Diplomati i njohur Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i madh”, përmes librit të tij të ri, “Miqësi e trazuar, Greqia në kujtimet e ambasadorit”, tregon mbi çështjet e diskutuara mes Kryeministrit Fatos Nano dhe homologut grek Kostas Karamanlis në maj të 2005.
Sipas ambasador Zenelit, Kryeministri Nano i ka kërkuar homologut grek abrogimin e “Ligjit të Luftës” me Shqipërinë nga Greqia. Në përgjigje të kësaj kërkese, Karamnalis është shprehur se mes dy vendeve nuk ka ligj lufte.
“E mirëkuptoj shqetësimin tuaj që vjen nga një opinion i mbarsur me ndjenja të së kaluarës. Ne e kemi përballuar me realizëm këtë… Nuk ka gjendje lufte midis nesh, midis Greqisë dhe Shqipërisë, midis popullit grek dhe popullit shqiptar. Me Traktatin e Fqinjësisë, me bashkëpunimin shumë të gjerë që kemi, përfshi edhe atë në fushën ushtarake, me mbështetjen që i japim Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO… nuk mund të themi se jemi në gjendje lufte…”, i është përgjigjur Karamanlis kërkesës së Nanos.
Por ambasador Zeneli tregon dhe detaje nga përgatitja e takimit me Kryeministrin Karamanlis. Në deklaratën që Fatos Nano kishte përgatitur për të mbajtur pas takimit me homologun grek do të shprehej se në Greqi kishte edhe minoritet shqiptar. Për ambasadorin Zeneli, kjo nuk ishte e saktë të thuhej. Pas një debati disaminutash dhe konsultimit me Tiranën, Kryeministri Nano pranoi të korrektonte deklaratën e tij sipas sugjerimit të ambasadorit tonë në Athinë në atë kohë, Bashkim Zeneli.
BASHKIM ZENELI
Pak ditë para nisjes së vizitës së z.Nano në Athinë do të pritesha nga zv. ministri i Jashtëm, z. Evripidis Stilianidis. Ishte zgjedhur deputet në zonën e Aleksandropoulisit, në kufi me Turqinë (Xanthi, Komotini e Sapai) dhe ishte deputeti që kishte marrë më shumë vota nga deputetët e Parlamentit grek.
Kishte studiuar në Gjermani, në Hamburg. Fliste rrjedhshëm gjermanishten, por dukshëm e dallueshëm me theks grek. (Krejt ndryshe, pa i dalluar nga gjermanët e ?isnin gjermanishten ambasadori Carcabasis apo ambasadori Zografos, bashkëshort i ambasadores greke, zj. Eleni Sourani, ish-ambasador në Gjermani dhe në disa vende të tjera dhe drejtor politik në MPJ, një nga diplomatët më të shquar të Greqisë, një burrë fisnik dhe i kualifikuar).
Zoti Stilianidis, me të cilin takohesha për herë të parë, do të vlerësonte shumë marrëdhëniet me Shqipërinë dhe vizitën e pas pak ditëve të Kryeministrit Nano në Athinë. Edhe ai do të theksonte se “Kryeministri Karamanlis e ka konsideruar Shqipërinë si një partnere të rëndësishme strategjike në Rajonin tonë dhe në këtë kuadër, mbështetja jonë do të jetë parësore”. Më foli edhe për zhbllokimin e shpejtë të disa projekteve ekonomike e sidomos të atyre të bashkëpunimit ndërkufitar, që lidheshin me financime të palikuiduara plotësisht, sidomos në infrastrukturë. E falënderova z. Stilianidis dhe i përsërita të njëjtin vullnet tonin për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve.
Kryeministri Fatos Nano do të vinte në Athinë më 4 maj. Në delegacionin e tij ishte edhe ministri i Shtetit për Koordinimin, z. Marko Bello, deputetët Vangjel Dule dhe Ilir Zela dhe 3-4 vetë nga stafi i Kryeministrit. Do të kishte një prani të afro 20 gazetarëve të organeve të shtypit shqiptar dhe të disa kanaleve televizive. Por edhe një numër i madh biznesmenësh do të shoqëronin Kryeministrin.
