Banka e Shqipërisë ka çuar normën bazë në një minimum tjetër historik, në një përpjekje të “dëshpëruar” për të nxitur ekonominë e sëmurë.
Por, bankierët janë skeptikë nëse do të funksionojë mjedisi me interesa të ulëta. Fitimi i bankave bie ndjeshëm në tremujorin e parë, ndërsa huat me probleme u rritën, çka do t’i bëjë bankierët edhe më të kujdesshëm…
Për z. Genti Sejko, dalja e fundit publike, ishte më e drejtpërdrejta dhe më paralajmëruesja, që kur mori detyrën si guvernator i Bankës së Shqipërisë. Pasi njoftoi uljen e normës bazë në një nivel rekord prej 1.25%, për të dytën herë radhazi (veprim që banka rrallë e ka bërë), Sejko tha se “Informacioni i ri ekonomik dhe monetar i muajve të fundit ka qenë përgjithësisht në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Rritja ekonomike e tremujorit të katërt të vitit 2015 rezultoi disi më e ulët se parashikimi, ndërsa inflacioni i tremujorit të parë të vitit 2016 shënoi rënie të fortë dhe të papritur si pasojë e goditjeve të ofertës”.
Deklarata e guvernatorit vjen teksa zyrtarë të qeverisë refuzojnë të pranojnë se ekonomia po ecën më dobët se parashikimi, duke e quajtur këtë thjesht një “perceptim”.
Kjo është hera e 16-të që Banka e Shqipërisë ka ulur normën bazë, që nga shtatori 2011, kur filloi politikën e lehtësimit monetar, që vitet e fundit ka qenë mjaft agresive. Megjithatë, efektet në nxitjen e kreditimit kanë qenë minimale. Në mars 2016, me bazë vjetore, kredia për ekonominë ka rënë me 2%, e nxitur dhe nga vala e fshirjes së kredive të humbura. Kreditë e këqija në kahun tjetër, iu rikthyen sërish rritjes, duke u ngjitur në gati 19% në fund të tremujorit të parë, pasi kishin zbritur nën 18% në dhjetor 2015.
Politika lehtësuese ka nxitur ndërkohë daljen e kursimeve me afat nga bankat. Në mars, depozitat me afat të individëve në lekë ranë me 1.7 miliardë lekë, ndërsa me bazë vjetore janë tkurrur me 10%. Kjo nuk ka ndikuar në rritjen e konsumit, që në 2015-n ishte negativ për herë të parë që nga viti 1998.
Këto janë sinjale të qarta, se megjithëse Banka e Shqipërisë po bën maksimumin në sulmin e saj për të shpëtuar ekonominë, ajo nuk mund t’ia dalë e vetme.
Sejko ka qenë i drejtpërdrejtë edhe në mesazhin që ka dhënë për qeverinë. “Politika monetare lehtësuese është një parakusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për gjenerimin e një rritjeje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme ekonomike. Kjo politikë duhet të shoqërohet me forcimin e ritmit të reformave strukturore në ekonomi, si dhe me përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e primeve – aktuale apo të perceptuara – të rrezikut në ekonomi”.
Bankierët, të shqetësuar për mjedisin me interesa të ulëta
Pas vërshimit të parave të lira në tremujorin e katërt te Banka Qendrore, kjo e fundit vendosi të mbyllë edhe këtë rubinet të të ardhurave, duke e bërë normën negative të euros në -0.55%, si një mjet “presioni” që bankat të përqendrohen në kreditimin e ekonomisë. Të gjendur përballë kësaj situate dhe sinjaleve për një vazhdim të politikës lehtësuese monetare, bankierët pohuan në fillim të vitit për “Monitor” se kjo nuk do t’i nxisë të japin kredi, për sa kohë që mjedisi mbështetës nuk do të jetë pozitiv. Tremujori i parë e konfirmoi këtë pritshmëri të tyre. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ndonëse aktivet e sistemit u rritën me 9.7 miliardë lekë në tre muajt e parë të vitit, në raport me fundin e 2015-s, bankat i investuan paratë e lira në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.
