Franca po diskuton në internetit tek hashtagu #CulotteGate për abuzimet seksuale në Francë.
Një gazetare u përkul për të marrë një stilolaps. Ministri francez i Financave Michel Sapin e vuri re. “Ai nuk mundi ta frenojnë dorën dhe mërmëriti: “Oh, ç’po më tregoni?” dhe i tërheq llastikun e të mbathurave të gazetares që i dilte prej pantallonave.”
Kështu e përshkruajnë gazetaret Stéphanie Marteu dhe Azize Zemouri në librin e tyre një skenë që kishte ndodhur në janar të vitit 2015 në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër. Titulli i librit, “L’Elisee Off”, aludon për intrigat pas dyerve të Pallatit të Republikës në Paris. Sapini konsiderohet si i besuar i presidentit francez Francois Hollande.
Që kurse incidenti u bë i njohur, komuniteti i internetit po diskuton në hashtagun #CulotteGate për abuzimet seksuale në Francë. “Culotte” u thonë në frëngjisht të mbathurave. Debati vazhdon edhe në mediat tradicionale. 500 gra dhe burra kanë nisur në gazetën “Libération” një peticion kundër ngacmimit seksual nga ana e politikanëve. “Në përgjithësi për gratë është e vështirë të flasin në lidhje me këtë lloj dhune, por në mikrokozmosin politik, një gjë e tillë pa dyshim është e përforcuar”, thuhet në peticion. Fjalë për ngacmime seksuale dëgjohen shpesh, por ndaj tyre nuk ndërmeret asgjë.
Seksizmi si “pjesë e sistemit”?
Cornelia Moser, studjuese pranë qendrës studimore kombëtare “Centre Scientifique de la Recherche”, organizata më e madhe franceze kërkimore në Paris thotë se në sferën politike të Francës mbizotëron një “atmosferë heshtjeje”. “Në politikë është fjala për pushtet. Kudo ku është fjala për pushtet dhe të holla, aleancat mes burrave funksionojnë shumë mirë dhe ata mbrojnë njëri-tjetrin.”
Dëshmi për këtë është edhe rasti i Denis Baupin. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, ai ishte një prej shumë politikanëve francezë që cilët dëshironin të tërhiqnin vëmendjen për seksizmin me një fushatë në twitter. Për këtë nënkryetari i Parlamentit dhe politikani i Partisë së Gjelbër doli para kamerave me buzë të lyera me të kuq buzësh. Prej kësaj hipokrizie kaq të madhe disa deputeteve në Asamblenë Kombëtare u erdhi në majë të hundës, sepse Baupin deri në atë moment nuk konsiderohej si avokat i të drejtave të grave. Madje për vite të tëra, ai duhet të ketë intriguar dhe ngacmuar seksualisht anëtaret e partisë femrat e stafit. Brenda partisë kjo ishte një gjë që me sa duket dihej.
Aksioni publik i Baupinit e bëri Sandrine Rousseau-në, zëdhënësen e të Gjelbërve francezë, që të raportonte për një incident në takimin e partisë në tetor 2011. Atëherë Baupini e kishte ngjeshur atë pas një muri, e kishte kapur për gjoksi dhe qe përpjekur ta puthte. Shtatë dëshmitare të tjera dolën pas kësaj në publik me ngjarje të ngjashme. Shumë gra thanë se Baupin u kishte dërguar për javë me radhë SMS me përmbajtje ngacmuese, të tjera thanë se u kishte thënë batuta me përmbajtje seksuale. Kundër Baupinit ka nisur ndërkohë një hetim. Ndryshe nga Gjermania, në Francë që nga viti 2012 ka një ligj që dënon ngacmimin seksual me deri në tre vjet heqje lirie.
Cornelia Moser mendon se seksizimi është “pjesë e një sistemi, me të cilin synohet që gratë të mbahen jashtë politikës”. Ankesat e tyre “shpesh nuk merren seriozisht ose hidhen poshtë si vepra të parëndësishme”. Kjo dhunë seksuale banalizohet dhe viktimave u duhet të mbartin pasojat – sipas motos: “Po mbylle atë bluzë dreqi ta hajë.”
Tërheqja e vëmendjes së opinionit publik
Gazetarja dhe blogeria gjermane Helga Hansen, e cila ishte ndër të parat që u shpreh në twitter për problemin e ngacimimeve seksuale në Gjermani, mendon se duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik mund të arrihet që të ashpërsohet ligji kundër abuzimit dhe ngacmimit seksual. Por megjithatë ajo vë re se nuk ka ndonjë ndryshim të madh në Gjermani në këtë drejtim dhe se kërkesat e feministeve që edhe një shuplakë në prapanica, një tërheqje e llastikut të të mbathurave apo një shaka për dekoltenë e hapur duhet të dënohen me ligj, sepse nëse femra thotë “jo, atëhere kjo do të thotë jo!”