Interesimi i shtypit grek për këtë vizitë ishte i dukshëm. Çdo gjë shihej se si pas 11 vitesh në pushtet të PASOK-ut, si do të ishte bashkëpunimi me Demokracinë e Re. Do të më telefononin disa gazeta për një opinion, por edhe për intervista me Kryeministrin Nano.
Një ditë më parë, më 3 maj, u botua në gazetën greke “Ethnos” (Kombi), në një faqe të plotë të saj, një intervistë që Kryeministri Nano i kishte dhënë në Tiranë gazetares së njohur, Irini Anastasopulu. Që në ballinë të faqes, gazetarja do të shkruante se “Kryeministri kërkon mbështetje më dinamike nga Athina në procesin e integrimit europian të vendit të tij”; “e cilëson z. Karamanlis si një politikan tepër modern”; “shpreh mendimin se Kosova duhet të bëhet e pavarur”; “konsideron obligim të vendit të vet mbështetjen e amerikanëve në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, ndërsa përsërit angazhimin e tij për Lojëra Olimpike të sigurta”. Pjesë nga intervista do të përcillnin edhe organe të shtypit, agjenci lajmesh dhe kanale televizive.
Në suitën e tij në hotel “Interkontinental”, ku ishte akomoduar delegacioni, Kryeministri do të më thërriste, bashkë me disa nga stafi i tij, për të diskutuar çështje të vizitës.
Përveç takimit me Kryeministrin Karamanlis, z. Nano do të kishte takime edhe me Presidentin e Republikës, z. Stefanopolous; me kryetaren e Parlamentit, zj. Ana Psaruda-Benaki; me ministrin e Mbrojtjes, z. Spiliotopulos; me ministrin e Punës dhe Mbrojtjes Sociale, z. Panos Panajotopulos; me ministrin e Turizmit, z. Avramopulous; me kryetaren e Bashkisë së Athinës, zj. Dora Bakojani; si dhe me liderin e opozitës, z. Jorgo Papandreu.
Do të organizohej edhe një takim masiv midis Lidhjes së Industrialistëve grekë (SEB) dhe biznesmenëve shqiptarë, një takim me bashkatdhetarët në hotel “Divani Caravel” dhe do të mbyllej me një takim në ambasadë me një grup intelektualësh shqiptarë dhe drejtues shoqatash. Ishte një program shumë i ngjeshur, duke i shtuar edhe takimet për intervista me gazeta greke e me gazeta shqiptare të Athinës.
Duke pirë një kafe në suitën e tij e duke shkëmbyer mendime rreth takimit të nesërm të parë me Kryeministrin Karamanlis, zoti Nano më drejtohet: “Hidhi një sy, shihe mirë tekstin e deklaratës për nesër, pas takimit (me Kryeministrin), shto ndonjë gjë e hiq çfarë mendon. E mora para se të nisem, i kam hedhur një sy përciptas”. I hodha një sy. Ishte një faqe e gjysmë. Ishte thjesht një draft. (Tani që po shkruaj këto rreshta, e kam përpara në tavolinë këtë draft).
Më tërhoqi vëmendjen një formulim, në paragrafin e tretë të tekstit, ku ?itej për “minoritetet tona si ura të çmuara miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve e popujve tanë fqinj”.
I them zotit Nano:
– Kështu është kjo apo ka ndonjë gabim?
– Dale ta shoh, – më drejtohet duke parë tekstin – Pse, çfarë ka, në rregull më duket.
– Jo, është tërësisht gabim, – i thashë, – emigrantët shqiptarë këtu nuk mund të quhen minoritet… Ka përcaktime të qarta për këtë juridikisht… dhe politikisht… Nuk e di kush e ka formuluar, por kjo nuk mund të lexohet kështu.
Zonja Nano dhe stafi i Kryeministrit po dëgjonin bisedën tonë.
