Nga Boldnews.al
Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, ishte në dijeni se një vendimmarrje e saj në kundërshtim me ligjin për transferimin e prokurores Sonila Muhametaj nga Krimet e Rënda për në Pukë i kishte sjellë vartëses së saj shtatëzanë problem të theksuara shëndetësore. Por, me arrogancën e karriges, shefja e organit të Akuzës nuk u tërhoq nga vendimi i saj. Pasoja? Tragjike! Prokurorja Sonila Muhametaj humbet fëmijën e saj, në muajin e katërt të shtatëzanisë.
Fillimisht, këtë ngjarje të rëndë e bëri publike gazetarja Klodiana Lala, në një status në rrjetin social Facebook. Por, në zyrat kryesore të Prokurorisë së Përgjithshme, kjo ngjarje e ndodhur pak ditë më parë, kishte mbërritur që në momentin kur kishte ndodhur.
Sonila Muhametaj ishte një prej 10 prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilët “u rebeluan” ndaj drejtueses së tyre, Donika Prela, për shkak të çëshjtes “Shullazi”. Nga 10 prokurorët, Arta Marku vendosi të penalizojë me transferime në rrethe të largëta vetëm 3 prej tyre, një prej të cilëve ishte prokurorja Muhametaj. Për nënën e dy fëmijëve dhe në pritje të një të treti, Arta Marku “rezervoi” transferimin e saj në Pukë.
Ky transferim, si edhe të tjerë të kryera nga Arta Marku gjatë muajve që është në drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, është kryer në kundërshtim të hapur me ligjin. Kryeprokurorja e Përkohshme nuk e ka kompetencën për transferimin e prokurorëve. Por, diçka e tillë nuk e pengoi Markun për transferimin në formë “degdisje” të prokurores Sonila Muhametaj drejt Pukës.
Ky vendim i padrejtë i krijoi shqetësime shëndetësore prokurores, e cila, gjithësesi vendosi të ndjekë rrugën ligjore, duke kundërshtuar në gjykatë urdhërin e transferimit të firmosur nga Arta Marku.
Në këtë proces, deri më tani janë zhvilluar 3 seanca. Bëhej fjalë për një process të thjeshtë ligjor, në të cilin gjykata mund të përcaktojë lehtësisht nëse padia e prokurores Muhametaj qëndron apo jo. Por, gjykata, pavarësisht se ka konstatuar gjendjen e rënduar shëndetësore të prokurores, ka vendosur që të zgjasë procesin. Dy seancat e fundit gjyqësor janë shtyrë pasi paditësja Sonila Muhametaj ka qenë në regjim spitalor, për shkak të komplikacioneve me shtatëzaninë. Ky fakt i është bërë i ditur edhe përfaqësueses së Prokurorisë së Përgjithshme në procesin gjyqësor.
Ky proces gjyqësor ka pasur edhe një veçanti-përballë një prokuroreje femër, shtatëzanë, gendeshin tre femra të tjera-kryeprokurorja Arta Marku, përfaqësuesja e saj, si edhe gjyqtarja Elda Vrioni.
Përballë këtyre tre femrave, prokurorja Sonila Muhametaj humbi fëmijën e saj. Edhe një fitore e mundshme ligjore përballë arrogancës dhe paligjshmërisë së Arta Markut, nuk do të mund t’ia kthejë fëmijën.