Po si pritet të reagojnë bankat. Disa janë alternativat e parashtruara. Së pari, ata do të vazhdojnë të dekurajojnë depozitat e reja, duke ofruar normë të ulët kthimi. Sidomos bankat e mëdha mund ta përballojnë një lëvizje të tillë. Së dyti, nuk është çudi, që në kërkim të normave të kthimit më të larta, bankat të tentojnë rritjen e normave të interesit të kredive. Ndërsa rritja e kreditimit nuk është aspak e garantuar, për sa kohë që janë faktorë të tjerë, përveç normave të interesit, që ndikojnë në kërkesën e ulët të bizneseve e individëve. “Nuk kam parë asnjëherë një sipërmarrës që nis një plan investimi vetëm për shkak të normave të interesit. Niveli i normave të interesit është vetëm një element që ndikon në procesin vendimmarrës të planit të biznesit. Elementët e tjerë janë: pritshmëritë e tregut, besimi, parashikueshmëria, drejtësia e sistemit gjyqësor dhe në këtë këndvështrim, unë shikoj shumë pika problematike”, ka pohuar z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtar Bordi i Intesa Sanpaolo.
Për z. Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), “rënia e mprehtë në normat e interesit në lekë mund të përkeqësojë diferencën e interesit të bankave dhe të ushtrojë presion mbi përfitueshmërinë e bankave. Kombinimi i rritjes së ulët ekonomike së bashku me normat shumë të ulëta të interesit mund të jetë një dhembje koke për sistemin shqiptar financiar dhe ekonominë, duke qenë se normat e ulëta të interesit nuk garantojnë domosdoshmërisht më shumë kreditim për ekonominë, siç po dëshmohet sot në Bashkimin Monetar Europian”.
Z. Pedrazzi shton se “për sistemin bankar, ka një problem me uljen e normave të interesit, në këndvështrimin që ky është një kërcënim që biznesi të jetë i qëndrueshëm. Në rast se rënia e ndjeshme e të ardhurave nga reduktimi i normave të interesit nuk do të kompensohet nga një eficencë më e madhe për sa i përket menaxhimit të kostove dhe cilësisë së portofolit të huas, kjo mund të ketë ndikim negativ”.
Fitimi i bankave bie ndjeshëm
Fitimi i sistemit bankar ka shënuar rënie të ndjeshme me 75% në tremujorin e parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, që raporton me standardet lokale, sistemi rezultoi me një fitim prej 1.4 miliardë lekësh për janar-mars 2016, nga 5.86 miliardë lekë në tre muajt e parë të 2015-s.
Rënia e të ardhurave nga interesat dhe veprimtaritë e tjera dhe rritja e ndjeshme e shpenzimeve për provigjione ishin arsyet kryesore që ndikuan në këtë tendencë. Të ardhurat nga interesat u ulën lehtë, ndërsa të ardhurat nga veprimtaritë e tjera ishin -61 milionë lekë, nga 1.1 miliardë lekë në tremujorin e parë 2015.
Ndërsa shpenzimet për provigjione u rritën në 2.86 miliardë lekë, ndërkohë që në janar-mars 2015 kishin qenë negative. Tremujori i parë shënoi dhe një rritje të kredive me probleme, pas uljes së tyre në fund të 2015-s, çka i detyroi bankat të kalojnë një pjesë të fondeve si shpenzime për të mbuluar kreditë e këqija në formën e provigjioneve.
Kreditë me probleme rriten sërish
Treguesi i kredive me probleme ka shënuar rritje të fortë në tremujorin e parë të vitit, duke arritur në 18.9% në fund të marsit, duke qenë 1.2 pikë përqindjeje më i lartë se në fund të vitit 2015, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.
Ky përkeqësim vjen, pasi në fund të vitit 2015, huat me probleme kishin njohur rënie të fortë, në 17.7% (niveli më i ulët që nga tremujori i dytë 2011), kryesisht si rrjedhojë e fshirjes së huave të humbura nga bilancet e bankave.
Të dhënat tregojnë se të gjitha kategoritë e klasifikimit si hua e keqe (nënstandarde, të dyshimta, të humbura) kanë shënuar rritje në tremujorin e parë.
Me ngadalësimin e rritjes ekonomike, uljen e konsumit, shfrytëzimin e kapaciteteve të bizneseve nën mesataren dhe nivelin e ulët të kredisë së re, reduktimi i treguesit të huas me probleme duket një mision i vështirë. Po ashtu, edhe rritja e kreditimit të ekonomisë. Monitor