Kryeministri mori celularin dhe i telefonoi dikujt në Tiranë.
– Në rregull është, – m’u drejtua pasi mbylli telefonin.
– Nuk është aspak në rregull, – iu përgjigja me bindje – Të lutem korrigjoje!
– Mirë, mirë, takohemi poshtë.
Dolëm me z. Isaku dhe bashkëpunëtorë të tjerë dhe zbritëm në holl. Do të takoheshim pas një ore me Kryeministrin për të shkuar për darkë.
Tek po pinim kafe, pas 20 minutash vjen në tavolinë një nga shoqëruesit e Kryeministrit dhe më thotë se më kërkonte Kryeministri.
– E pashë që po ngulje këmbë… OK Bashkim, jam dakord me ty, merre, korrigjoje, shto çfarë mendon dhe jepja Virgjilit (Muçit) ta shtypë edhe një herë. Jepi edhe një kopje Aldrinit (Dalipit -zëdhënës) Efaristo, herr Botschafer. Bëre mirë që ngule këmbë…
I kisha hedhur vetëm një sy shumë të shpejtë…
Tek po rregullonim në tekst, 3-4 vetë në një tavolinë të hollit të hotelit, Aldrin Dalipi, djalë shumë korrekt, serioz, i zgjuar dhe i qetë, do të thoshte:
– Unë nuk e kisha parë tekstin, por kjo tani ka pak rëndësi…
Bëre shumë mirë, shkëlqyeshëm (fjalën “shkëlqyeshëm” Aldrini e përdorte shpesh).
…Takimi midis dy kryeministrave ishte shumë i hapur dhe miqësor. Ata ishin takuar së bashku pak ditë më parë edhe në një veprimtari në Sarajevë. Që në fillim, Kryeministri Karamanlis do të vlerësonte praninë në delegacion të kryetarit të PBDNJ-së, z. Vangjel Dule, si “një politikan i ri që i shërben shumë forcimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve”. Kryeministri Karamanlis do të shprehte kënaqësinë për “marrëdhëniet shumë të mira midis të dy vendeve dhe se ato tashmë po ecin në një kuadër të qëndrueshëm dhe të konsoliduar në të gjitha fushat… Ne po ecim së bashku në kursin e duhur, me një dinamikë të paparë deri më tani, me shkëmbime të gjithanshme dhe me nënshkrime marrëveshjesh edhe në ato fusha që kishin mbetur të bllokuara deri 1 vit më parë… Unë e konsideroj nder dhe kënaqësi që takohem, pas zgjedhjes sime si kKryeministër, me Kryeministrin e Shqipërisë, si të parin homolog që pres në Athinë… Traktati i Fqinjësisë së mirë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë është një bazë solide për të ecur së bashku përpara… Ne kemi vullnetin e përbashkët politik për të përballuar sfidat e rëndësishme të së ardhmes, në kuadrin e Europës së Bashkuar… Ne do të punojmë së bashku me vështrimin drejt së ardhmes dhe jo të mbetemi mbërthyer tek e kaluara, siç dëshirojnë ata që nuk i duan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe miqësinë midis dy popujve… Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të një rëndësie strategjike… Shqipëria është për në një aleat strategjik dhe një partner shumë i rëndësishëm… Progresin që po shohim në çdo fushë, duhet ta thellojmë, t’i japim një dimensione dhe më të gjerë e më aktiv… Këtë unë e vlerësoj shumë si një qëndrim të qartë dhe europianist të qeverisë shqiptare…” Ai do të vlerësonte veçanërisht bashkëpunimin midis strukturave të sigurisë së dy vendeve e në këtë kuadër, të Lojërave Olimpike të afërta…
Gjatë bisedimeve u fol shumë hapur për rolin dhe peshën e minoritetit grek në Shqipëri, në çdo fushë. U vlerësua qëndrimi i qeverisë shqiptare në mbështetjen e gjithanshme të minoritetit, si një vëmendje e qartë, pa paragjykime, europianiste. Kryeministri Karamanlis do të shprehej se “…ne i kushtojmë rëndësi të veçantë problemeve të minoritetit grek që jeton në Shqipëri, të drejtave të tyre që burojnë nga konventat ndërkombëtare… Ne jemi të bindur se në Shqipëri integrimi i minoritetit në çdo aspekt është efektiv… Minoriteti grek në Shqipëri është një urë e fuqishme miqësie midis dy vendeve