Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi e cilësoi buxhetin për arsimin në Shqipëri nën nivelin më të ulët të investimeve në Europë.
Në një konferencë për mediat, Boçi tha premtimi i rritjes në 5% të buxhetit arsimor është hedhur në koshin e plehrave si shumë premtime të tjera të kryeministrit Edi Rama. Deputeti demokrat u shpreh më tutje se niveli aktual i financimit nuk siguron as arsim cilësor për fëmijët e të rinjtë shqiptarë. Këta të fundit, sipas Boçit, janë të detyruar të paguajnë para shtesë nga xhepat e tyre dhe buxhetet familjare.
Boçi tha se buxheti 2019, i cili është parashikuar vetëm 70 milionë dollarë, nuk i lehtëson problemet e shumta që lidhen me pozitën e pagat e mësuesve dhe as nuk zgjidh problemet e nxënësve, shkollave, laboratorëve, bibliotekave, mjeteve didaktike, klasave kolektive dhe të transportit.
“Në Buxhetin 2019 nuk ka asnjë perpjekje për të kthyer në shkollë 134 mijë fëmijët dhe të rinjtë që e kanë braktisur atë vitet e fundit. Sipas statistikave zyrtare, sivjet rezultojnë se janë mbyllur rreth 228 shkolla të sistemit parauniversitar”, u shpreh më tutje ai.
Deputeti e konsideroi shumën e buxhetit të arsimit si qesharake dhe diskriminuese, e që sipas tij nuk mundëson dot as zgjidhje financuese për të mundësuar aplikimin e kredisë studentore. Boçi përmendi edhe pjesën që i dedikohet rinisë dhe sportit.
5 milionë dollarë gjithsej jep qeveria jonë, për pasurinë më të madhe njerëzore të një vendi, rininë. Pra thjesht 0.03% e PBB, të cilat jo vetëm nuk arrijnë të ndalin eksodin masiv të të rinjve, 79% e të cilëve kërkojnë të largohen nga sytë këmbët nga ky vend, por nuk mjaftojnë as për mbajtjen në këmbë të agjencive rinore e jo më të ezaurojnë meritën shpërblyese për sportistët elitarë
Luciano Boçi, deputet i PD-së
Në fund, deputeti demokrat shpalosi vizionin e forcës së tij politike përkundrejt gjendjes aktuale, duke thënë se PD do të sigurojë: mbështetje totale financuese për arsimim, ndërtim të një infrastrukture moderne dhe instalim të një procesi mësimor tërësisht evropian, libra falas për të gjithë fëmijët e ciklit parauniversitar, mbështetje për fëmijët e familjeve në nevojë, shërbim psiko-social të standardizuar, siguri dhe jetë normale shkollore.