Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një tubim me të rinjtë e AAK-së në Bogë, ka deklaruar se pavarësisht marrëveshjes, Serbia po e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Njëherësh, korrigjimin e kufijve, demarkimin dhe idenë e shkëmbimit të territoreve, Haradinaj i ka quajtur maskime për ndarjen e Kosovës.
“Unë nuk besoj në një marrëveshje me korrigjim të kufijve, me demarkim, me ndërrim të territoreve, krejt janë maskime për ndarjen e Kosovës. Të gjitha këto janë maskime që atje në anën tjetër, shefi i shtetit të vet të thotë ‘unë kam nxjerrë diçka, po e pranojmë Kosovën, edhe nëse thonë po e pranojnë sot, se ata s’po i respektojnë marrëveshjet e veta, nuk ta respekton. Edhe kur të shkosh në Këshill të Sigurimit, prapë do t’i thotë Rusisë apo dikujt, bllokojeni Kosovën. Pse atëherë ne të shkojmë kah ajo rrugë. Jo, po konsilidohemi, po bëhemi shtet, po e njohim veten më shumë, po bëhemi të zot”, ka thënë Haradinaj.
E demarkacionin me Malin e zi, Haradinaj e quajti korrigjim të marrëveshjes e jo të kufijve. Ai po ashtu tha se është i interesuar të ketë marrëdhënie të mira me Malin e Zi, e për këtë njoftoi që e ka ftuar kryeministrin malazez në kullat e tij në Gllogjan.
“Nuk jemi duke korrigjuar kufij, marrëveshje po korrigjojmë, sepse është bërë një marrëveshje gabim për kufirin Mali i Zi – Kosovë. Kufiri është në Qakorr, kufiri është në kullë, është bërë gabim në marrëveshje, e ata kanë ra dakord në dy drejtime, këtu falënderoj edhe presidentin Thaçi për kujdesin e tij në atë kohë, kryetarin Veseli edhe secilin që na ka ndihmuar të kryhet kjo marrëveshje. E kemi kryer demarkimin, me kryerjen e demarkimin janë arritur kushtet për liberalizim”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj foli edhe për ushtrinë e Kosovës, për të cilën tha se nuk e zëvendëson NATO-n, as KFOR-in, por është mandat mbrojtës i Kosovës.
Ai po ashtu tha se kjo ushtri garanton të drejtën e Kosovës për mbrojtje dhe se të rinjtë e Kosovës, përmes ushtrisë do ta kenë mundësi të kontribuojnë edhe për paqen në botë.
“Kë e rrezikon e drejta e Kosovës në ushtri, në mandat, askënd. Pra është vetëm plotësim i një vakumi, i një të drejte të munguar. Pse për ju të rinjët është me rëndësi ushtria, jo vetëm që mund të bëheni ushtarë, por për shkak se do të kualifikoheni me qenë shtetas të shtetit tuaj ashtu siç është një shtetas i Maqedonisë, i Shqipërisë, i Malit të zi, i Serbisë e i kujtdo tjetër”, ka thënë Haradinaj.
Lidhur me qeverisjen, Hardinaj tha se ajo duhet të zbatohet, e jo vetëm të bëhen politika. Ai tha se qeveria e tij ka për fokus rendin, ligjin dhe sigurinë në Kosovë.
“Puna e parë që është dashur ta kryejmë, është dashtë edhe njëherë t’i vie era shtet Kosovës, rend, ligj dhe siguri. Çka nënkupton kjo? Një shtet që s’ka gjyqësor, njerëzit nuk besojnë se nëse diçka e tij përfundon në gjykatë e s’ka kush e ndan të drejtën, atëherë e kemi punën keq, nuk të beson as investitori i huaj. Ju e dini, gjyqtarët e Kosovës, sot i kanë pagat dy mijë euro”, ka thënë Haradinaj.
Gjatë këtij takimi Haradinaj po ashtu potencoi çështjen e ambientit. Ai tha se ata qytetarë që gjuajnë bërllog do të dënohen, e paratë e fituara nga gjobat, Haradinaj tha se do t’i shkojnë policisë për t’i stimuluar, raporton kp.