tona… Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut është pjesë e koalicionit qeveritar në Shqipëri dhe ky fakt tregon kontributin e minoritetit në jetën politike, shoqërore, sociale dhe ekonomike në Shqipëri… “Duke vlerësuar nismat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për arsimimin e nxënësve minoritarë në gjuhën amtare, si çeljen e shkollës ORSAKIO në Tiranë dhe shkollën Omiros (Homeri) që pritej të hapej në Korçë, Kryeministri Karamanlis i kërkoi Kryeministrit Nano mundësinë e shikimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor për shkollat në gjuhën greke. Kryeministri Karamanlis do të vlerësonte jashtëzakonisht praninë e emigrantëve shqiptarë në Greqi, si “njerëz shumë të mirë, punëtorë, të ndershëm, të zgjuar, që e duan popullin grek dhe miqësinë me të… Ne do të bëjmë në të ardhmen shumë më tepër për integrimin e bashkatdhetarëve tuaj… Ata kanë dhënë e japin një kontribut të çmuar jo vetëm në ekonominë greke, por edhe në zhvillimin e Shqipërisë… Ne do të vazhdojmë t’i kemi kufijtë ‘e hapur’ edhe për ata emigrantë që kanë dokumente të mangëta, për të vizituar familjet e tyre në atdhe… Unë gjej rastin të falënderoj emigrantët shqiptarë në Greqi e sidomos ata që punojnë në Athinë, për kontributin e tyre shumë të çmuar në ndërtimin e objekteve në kuadër të Lojërave Olimpike…” Kryeministri Karamanlis do të vlerësonte lart pozicionin e moderuar të qeverisë shqiptare në Rajon dhe në bashkëpunimin midis vendeve të Rajonit…
Kryeministri Nano, nga ana e tij, do t’i cilësonte marrëdhëniet midis të dy vendeve si “shumë të mira dhe me një dinamizëm të ri në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, mbështetur në vlerat europiane dhe që stimulon më tej procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE… Unë vlerësoj shumë mbështetjen që Greqia i jep Shqipërisë në zhvillimin ekonomik, teknik, ushtarake social… Unë çmoj shumë angazhimin e qeverisë greke për të integruar gjithnjë e më mirë komunitetin qindra-mijëra shqiptarë, që punojnë e jetojnë këtu… Ata ndjehen përherë e më mirë në shoqërinë greke… Lehtësitë e mëtejshme ligjore dhe administrative që u janë dhënë emigrantëve kohët e fundit, për legalizimin dhe normalizimin e qëndrimit të tyre, do të shërbenin edhe më shumë si një mbështetje për ta…”.
Kryeministri Nano do të vlerësonte shumë minoritetin grek në Shqipëri “për angazhimin dhe kontributin konstant në dobi të demokracisë në Shqipëri, të proceseve të saj integruese dhe të harmonisë shembullore midis shqiptarëve dhe minoritarëve… Ne do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur çdo detyrë ndaj minoritetit, në çdo drejtim… Ne këtë gjë e kemi parë shumë natyrshëm dhe për të drejtat e minoritetit nuk na lind shumë nevoja të sh?etojmë ligje e konventa ndërkombëtare… Për ne, minoriteti grek në Shqipëri është jo vetëm shumë i rëndësishëm, por edhe pjesë përbërëse, aktive, e të gjitha zhvillimeve tona… Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë ura të çmuara miqësie dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona dhe popujve tanë fqinj e miq”. Kryeministri Nano do të ngrinte në këtë takim edhe nevojën e zgjidhjes së disa çështjeve të mbetura pezull nga e kaluara historike, si çështja e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi… (Do të fillonin shumë shpejt pas kësaj konsultimet e përbashkëta në nivel ekspertësh për implementimin e detyrimeve që rridhnin nga Traktati i Fqinjësisë së mirë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë midis të dy vendeve. Ambasadori Mallias do të vinte ato ditë në krye të një grupi ekspertësh për bisedime në Tiranë).
