Qendra e Parisit u shndërrua sot në një zonë lufte, ndërsa protestuesit e maskuar vodhën një pushkë nga policia, u përleshën me të dhe i vunë zjarrin makinave dhe pemëve të Krishtlindjeve në Champs-Elysees, në formë proteste kundër qeverisë franceze.
Zjarret dhe retë e gazit lotsjellës mbuluan kryeqytetin francez nga mëngjesi i hershëm deri në vonë në darkë , në një nga demostratat më të dhunshme të para ndonjëherë në kryeqytetin francez.
Në protestë ishin të pranishëm më shumë se 5.000 demonstrues, duke sjellë një kaos të madh në Paris për javën e dytë. Presidenti francez, Emmanuel Macron nga ana tjetër paralajmëroi protestuesit se do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre’.
Macron tha se demonstrimet e sotme të cilat lanë dhjetëra të plagosur dhe qindra të arrestuar ‘nuk kanë të bëjnë aspak me shprehjen paqësore të një zemërimi të ligjshëm’. Ai shtoi se ‘asnjë arsye nuk justifikon sulmin ndaj policisë apo plaçkitjes së dyqaneve dhe goditjes së ndërtesave’.
Macron u shpreh se do të zhvillojë një takim urgjent të qeverisë të dielën. Reagimi i tij erdhi nga samiti i G20-ës që po mbahet në Buenos Aires, Argjentinë, raporton Daily Mail.