Kjo video tregon momentin kur një makinë, në timonin e së cilës ishte një shqiptar përplas një punëtor në rrugë ndërkohë që ndiqej nga policia, duke e lënë me dëmtime të rënda.
21-vjeçari Gentjan Lalaj, i cili jetonte në veri të Londrës, u dënua me 3 vjet burg dhe iu ndalua që t’i japë makinës për 6 vjet e gjysmë. Dënimi për të u dha nga gjykata e Southampton dhe ai u shpall fajtor për shkaktim të dëmtimeve të rënda, si pasojë e drejtimit automjetit në mënyrë të rrezikshme, si dhe për drejtimin e makinës pas patentë e siguracion.
Prokurori Roderick Brain i tha gjykatës së 21-vjeçari nuk i kishte ndaluar policisë, gjë që kishte çuar në ndjekjen e tij nga oficerët me një shpejtësi prej 50 km në orë në rrugët e Southampton, më 27 Mars, në rrugë ku limiti është 30 km në orë.
Lalaj drejtonte një makinë Volvo të vjedhur. Ai deklaroi se po ndiqej nga dikush që kërkonte të merrte hak ndaj tij për shkak të gjakmarrjes. Megjithatë mbrojtja e tij nuk u pranua nga juria.
Prokurori Blain tha se viktima, 27-vjeçari Tom Carey nga Rochester, i cili mbante veshur uniformën e punës, me ngjyra të dukshme nga largësia, pësoi dëmtime të shumta kur u godit nga makina e të pandehurit.
Pamjet tregojnë sesi shqiptari e katapultoi 27-vjeçarin në ajër, përpara se makina të përfshihej nga flakët.
I riu britanik qëndroi 12 ditë në spital dhe nuk mundi të shkonte në varrimin e gjyshit. Prokurori tregoi gjithashtu se Carey nuk ka mundur të rikthehet më në punë apo të merret me sport.
Teksa dha dënimin për shqiptarin, gjykatësi Nicholas Rowland tha: “Policia po përpiqej të të ndalonte, por hoqi dorë sepse po i jepje makinës në mënyrë tepër të rrezikshme. Po i jepje në mënyrë të tillë që shkaktove dëmtime të mëdha te Carey, i cili ndryshe nga ty po punonte fort. Kjo pati një ndikim serioz në jetën e tij, si personale ashtu edhe profesionale”.
Nga ana e tij, nëpërmjet avokatit mbrojtës, Lalaj u shpreh i penduar për çfarë kishte ndodhur. “Më vjen shumë shumë keq që e godita…”
I riu kishte 18 muaj që kishte shkuar në Britani, i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni. Avokati i tij tha para gjykatës se Lalaj nuk e dinte që po ndiqej nga policia, por besonte se ishte dikush nga Shqipëria që kërkonte të hakmerrej për një vrasje të kryer nga familjarë të 21-vjeçarit.
Pavarësisht pretendimeve, akuza tha se ky ishte një ndër rastet më të rënda të dhënies së makinës në mënyrë të rrezikshme në 10 vitet fundit, ndërsa e konsideroi Careyn me fat që ishte gjallë.
Vetë ky i fundit, duke folur pas dhënies së dënimit tha: “Kam marrë dënime që më kanë ndryshuar jetën e që do të mbeten aty përjetë. Ai ka marrë shumë më pak nga sa kam marrë unë. Ai më ndryshoi jetën”.