Krerët më të lartë të shtetit zhvilluan dje homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë në nderim të të rënëve gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në një ceremoni strikte nga protokolli i shtetit, krerët e vendit vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nëna Shqipëri”.
CEREMONIA
Sjellja e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri duket se nuk është kaluar lehtë nga përfaqësuesit e Partisë Komuniste. Para se të niste ceremonia zyrtare, forcat e Gardës së Republikës nuk lejuan komunistët që të futeshin te Varrezat e Dëshmorëve me fotografi të ish-diktatorit Ever Hoxha dhe me mbishkrime pro ish-regjimit. Në hyrje të Varrezave ishte vendosur një kordon i forcave të Gardës, të cilët kontrollonim imtësisht çdo person që futej brenda në varreza.
I pari nga krerët e institucioneve kryesore që u paraqit në ceremoni ishte Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili përpikërinë e treguar vitin e fundit në drejtimin e seancave plenare e tregoi edhe ditën e djeshme. Pesë minuta më pas, në 10:00, në Varrezat e Dëshmorëve mbërriti Presidenti Ilir Meta, i cili qëndroi për disa minuta nën shoqërinë e Ruçit dhe të Veliajt në pritje të Kryeministrit Rama në mënyrë që të niste ceremonia zyrtare. Ceremonia ishte planifikuar të fillonte në orën 10:00, por nisi pesë minuta me vonesë për shkak se Kryeministri nuk u paraqit në kohë. Pasi bënë homazhe dhe u dëgjua himni kombëtar, Rama, Meta dhe Ruçi u larguan. Ditën e djeshme mungoi dorështrëngimi ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit, si para fillimit të ceremonisë ashtu edhe në mbyllje të saj. Dorën Meta e shtrëngoi vetëm me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili i qëndroi pranë për ta përshëndetur.
AMBASADORËT
Pas ceremonisë së politikanëve, nderime për datën e çlirimit bëri trupa diplomatike e akredituar në Tiranë. Ambasadorët e akredituar në Tiranë, që nga ato të vendeve të Europës e deri tek ato të Azisë, si ambasadorja Kineze dhe ambasadori i Japonisë, zhvilluan homazhe pranë memorialit “Nëna Shqipëri”. Por nderimi që i bënë të huajt datës së çlirimit nuk u kthye me të njëjtën monedhë nga ana e politikës shqiptare. Gjatë zhvillimit të ceremonisë së diplomatëve nuk ishte asnjë përfaqësues i Ministrisë së Jashtme për t’i pritur apo për t’i përcjellë ato dhe në fund, ambasadorët mbetën duke përshëndetur njëri-tjetrin. I vetmi që i takoi ishte Presidenti Ilir Meta dhe më pas me ta qëndroi vetëm shefi i protokollit shtetëror.
KOMUNISTËT
Rikthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri nuk është kaluar lehtë nga ana e komunistëve. Ata pritën për një orë e 30 minuta derisa t’u lejohej hyrja brenda Varrezave të Dëshmorëve.
Me të mbërritur te memoriali, ata mbajtën në duar fotografi të ish-diktatorit Enver Hoxha, fotografi të cilën e vendosën edhe te memoriali. Ndër parullat që mbanin në duar ishte edhe “Poshtë qeveria neoballiste e Edi Ramës”, që lidhej direkt me rikthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Këtë qëndrim ata e mbajtën edhe publikisht, ku duke lexuar një deklaratë, ata shprehën: “Nuk ka forcë në botë që mund të rehabilitojë tradhtarët e Ballit Kombëtar. Poshtë qeveria nebolliste e Edi Ramës”.