Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama dha një shfaqje patriotike në “teatrin e absurdit” në Pejë, ndërsa mbahej mbledhja e dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Përbetimi mbi flamur, shqiponjë e simbolizuar me duar, dekor propagandistik dhe fjalime boshe të një patriotizmi të shtirur ishin materiale të bollshme për ndonjë rapsod të papunë që mund t’i kushtojë këngë kryeministrit Edi Rama… Po thelbi i patriotizmit është të duash vendin tënd dhe shtetasit e tu, kudo që ata mund të jenë.
Në kohën kur Rama jepte intervistë për mediat greke, duke lartësuar marrëdhëniet fantastike, të fqinjësisë së mirë, apo të marrëveshjeve të mëdha, në Greqi emigranti shqiptar 63-vjeçari Petrit Zifle u vra vetëm për shkak të etnisë së tij. Ia mori jetën një ekstremist grek, pjesë e Agimit të Artë. Asnjë fjalë nuk doli nga institucionet tona. Asnjë reagim qoftë edhe për informacion për çështjen. Edhe më qesharak është qëndrimi i Ministrisë së Jashtme të përfaqësuar nga Ditmir Bushati.
“Në përgjigje të interesit të medias në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Korfuz ku humbi jetën një shtetas i Republikës së Shqipërisë, zëdhënësja e MEPJ, bëri me dije se: “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Atikës, mbi vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz. MEPJ shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle, përshëndet kapjen e autorit nga policia greke dhe bën thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbardhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes”.
Ky është qëndrimi i ministrisë sonë, e cila që në nisje të saj duket se është e kushtëzuar vetëm nga “interesi i medias”. Aty nuk flitet për notë proteste, nuk kërkohet shpjegim më i detajuar për ngjarjen, nuk dënohet akti si vepër e “esktremizmit grek”, as bëhet thirrje për qetësi, nuk ngrihet shqetësimi se janë raste të përsëritura. Mjaftohen me një deklaratë të thatë, krejtësisht të pavlerë që është gati një qëndrim që flet për një normalitet, edhe pse ka ikur një jetë njeriu.
Nuk jeton më një emigrant qytetar i mirë në Shqipëri e Greqi, që kushtet ekonomike në vendin tonë e detyruan të shkojë në emigracion. Ngjarja ndodhi më 25 nëntor në Dragotina, Korfuz. Mediat greke raportojnë se autori i ngjarjes rezultoi pikërisht një 44-vjeçar nga Korfuzi, që është anëtar i Agimit të Artë në Lefkimi. Ai në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat me partinë ekstremiste që kohët e fundit bën thirrje në zonë për të terrorizuar e ndjekur të huajt. Nuk është një qëndrim rutinë por një strategji e grupeve ekstremiste greke që herë pas herë kur bëhet fjalë për sulomet ndaj shqiptarëve kanë edhe mbështetjen e strukturave drejtuese të qeverisë greke.
Reagimi në këtë rast nuk duhej të mbështillej me ndnjenja të nacionalizmit ekstrem, por një qëndrim i fortë shtetëror do merrte vlerë më shumë se çdo “daulle propagandistike” e një patriotizmi të shtirur deri në shpërfytërim të kryeqeveritarit Edi Rama. Po kalohet me heshtje varri e turp kombëtar kjo e shumë ngjarje të tjera që i kanë marrë jetën emigrantëve shqiptarë. Nuk është aspak rastësi që vetëm brenda një muaji në shtetin fqinj kanë humbur jetën katër shtetas shqiptarë, të vrarë në rrethana të dyshimta. Ku është ambasada jonë në Athinë? Çfarë di ajo për qytetarët e saj që jetojnë në çdo kohë në frymën e esktremizmit të vendit fqinj? Kjo ambasadë, përveç paaftësisë dhe inferioritetit të dukshëm, duket se ka një udhëzim nga strukturat qeveritare që të kalojnë si problem rutinë çdo krim me karakter etnik.
Edhe më qesharak është kryeministri Edi Rama që pikërisht në ditën kur me armë gjahu u vra një qytetar shqiptar, flet për fqinjësi të mirë. Ai i ka karakterizuar si “historike dhe tradicionale marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë në një intervistë me drejtorin e përgjithshëm të agjencisë greke të lajmeve, ANA-MPA, Michalis Psilos. “Është një marrëdhënie historike dhe tradicionale dhe siç ndodh gjithmonë me fqinjët, nuk shkon gjithçka në mënyrë të përkryer… E dimë këtë nga mëhalla jonë. Qoftë në fshat, qoftë në qytet, qoftë midis shteteve, është e njëjta gjë. Mund ta kuptosh këtë nëse ndjek një ndeshje futbolli midis fqinjëve: është si luftë”, tha Rama, duke e relativizuar situatën e tensionuar mes dy vendeve, ku ata që e vuajnë më shumë janë mijëra emigrantë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi.
Kjo është qeveria jonë, që për të bërë “patriotin” shkon në Pejë e me daullet e atdhetarizmit, por kalon në heshtje krimet ndaj shqiptarëve në shtetin grek.