Tom Mamli, i cili akuzohet si një nga autorët e masakrës së Mamurrasit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën rastësisht dy të tjerë, është bërë sot pjesë e emisionit ‘Me zemër të hapur’ në ‘News24’. Mamli, i cili tashmë është dënuar me 29 vite burg për ngjarjen, ka mohuar se ka qëlluar në drejtim të viktimës, Naim Tafa. Në një lidhje telefonike nga burgu i Shën Kollës në Lezhë, i riu tha se ai dhe vëllai nuk janë kriminelë dhe se janë të pafajshëm. Po ashtu ai mohoi se vëllai i tij, Enrik Mamli qëlloi në kushtet e vetëmbrojtjes.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi në qendër të Mamurrasit, më 23 shtator të vitit 2015, ku mbeti i vrarë Naim Tafa dhe u plagosën rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin, bashkë me shumë persona të tjerë, në zonën e stacionit të trenit.
Intervista e plotë me Tom Mamlin.
Pse ndodheshit përballë bashkisë ditën kur ndodhi ngjarja?
Të them të drejtën zonja Evi (Evis) se ne ndaheshim përballë bashkisë, por jemi vërtetë të pafajshëm në këtë histori. Po e nis historinë siç e kam shpjeguar në gjykatë. Atë ditë kam dalë nga shtëpia, si çdo ditë, për të pirë një kafe. Unë e kam shtëpinë në periferi të Mamurrasit, 5-10 minuta zgjat nga qendra. Aty jemi takuar me vëllain, Enrikun, pasi ai kishte dalë të merrte një letër në Bashki dhe në ato momente ai ka hyrë në këtë institucion dhe ka dalë prej aty me atë dokument. E kam pritur përballë bashkisë. Jemi takuar sërish. Në ato momente një i fisit tim ka kaluar me makinë aty dhe ne kem pasur një mosmarrëveshje. E kemi ndaluar në rrugë dhe kemi pasur një konfrontim fizik me kushëririn dhe më pas kemi dalë në krahun tjetër të rrugës. Aty ndodhet dhe një lavazh në pronësi të Xhevalin Kecit, kemi marrë makinën dhe jemi drejtuar për të ikur nag shtëpi. Në ato momente jemi përballur me makinën e ‘Benz’ me personat që jemi sot në konflikt. Na kanë goditur me makinë dhe më pas na kanë qëlluar dhe më armë. E kam parë vetën me gjak. Kam rënë mbi timon. Në këto kushte vëllai ka pasur disa armë me vete, rastësia na ka shpëtuar. Po mos të kishte pasur ai armë, s’do isha ndoshta duke folur me ju. Se kishim pritur dhe me këta persona. Si kemi pasur asnjë lloj borxhi.
Pse lëviznit me armë?
Skam pasur armë. kam dalë në Mamurras për të pirë një kafe. Kur i kam parë armë vëllait në makinë, u habita. Kur u konfrontuam me kushëririn, vëllai tha; ‘ikim se kam armë me vete’. Enriku i ka pasur rastësisht ato armë. Para një muaj u godit nga disa persona dhe se ka ditur se kush janë këto persona.
Përse e kanë goditur vëllain?
Zonja Evi, ky është një konflikt i vogël që kemi pasur me disa persona jashtë shtetit.
Keni pasur grindje me këtë familje?
Një konflikt e kemi pasur me këtë familje. Që ka nisur jashtë shtetit. Zonja Evi (Evis) këtu janë ngatërruar punët, se di si i bën këtë gjë prokuroria.
Sa persona ishin?
Ishin 3 persona. Një nga këta persona ka dalë i pafajshëm. Personi i tretë ka ngelur i vrarë atë ditë në vendin e ngjarjes.
Përplasja e vëllait kur ka ndodhur?
Ka qenë një incident ku dy nga këta kushërinjtë e palës kundërshtare e kanë goditur Enrikun në Mamurras. E kanë goditur me hunj dhe mjete të forta. Ka përfunduar në spital.
Ka pasur të dënuar nga ky akt?
Jo s’ka pasur. Ata e pranuan vet në gjyqin e ngjarjes në fjalë. Babai i viktimës ka ardhur tek shtëpi dhe i ka thënë babait tim që të pajtoheshin. Të gjithë e dinë në Mamurras se ne nuk kemi pasur faj. Në këtë rast Enriku ka pasur armë me vete dhe u kundërpërgjigj pasi më pa mua të plagosur me gjak dhe kam rënë mbi timon. Dhe ka menduar se unë kisha vdekur. Dhe kjo ka qenë e gjitha. Ne jemi pa faj, ishte vetëmbrojtje.
NGJARJA
Mesditën e 23 shtatorit të vitit 2015, rreth orës 11:30 minuta, Tom Mamli, Paulin Mamli, Enrik (Elton) Mamli kanë rrahur dhe goditur me sende të forta Dorjan Mamlin, pasi ky i fundit kishte ndërhyrë për të negociuar konfliktin që kishte Enrik Mamli me Edmond Tafën, djalin e xhaxhait të Naim Tafës (viktima). Në atë kohë grupi hetimor tha se konflikti mes tyre kishte nisur në Itali për një borxh prej 250 mijë eurosh që Enrik Mamli kishte pasur ndaj Tafës për hesape prostitucioni. Gjatë sherrit në lokal, i dëmtuar fizikisht mbeti Dorjan Mamli, i cili ishte qëlluar me grushte e mjete të forta nga kushërinjtë e tij. Ndërkohë, kur vëllezërit Mamli po largoheshin me mjetin “Range Rover” me targa AA 481 JT, janë përplasur nga mjeti “Benz” me targa AA 077 CN në të cilin lëviznin Gentjan Elezi, Taulant Bebri (Arjan Tafa) dhe Naim Tafa. Këta persona ishin vënë në dijeni të konfliktit të ndodhur në lokal. Pas përplasjes së automjeteve, personat që ndodheshin në të dyja makinat kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku i vdekur mbeti Naim Tafa, 35 vjeç dhe u plagosën Altin Çoku, 30 vjeç; Idriz Tafa, 59 vjeç; Taulant Bebri (Arjan Tafa), 26 vjeç dhe Besim Xhetani 68 vjeç. Në atë kohë policia raportoi se Elez Tafa, Besim Xhetani dhe Altin Çoku kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë pasur asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë. Pas masakrës, policia arrestoi Enrik Mamlin, Taulant Bebrin (Arjan Tafa) dhe Dorjan Mamlin. Ndërsa, më pas u arrestuar Tom Mamli. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 12 gëzhoja fishekësh të armëve të zjarrit, 11 prej të cilave brenda në makinën e Enrik Mamlit. Kjo makinë u gjet nga policia e braktisur, rreth 300 m larg vendit të ngjarjes në përpjekje për t’u larguar. Gjithashtu, policia sekuestroi një armë zjarri automatik model 56 kalibër 7.62 mm, e përdorur prej Enrik Mamlit.