Kreu i PD, Lulzim Basha ka treguar në studion e “360 gradë” me Artur Zhejin se përse dështoi marrëveshja e 17 majit me kryeministrin Rama.
Denis Dyrnjaja: Çfarë është biseduar në tryezën 5 orësh më Edi Ramën?Lulzim Basha: Marrëveshja e 17 majit ishte marrëveshje për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në kushtet kur u gjendëm pas protestës 90 ditore, ne nuk arritëm të largojmë Ramën si kryeministër dhe pamë për një zgjidhje për të shmangur konfliktin civil dhe të garantonim zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo ishte qëllimi i vetëm i marrëveshjes së 17 majit. Pse e konsideroj të dështuar? Sepse qëllimi i vetëm i kësaj marrëveshje që të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk u realizua. Ne patëm shit-blerje masive të votës që detyroi OSBE/ODIHR që në raportin e vet përfundimtar të konsideronte numrin 1 të problemit të zgjedhjeve në Shqipëri. Kemi raportin e ministrave teknike.
Denis Dyrnjaja: 5 orë keni ndenjur vetëm për këtë?
Lulzim Basha: Padyshim që po, sepse unë kisha interesat e mia për të dalë nga ajo sallë me një marrëveshje më të favorshme.
Denis Dyrnjaja: Dhe çfarë kushtesh ju premtoi Edi Rama?
Lulzim Basha: Ato që u bënë publike, ajo ishte maksimumi që mund të arrinim. Mungesa e vullnetit politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ishte evidente, çfarëdo që të kishim arritur ky ndërkohë e kishte ndërsa mendjen. Bandat po shpërndanin lekë. Tani nuk është PD apo OSBE që e thotë këtë. Janë përgjimet zyrtare të prokurorisë që tregojnë si bandat kriminale të vendit funksionin si banda elektorale të PS.
“Sandër Lleshi nuk jep siguri”
Basha ka folur lidhur me debatin e javëve të fundit për dekretin e Sandër Lleshit. Basha është shprehur se Lleshi është një vartës i Ramës dhe propozimi i tij dhe vendosja në këtë post, tregon kapjen totale të Ministrisë së Brendshme nga Edi Rama.
Ndër të tjera Lulzim Basha tha se Lleshi nuk i jep siguri vendit, pasi sipas kreut të opozitës, në këto 5 vite ka shërbyer si këshilltar i Ramës për sigurinë, ndërsa vendi është “zhytur në krim dhe në drogë”.
“Ajo që po paralajmëroj sot është që emërimi apo jo i Lleshit, përfaqëson shkallën më të fortë të kontrollit dhe kapjes së Ministrisë së Brendshme nga Rama. Në këtë fazë i duhet më shumë për të mbyllur dosjet e hapura të Tahirit, Xhafajt apo të çështjeve të tjera që ka. Ministria e Brendshme është kontrolluar nga Rama dhe dërgimi i një vartësi të tij është akti i fundit që zbulon domosdoshmërinë që Rama ka për të kontrolluar këtë ministri. Në kuptimin politik është rënia e Ministrisë së Brendshme totalisht në dorë të Ramës për të mbrojtur veten, familjen dhe aleatët e tij“, u shpreh Basha.