Një 25-vjeçar i akuzuar si anëtar i bandës së Admir Tafilit është vënë në pranga nga policia, ndërsa tentonte të ikte jashtë vendit në doganën e Qafë-Thanës. Sipas burimeve zyrtare është arrestuar shtetasi Klajdi Shermadhi, i cili ishte prej kohësh në kërkim dhe gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tij, si një nga 13 anëtarët e bandës së Tafilit, që jepte urdhra nga burgu për të kryer vrasje.
Policia e Elbasanit bën me dije se 25-vjeçari u arrestua nga policia kufitare e Qafë Thanës, në tentativë për t’u arratisur. Masa e sigurisë u mor nën akuzën e sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.
Pak kohë më parë prokuroria për Krime të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim 13 persona, 3 prej të cilëve për “krijim të grupit të strukturuar kriminal” dhe “vrasje me paramendim”, ndërsa të tjerët për vepra të tjera të rënda penale.
Nga hetimet rezultoi se ky grup udhëhiqej nga Admir Tafili, i cili drejtonte anëtarët e tjerë nga qelia e burgut, ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për krime të tjera.