Besmir Karaj, polici bashkiak që denoncoi falsifikimin e gjobës së Bashkisë së Tiranës ndaj Partisë Demokratike pas protestës së 8 dhjetorit është hequr nga puna nga Veliaj.
Këtë fakt e bëri të ditur Partia Demokratike sot. Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Reila Bozdo akuzoi kreun e Bashkisë, Veliaj për hakmarrje nga policit Karaj, firma e të cilit ishte vendosur në gjobën e formuluar nga bashkia, por që ai e deklaroi publikisht si të falsifikuar.
“Erion Veliaj, falsifikatori i gjobës që i vuri protestës popullore të 8 Dhjetorit, është hakmarrë ndaj policit bashkiak Besmir Karaj, duke e larguar nga puna. Karaj pati integritetin dhe kurajon që ta denonconte publikisht se firma e gjobës nuk ishte e tija, se ishte falsifikuar. Për këtë ai bëri dhe një kallëzim penal në prokurori me 10 dhjetor”, tha Bozdo.
Ajo u shpreh më tej se prokurori që ka çështjen në dorë nuk ka ndërmarrë asnjë hap për këtë por e mban kallëzimin të mbyllur në sirtar.
“Falsifikimi i dokumentave është një vepër e rëndë penale, mirëpo nga 10 dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot, prokurori i çështjes nuk ka ndërmarrë asnjë hap për këtë çështje. Prej 5 muajsh, prokurori Ardian Dyrmishi, mban të mbyllur në sirtar këtë kallëzim, ka provat dhe faktet e mjaftueshme dhe nuk ndërmerr asnjë veprim ligjor ndonëse mediat raportuan se edhe laboratori shkencor i policisë konfirmoi falsifikimin e firmës nga Bashkia. Partia Demokratike i kërkon sot këtij prokurori të tregojë se çfarë ka bërë me këtë çështje, pse ai nuk kryen detyrën që i ngarkon ligji”, tha Bozdo.
Ajo tha se polici Karaj, nuk kishte asnjë vërejtje apo shkelje gjatë 3 viteve në këtë detyrë.
“Ja ku kemi mbërritur me Edi Ramën, me shtetin e tij të korruptuar e kriminal. Denoncuesi i krimit, i falsifikimit, Polici Karaj që prej tre vitesh në detyrë nuk kishte asnjë vërejtje apo shkelje, hidhet në rrugë, ndërsa autori i krimit, falsifikatori, Erion Veliaj nuk preket, madje vazhdon të trashë zullumin çdo ditë. Kjo është oligarkia kriminale e Edi Ramës ku ndëshkohet denoncuesi dhe mbrohet shkelësi i ligjit, falsifikatori, gënjeshtari Veliaj”, përfundoi Bozdo.