Bukurinë e fotografisë e shohim të gjithë, ama 19-vjeçari Sirio Berati na tregon më së miri një tjetër dimension të saj. Instagrami i tij është i mbushur me punime të veçanta që dallojnë në detajet dhe rrëfimet që i shoqërojnë. I listuar në “Vogue” dhe “IMDb”, ai tregon se arritjet janë të gjitha rezultatet e një pune të vazhdueshme, përkushtimi dhe pasioni. Tashmë Sirio është vendosur në Kanada për të vazhduar studimet e drejtësisë, por fotografia i merr ende një kohë të mirë të ditës. Ndiqni historinë e tij në këtë intervistë për Blitz.al
Kush është Sirio?
Jam Sirio Berati, një 19-vjeçar që adhuron të bukurën dhe bën art. Jam një artist i ri digjital dhe puna ime fokusohet kryesisht në prodhimin e videove dhe fotove portret. Gjithnjë i shoqëroj me një rrëfim emocional sepse më pëlqen të ngacmoj çështje si identiteti, zhvillimi i vetes etj. Së fundmi kam nxjerrë dhe këngën time të parë “Snakes”.
Si nisi dëshira për të fotografuar dhe cilat kanë qenë fotot e tua të para?
Dëshira për të fotografuar ka nisur në të njëjtën kohë me përdorimin e platformave sociale si Instagrami apo Tumblr, por përveç këtyre, mund të them që e nisa fotografinë kur fillova të përdorja Iphone, një smartphone me një kamera me kualitet shumë të mirë.
Mbaj mend që në momentin që njoha Instagramin jam tërhequr shumë nga përmbajtja audio-vizive.
Jam person detajist dhe mund të them me plot gojë që e gjykoj librin nga kopertina. Nëse diçka është estetikisht e bukur deri në detaje, i jepem i gjithi. Dizajni i vetë aplikacionit, fotografët e paktë që ishin atëherë dhe thjesht mundësia e të pasurit një Iphone më shtynte të krijoja dhe shfrytëzoja çdo mundësi që teknologjia e re ofronte.
Këto janë disa nga fotografitë që kam bërë në vitin 2014.
A ke pasur dikë që të ka përkrahur për ta vazhduar këtë rrugëtim apo ke qenë i vetëm?
Në fillimet e këtij rrugëtimi, nuk është se kam pasur ndonjë suport të veçantë, pasi idetë dhe ajo që doja të bëja deri diku konsideroheshin tabu. Deri tani kam qenë i vetëm, ndërsa në momentin që flasim kam gjetur mbështetje, sidomos nga përdorues dhe ndjekës të huaj. Nuk jam më i prekur nga mentaliteti apo paragjykimet. Kjo më ka ndihmuar të realizoj projekte të mëdha dhe të aktivizohem jashtë Instagram-it.
Cila është rutina që ndjek për të bërë fotot/videot?
Për projekte të veçanta inspirohem nga artistë të huaj ose shqiptarë, gjej një tematikë të caktuar, bëj shumë kërkim, krijoj një ide, gjeneroj alternativa dhe më pas e ofroj diku. Pastaj ka dhe nga ato ditë ku thjesht shkrep foto pa ndonjë qëllim specifik dhe më pas shoh se ç’mund të krijoj përtej thjesht një fotografie të rastësishme.
Ku e gjen inspirimin? A ke pasur periudha “boshe” që ndoshta ke menduar dhe ta lësh fotografinë?
Inspirimin e gjej nga njerëz si unë, nga filma, ngjyra, muzikë. Çuditërisht nuk e kam menduar kurrë të lë fotografinë, për më tepër sepse do të ndihesha bosh nëse do ta bëja.
Pse vendose të zgjedhësh drejtësinë për të studiuar në universitet dhe jo pasionin tënd?
Sado që me artin identifikohem lehtësisht, fotografia nuk është një formë e mirëfilltë profesioni për të krijuar baza në jetë. Dua që të kem një profesion dhe të jem i formuar dhe në fusha të tjera, përveç saj. Për më tepër, me drejtësinë, vazhdoj edhe traditën familjare.
A është një rrugë që kushton, qoftë për materialet, programet etj? Apo mund ta ndjekë kushdo dhe me të ardhura minimale?
