boldnews.al” ka raportuar më parë edhe për disa rastësi të çuditshme, të cilat lidhin emrin e deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, me këtë rast hetimi. Avokat i të pandehurit Ariel Meçaj ka qenë Erjon Laze, kunati i deputetes Felaj. Avokati arriti një “fitore spektakolare”, pasi rrëzoi akuzën e trafikimit për klientin e tij, Ariel Meçaj.
Por, burimet nga Prokuroria për Krime të Rënda flasin se, më shumë se sa një arritje profesionale e avokatit, lehtësimi i akuzave ndaj Ariel Meçajt i dedikohet lidhjeve të forta që ka Ermonela Felaj me drejtueset kryesore të institucionit të Prokurorisë, me Kryeprokurorën e Përkohshme, Arta Marku, si edhe me drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prela.