Policia e Vlorës ka shoqëruar 12 persona deri më tani për atentatin e ndodhur dy ditë më parë ndaj biznesmenit 48- vjeçar Agron Alushi.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, makina e tij shpërtheu në ecje, pasi u aktivizua në mënyrë të telekomanduar një sasi lënde eksplozive e llojit tritol. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se sasia e lëndës së aktivizuar nuk ka qenë e madhe, por gjithsesi kjo nuk është përcaktuese nëse autorët kanë dashur ta eliminojnë biznesmenin Alushi apo vetëm sa ta kërcënojnë atë. Të shoqëruarit mësohet se janë kryesisht dëshmitarë në vendin e ngjarjes, por edhe persona që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes. Por, pasi janë marrë në pyetje, personat e shoqëruar janë lënë të lirë.
HETIMET
Grupi i hetimit po verifikon të dhëna e informacione të ndryshme, të cilat mund të çojnë drejt zbulimit të shkaqeve të atentatit dhe identifikimit të autorëve të saj. Nga hetimi i deritanishëm, grupi hetimor është përqendruar në një pistë të re, që ka të bëjë me një ndërtim që kishte në proces 48-vjeçari, i cili prej shumë vitesh ka jetuar dhe punuar në Angli. Sipas të dhënave, biznesmeni Agron Alushi është në hapat e parë për ngritjen e një pallati në qytetin e Vlorës.
Aktualisht, rezulton se ai e kishte marrë lejen për punimet dhe sapo kishte nisur puna për hapjen e gropës për pallatin disakatësh. Blutë nuk konfirmojnë se ku do të ndërtohej pallati, nëse është në afërsi të zonës së Ujit të Ftohtë apo në lagjet brenda qytetit të Vlorës. Nisur nga kjo e dhënë e re e hetimit, nuk përjashtohet dyshimi se ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në zonën e Transballkanikes ka lidhje pikërisht me ndonjë konflikt të mundshëm të tij për këtë ndërtim, këtu nuk përjashtohen dyshimet e konflikteve të mundshme me pronarët e truallit apo konkurrenca e mundshme me persona të tjerë që kanë synuar ndërtimin në të njëjtin vend.
Gjithsesi, kjo pistë është duke u hetuar dhe ende nuk ka të dyshuar konkretë në lidhje me ngjarjen. Policia e Vlorës bëri të ditur se 48-vjeçari nuk rezulton person me precedentë penale as në vendin tonë dhe as jashtë kufijve, por gjithsesi po hetohet ndonjë konflikt i mundshëm i tij jashtë vendit, aty ku edhe ka jetuar për disa vite. Ndërkaq, hetimorët nuk përjashtojnë ende dy pistat që u ngritën menjëherë pas ngjarjes, ku mbeti i plagosur rëndë Alushi. Njëra ka të bëjë me aktivitetin e 48-vjeçarit me një gurore në Drashovicë të Vlorës.
Dyshohet, se ai mund të ketë pasur konflikte me persona të tjerë për shkak të konkurrencës, apo edhe për shkak të ushtrimit të aktivitetit të tij në këtë fshat. Një tjetër pistë lidhet me faktin se motra e tij, Loreta Tozaj (Alushi), ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Hipotekës së Vlorës në vitin 2014. Ajo u shkarkua një vit më pas nga ministri i asaj kohe, Nasip Naço, për mangësi në shërbim të qytetarëve.
SHENJESTRA
Mënyra e ngjarjes ndodhur pasditen e së premtes, rreth orës 16:35, sipas Policisë, ngre dyshime se 48- vjeçari ka qenë nën vëzhgim nga afër. Sapo makina ka dalë nga lavazhi, ata kanë aktivizuar minën me telekomandë, çka i shkaktoi plagë të rënda. Nga shpërthimi i tritolit, 48-vjeçari ka marrë dëmtime në të gjithë trupin, por më të prekura janë dy gjymtyrët e poshtme të tij. Pas ndihmës mjekësore të marrë në Spitalin Rajonal të Vlorës, mësohet se ai është dërguar drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar. Për shkak të gjendjes ende të pastabilizuar, ai ende nuk është marrë në pyetje nga Policia.
Shpërthimet që tronditën Vlorën, dy janë vrarë
Shpërthimi ndodhi të premten rreth orës 16:35 në rrugën “Transballkanike”, në momentin kur biznesmeni sapo kishte hipur në makinën e tij tip “Benz” me targë AA 703 NG, që është në pronësi të Agron Alushit. Ai e kishte lënë automjetin e tij për ta larë në një pikë lavazhi. Pasi ka paguar lekët dhe ka hipur në automjet për t’u larguar, ka ndodhur shpërthimi vetëm pak metra larg lavazhit, pranë një pike karburanti, teksa ishte në ecje. Shpërthimi ka ndodhur në një zonë të banuar, duke shkaktuar panik te qytetarët. Qyteti i Vlorës është bërë disa herë objekt i atentateve me lëndë plasëse, teksa mjetet kanë qenë në ecje, duke shënuar edhe viktima. Dy ngjarjet më të rënda janë ajo e vrasjes nëpërmjet shpërthimit të telekomanduar të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në vitin 2011 dhe atentati në Transballkanike ndaj biznesmenit Isuf Brahimaj, i cili mbeti i vdekur dhe u plagos një 19-vjeçare që ndodhej me të. Ndërsa djali i një biznesmeni i shpëtoi mrekullisht vitin e kaluar shpërthimit në ecje të mjetit të tij.