Nga Boldnews.al
Saimir Tahiri doli të enjten para medias për të dhënë konferencën e paralajmëruar, anuluar dhe komentuar që prej fundjavës së kaluar. Ai e anuloi daljen para medias të shtunën e javës së mëparshme, me shumë mundësi për faktin se kishte një lajm më të rëndësishëm që do e eklipsonte atë-dorëheqja e Fatmir Xhafaj.
Tahiri doli para medias, pa asgjë të re. Ai publikoi vendimin e prokurorisë së Katanias për pushimin e hetimeve ndaj tij. Ky vendim ishte trafikuar prej njerëzve të tij që në fillim të kësaj jave.
Tahiri doli para medias dhe përsëriti atë që kishte thënë edhe një vit më parë- faktin që hetimi i nisur ndaj tij në Shqipëri është politik. Ai përsëriti gjithashtu që, si një qytetar i lirë, ishte në pritje të përfundimit të hetimeve nga Prokuroria Shqiptare.
Tahiri përsëriti për të disatën herë se familja e tij ka qenë e shqetësuar dhe e ka mbështetur gjatë kësaj periudhe. Ka shumë të drejtë në këtë qëndrim, por nuk është as e re dhe as e papritur fakti që mbështet nga familja.
Tahiri tha që prokuroria e Katanias ka verifikuar në dyqanet ku dyshohet se Habilajt kanë blerë bizhuteri e kostume të shtrenjta për atë dhe familjen e tij, në vitin 2014. Dhe, sipas vendimit që ka në dorë Tahiri, hetimet e prokurorisë së Katanias në këto dyqane nuk kanë zbuluar asgjë. Ai, natyrisht, nuk e përmendi faktin që prokurorët italianë nuk kanë arritur të sigurojnë pamjet e kamerave të sigurisë, për faktin se ka kaluar një kohë e gjatë dhe ato nuk ruhen në serverat kompjuterikë të dyqaneve.
Tahiri përsëriti faktin se nuk ka udhëtuar asnjëherë me Habilajt. Këtë e mbështeti edhe në vendimin e prokurorisë së Katanias, e cila ka kryer verifikimet në Interpol dhe nuk u ka rezultuar që ish-ministri i Brendshëm ka udhëtuar në zonën Shengen me kushërinjtë e tij trafikantë. Por, Tahiri nuk e përmendi faktin se ai, për shkak të pushtetit të tij, ka udhëtuar me Habilajt jashtë Shqipërisë, duke mos u regjistruar në hyrje-dalje.
Prokuroria e Katanias nuk ka në dorë informacionet e autoriteteve greke, në bazë të të cilave, Saimir Tahiri ka kryer pushimet me Artan Habilaj në gusht 2014. Nuk kanë as faktin që një skaf shqiptar, i drejtuar nga një punonjës policie, ka dalë i paregjistruar nga Shqipëria dhe i është vënë në dispozicion Tahirit për të shëtitur në brigjet greke e më pas, po i paregjistruar, ka hyrë në Shqipëri.
Nuk e kanë prokurorët e Katanias as informacionin që ky skaf, pasi është ankoruar në Sarandë, është marrë nga Artan Habilaj dhe është dërguar në Vlorë, e, prej aty, kreu i bandës, Moisi Habilaj, po me këtë skaf, gjithnjë i paregjistruar, ka udhëtuar drejt Italisë.
Prokuroria e Katanias nuk ka pasur dhe as nuk ka informacione, pasi ato u takojnë autoriteteve shqiptare, se si drejtues të lartë të policisë së Vlorës janë shpallur në kërkim, për shkak të bashkëpunimit me trafikantët Habilaj.
E, megjithatë, Tahiri nuk i përmendi dhe nuk dha asnjë qëndrim për këto prova. Ai, si edhe më parë, përmendi Edi Ramën, pa kritika.
Tahiri, si edhe më parë, përsëriti sulmet politike ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës, opozitës në përgjithësi, njëlloj siç ka bërë dikur nga foltoret politike.
Kushdo që priste që Saimir Tahiri të fliste diçka për pasardhësin e tij, Fatmir Xhafaj, i cili e goditi politikisht dhe institucionalisht atë vetë dhe taborin e tij të shefave të policisë, mbeti i zhgënjyer.
Kjo ishte e vetmja e reja e vjetër në konferencën për media të Saimir Tahirit-ai, njëlloj si edhe të tjerët, nuk ka forcën dhe as dëshirën për të goditur brenda gardhit të Rilindjes.
Ai po pret dhe shpreson që shokët e Partisë ta ndihmojnë me hallin që e ka zënë dhe ai të rikthehet në jetën politike.