Kryeministri Nano do të ndalej edhe në “absurdin e “Ligjit të Luftës”, që nuk ka penguar në asnjë drejtim zhvillimin e shkëlqyer të marrëdhënieve, por që, si relikte e së kaluarës, ka ardhur koha që të abrogohet. Ne do të përshëndesnim çdo iniciativë në këtë drejtim nga pikëpamja formale-juridike… për t’i kthyer marrëdhëniet midis dy vendeve në model për Ballkanin dhe më gjerë. Kjo do t’i jepte përfundimisht një përgjigje edhe qarqeve apo elementeve ekstremistë nga të dyja palët për të nxitur ndjenja nacionalizmi, armiqësie e përplasjesh e për të inskenuar situata të pavërteta e të paqena…” Kryeministri Karamanlis do të reagonte duke thënë se “e mirëkuptoj shqetësimin tuaj që vjen nga një opinion i mbarsur me ndjenja të së kaluarës. Ne e kemi përballuar me realizëm këtë… Nuk ka gjendje lufte midis nesh, midis Greqisë dhe Shqipërisë, midis popullit grek dhe popullit shqiptar. Me Traktatin e Fqinjësisë, me bashkëpunimin shumë të gjerë që kemi, përfshi edhe atë në fushën ushtarake, me mbështetjen që i japim Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO… nuk mund të themi se jemi në gjendje lufte…”
Kryeministri Nano do të theksonte se “zhvillimi i Lojërave Olimpike në Athinë përbën edhe për ne një sfidë, si fqinj, si miq, si partnerë dhe suksesi i plotë i tyre është një sukses edhe për ne, për Rajonin tonë, por edhe më gjerë”. Ai do t’i referohej masave të marra nga Ministria jonë e Rendit, nga Shërbimi Sekret, nga Ministria e Mbrojtjes dhe strukturave të tjera për kontrollin më të mirë të kufijve, të shkëmbimit të informacionit të luftës kundër krimit të organizuar, të evidentimit të elementëve potencialisht kriminelë etj.. Për këtë ishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi vetëm pak kohë më parë midis dy ministrive të Rendit.
Të dy kryeministrat do të diskutonin me vëmendjen e duhur edhe probleme të bashkëpunimit ekonomik, social, kulturor, arsimor, ushtarak etj., etj. dhe do të ndaleshin në nevojën e implementimit sa më shpejt të projekteve të përbashkëta në këto fusha.
Në fund të takimit, të dy kryeministrat bënë, në prani të një numri shumë të madh të përfaqësuesve të shtypit grek dhe atij shqiptar, nga një deklaratë shtypi (nga shtypi i Tiranës do të ishin 21 gazetarë të mediave dhe kanaleve të ndryshme televizive, pa folur për gazetarët shqiptarë në Athinë që mbulonin media të ndryshme). Shtypi do të vlerësonte shumë gjuhën europianiste dhe vullnetin e palëkundur politik për të ecur përpara në forcimin e marrëdhënieve, për të qenë vërtet model në Rajon. Ato do të cilësoheshin si marrëdhënie të partneritetit strategjik nga të dy kryeministrat… Kryeministrit Nano do t’i vlerësohej shumë deklarimi i tij në konferencën e shtypit me Kryeministrin Karamanlis kur theksonte se “…ndër vendet e tjera të Rajonit, Shqipëria ka fatin e madh të ketë dy fqinj anëtarë e aleatë strategjikë në strukturat euroatlantike, Greqinë dhe Italinë, çka përbën një garanci për të ardhmen e sigurt dhe të pakthyeshme të vendit tonë në Europë”.
/Panorama/