Nga Boldnews.al
Alfred Peza, ish-deputet dhe tashmë analisto-sekretaro mediatik i Partisë Socialiste shpallet përfundimisht i pafajshëm, në procesin gjyqësor në të cilin akuzohej për krijimin e 1 milion eurove në mënyrë të habitshme.
Në 14 shtator 2018, Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm Alfred Pezën ndaj akuzës së ngritur nga Prokuroria e Tiranës për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Pas këtij vendimi, prokuroria, pavarësisht se ishte e bindur në fajësinë e tij, duke kërkuar edhe dënimin e ish-deputetit, vendos të mos e ankimojë në Gjykatën e Apelit.
Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, vendimet e gjykatës ankimohen brenda 10 ditëve nga shpallja e tij. Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vendimi për pafajësinë e Alfred Pezës, Prokuroria e Tiranës nuk e ka ankimuar vendimin e pafajësisë. Burime të “Boldnews.al” në Gjykatën e Tiranës konfirmuan se prokuroria nuk ka dorëzuar ankim për vendimin e pafajësisë së Alfred Pezës, duke i dhënë kështu mundësi ish-deputetit socialist që të mos ketë më probleme me drejtësinë penale.
Hetimi për Alfred Pezën filloi në vitin 2017, kohë kur ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Prokuroria mori shkas për nisjen e hetimit ndaj tij, pasi në media u publikuan të dhëna, sipas të cilave, bashkëshortja e deputetit Peza bleu 1 përqind të aksioneve të një banke të nivelit të dytë, në vlerën e mbi 1 milion eurove.
Hetimet u kryen fillimisht nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila në atë kohë ishte kompetente për ndjekjen penale të zyrtarëve me funksion deputet. Ai akuzohej nga institucioni qëndror i Akuzës për tre vepra penale: “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” dhe “Fshehje dhe mosdeklarim i pasurisë”. Në kuadër të këtij hetimi, gjykata vendosi fillimisht edhe sekuestrimin e pasurisë së deputetit Peza dhe bashkëshortes së tij.
Ky hetim i nisur ndaj Pezës mendohet të jetë shkaku që ai nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e vitit 2017. Në vijim, për shkak të ndryshimeve ligjore, në kuadër të Reformës në Drejtësi, procesi gjyqësor ndaj Pezës kaloi në disa gjykata, të cilat shqyrtuan se cila do të ishte kompetente për të shqyrtuar akuzat e Prokurorisë.
Në përfundim, u vendos që kompetente për hetimin dhe gjykimin e Alfred Pezës do të ishin gjykata dhe Prokuroria e Tiranës. Në korrik 2018, në kohë kur prokuroria tashmë drejtohej nga Arta Marku, paraqitet në gjykatë vetëm me një akuzë ndaj ish-deputetit milioner-atë të “deklarimit të rremë të pasurisë”, duke rrëzuar hetimet e kryera nga Prokuroria e Përgjithshme për dy veprat e tjera-“Fshehje të të ardhurave” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
Ky ishte tolerimi i parë që prokuroria e Arta Markut i bëri ish-deputetit, i cili, në verën e vitit 2018, kohë kur filloi procesi gjyqësor ndaj tij, po bënte përpjekjet për t’u rikthyer sërish në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.
Me akuza të reduktuara në minimum, prokuroria i dha mundësinë gjykatës që të shpallte të pafajshëm Alfred Pezën. Pas këtij vendimi, Prokuroria e Arta Markut nuk e konsideroi aspak të arsyeshme që të vijonte betejën ligjore në Gjykatën e Apelit kundër Alfred Pezës.
Pak ditë pasi u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës, Alfred Peza zgjidhet Sekretar për Marrëdhëniet me Median në Partinë Socialiste. Me një vendim pafajësie në xhep, i cili tashmë është bërë përfundimtar për shkak të tolerancës së Prokurorisë që nuk e apeloi, Peza tashmë është i lirë që të shijojë 1 milion eurot, si edhe të japë mend në studio televizive për reformat madhore e për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.