Shumë e kushtueshme dhe ka shpenzime të mëdha. Kush thotë që nuk është e tillë, ndoshta nuk e bën si duhet. Kam pasur fatin e mirë që jam suportuar ekonomikisht nga familja për çdo kërkesë që kjo fushë më ka vënë përpara. Materialet janë të shtrenjta: lente dhe aparate të ndryshme. Kushtojnë jo vetëm mjetet fizike, por dhe aplikacionet, programet, marketingu, promovimet. Mund të jesh talent i lindur, por nëse nuk e promovon veten ku duhet, si duhet dhe kur duhet do mbetesh thjesht në flluskën tënde.
Cilat janë arritjet e tua më të mëdha në këtë fushë?
Arritje është fakti që kam eksploruar dhe provuar aspekte të ndryshme të artit si skulpturë, krijime dixhitale, vizatime, piktura, kolazhe, instalime dhe tipografi. Dy nga arritjet më të mëdha janë prezantimi i ekspozitës sime të parë të artit në Angli – “Approaching chaos” (me mediume alternative) dhe fitimi i çmimit të parë në shkallë kombëtare në një kompeticion arti po në Angli. Kjo është vepra e artit që fitoi çmimin – “Conflicting journey to reality”.
“Paqja në vetvete flet për ëndrra që shpesh janë pjesë e një realiteti. Një konflikt krijohet aty ku personazhi lufton veten për të arritur një botë magjike. Nënvetëdija është vendosur në të djathtë, vetëdija në qendër dhe idealja në të majtë. Sërish, procesi i vetërealizimit dhe transformimit krijohet në copëza. Imazhi gjithashtu është i lidhur me një ‘dreamcatcher’, që mbron personazhin nga frikërat që e tashmja mban.”
Si ishte të kontaktoheshe nga “Vogue Italia” dhe të bëheshe pjesë e tyre?
Kush nuk do të donte që puna e tyre të aprovohej dhe të publikohej nën emrin e Vogue? Ndihem i vlerësuar dhe është një kënaqësi e veçantë.
Nëse do jetoje në Shqipëri, do e ndiqje me të njëjtin pasion? (duke pasur parasysh gjendjen dhe mundësitë e artit në Shqipëri)
Absolutisht që po! Mendoj që Shqipëria ka nevojë për fotografë dhe do ta bëja me kënaqësi. Në një vend të vogël si ky, ke mundësi të ekspozohesh më lehtësisht dhe të targetosh më thjesht një audiencë. Kam disa projekte të veçanta që do të realizoj kur të vij së shpejti. Ndoshta me njerëzit e showbizz-it.
Sa kohë i kushton në javë?
I kushtoj goxha kohë, mund të them rreth 20 orë në javë. Sigurisht varet dhe nga kërkesat e klientit. Përveçse e kam pasion, këtu në Kanada, e kam dhe një pjesë të mirë të punës.Për momentin jam duke punuar për një kompani lokale dhe një firmë të pasurive të patundshme.
Cila është puna jote më e dashur dhe çfarë e bën atë të tillë?
Me thënë të drejtë është kjo video që ka një vlerë të veçantë për mua, pikërisht për thjeshtësinë dhe mesazhin e drejtpërdrejtë që përcjell.
Çfarë duhet të ketë sipas teje një fotografi që të quhet e bukur?
Pak detaje dhe një rrëfim që e shoqëron.
Ti fotografon kryesisht gjëra të bukura, po ndonjë situatë të trishtë dhe të dhimbshme a të ka rastisur t’a kapësh në aparatin tënd?
Deri më tani jo, pasi nuk është se jam shumë spontan në atë që bëj.
Nëse do të kërkonin të ishe fotoreporter lufte, do të pranoje? Pse?
Nuk do të doja të isha një fotoreporter lufte pasi nuk dua të jem pjesë e diçkaje që nuk suportoj, besoj apo pranoj. Do të ishte moralisht e gabuar.
Cilat janë aspiratat e tua për të ardhmen?
Për momentin është gjithmonë shkollimi. Më pas nuk i dihet, ndoshta shoh mundësi të kem kontrata me kompani të mëdha.
Cila është këshilla juaj për artistët e rinj, më specifikisht ata të fotografisë dhe videografisë?
Të jenë të veçantë në atë që bëjnë duke eksperimentuar, të gjejnë një temë me të cilën identifikohen lehtësisht dhe të dalin atje jashtë, pa u influencuar nga opinioni i njerëzve. Dhe mbi të gjitha, të krijojnë.
/Blitz.al/