Nga Boldnews.al
Presidenti Ilir Meta është kthyer në protagonist kryesor politik në vend, me mosdekretimin e gjeneral Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm. Në këtë mënyrë mbetet ende në krye të detyrës Fatmir Xhafaj dhe jo rastësisht kjo zgjedhje e kreut të shtetit.Më shumë se “mosbindje” për figurën e Lleshit, Meta është “lojë shahu” me Ramën, ndërsa tifozët që ka pas vetes presidenti janë Veliaj-Xhafaj, që shpresojnë të humbasë kryeministri…
Në një deklaratë të shkurtër, Presidenca njoftoi se: “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”. Kjo deklaratë e shkurtër mban misteret e zhvillimeve që pritet të fusin në kolaps edhe institucionet, siç është posti i Ministrit të Brendshëm.
Në këtë deklaratë nuk sqarohen shumë dilemma, ku më kryesorja është se përse nuk është dhënë motivi i mosbindjes së Metës për figurën e gjeneral Sandër Lleshit. Presidenti nuk është në rolin e një analisti për të dhënë mendim për “bindje” ose jo ndaj emrit që është propozuar për të qenë Ministri i Brendshëm.
Në çdo rast kur Meta ka kthyer pas ligje e dekrete, ka renditur gjatë pikat e kushtetëutës që sipas tij shkilen, por për rastin Lleshi nuk është ndjekur kjo traditë. A mos është e rastësishme që e vetmja forcë politike opozitare që nuk sulmonte Xhafajn ishte LSI? Pikërisht ky subjekt politik që nuk e kursen aspak gjuhën e akuzave, në rastin Xhafaj heshti, madje në disa raste indirekt dilte në mbrojtje të tij.
Çështja nuk duket aq shumë ligjore, kushtetuese apo institucionale, por ngjan me një lojë të pistët politike që për momentin ka vetëm një të djegur, gjeneral Sandër Lleshin, i propozuar nga Rama për Ministër të Brendshëm, por i rrëzuar nga presidenti Meta për “mosbindje” si kandidaturë.
Duke iu referuar nenit 78 të Kushtetutës Presidentit i jepet vetëm rolin ceremonial të firmosjes së propozimit të kryeministrit për postin ministror. Në të gjitha republikat parlamentare siç është edhe Shqipëria, vullneti është i kryeministrit dhe ky vullnet verikohet nga Parlamenti, ndërsa presidenti ka vetëm 7 ditë kohë për të kryer veprimin solemn të dekreteve të shkarkimit dhe emërimit të ministrave.
“Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenga 7 ditësh; Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”-thuhet në dy pikat e këtij neni. Konstitucionalistët ndahen në interpretimin, disa mendojnë se kreu i shtetit ka të drejtë për të mos dekretuar një ministër, ndërsa të tjerë argumentojnë se që nga viti 2003 është interpretuar nga Gjykata Kushtetuese se kreu i shtetit nuk mund të rrëzojë propozimin e kryeministrit në përzgjedhjen e ministrit dhe roli presidentit në këtë rast është vetëm ceremonial dhe jo vendimarrës.
Me këtë parim eci edhe ish-presidenti Bujar Nishani, që për ironi të fatit dekretoi Fatmir Xhafajn, (atë që Meta sot po e “rikthen” në detyrë), pavarësisht se ka firmosur dekretin për shkarkimin e tij. Në atë kohë Nishani argumentoi se në bindjen e tij Xhafaj nuk duhet të ishte ministër, pasi disponoheshin të dhëna se kishte shërbyer si hetues në kohën e diktaturës dhe marrë pjesë në procese politike. Nishani gjithsesi argumentoi se po e dekretonte Xhafajn për shkak se Kushtetuta nuk i linte hapësirë për të refuzuar dekretimin e një ministri.
Por ndryshe mendon Presidenti Ilir Meta, që në daljen e fundit publike gjykon se është me kompetenca të plota për të dekretuar ose refuzuar një kandidaturë ministri. “Kemi rastin e Italisë ku presidenti ka të njëjtat kompetenca, ku ai mendoi se një emër i propozuar si ministër ekonomie nuk e firmosi, pasi mendoi se rrezikonte ekonominë e Italisë. Askush nuk e detyron presidentit të firmosë një emër jashtë bindjes së tij. Në këtë drejtim unë përgjegjshmëritë e mia do ti ushtroj në mënyrë kurajoze dhe maksimale”-tha Meta.
Kurajon e sheh në vendimin e marrë në refuzimin e general Sandër Lleshit si kandidaturë për Ministër të Brendshëm, por loja është edhe më e madhe se rrëzimi i një emri. Të enjten që kaloi Parpalenti nuk e futi në rend të ditës shkarkimin e Fatmir Xhafajt dhe jo rastësisht, pasi kishin të dhëna që presidenti mund ta rrëzonte kandidaturën e ministrit të ri.
Nëse kreu i shtetit arrin të “fitojë” lojën e parë të shahut me Ramën, atëherë pritet që të kristalizohen edhe lobet kundër kryeministrit brenda partisë, ku protagonistët pritet të jenë Fatmir Xhafaj si pjesë e “gardës” së vjetër të PS-së dhe Erin Veliaj, një prutrje e re që po rivalizon fort kryeministrin Rama, sidomos në fushën e piarit (propagandës). Loja është në zhvillim….