Tirana supozohet të jetë modeli më i mirë i aktivizimit përmes medieve ndihmëse online. Sipas të dhënave të stafit monitorues të ISP rezulton se “shumë aktivë” në mediet e ndryshme online, janë 26% e këshilltarëve të bashkisë Tiranë, “pjesërisht aktivë” janë 16%, “pak aktivë” me aktivitet gati simbolik janë 10% e këshilltarëve. Në kategorinë “jo aktivë” me statuse të pandryshuar për një kohë shumë të gjatë rezultojnë 31% e këshilltarëve dhe pa asnjë gjurmë komunikimi në mediet e ndryshme online janë identifikuar 16% e këshilltarëve.
Tregues simbolik më rëndësi është fakti se shumica e atyre këshilltarëve që nuk janë aktivë ose që kanë aktivitet simbolik, kanë lënë gjurmë online vetëm në periudhën e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale 2015 apo parlamentare 2017. Pjesën tjetër të kohë midis fushatave elektorale nuk kanë “gjurmë” duke dëshmuar se mund të kenë qenë nxitur nga partia e tyre politike ose nga klima e përgjithshme zgjedhore në vend. Lista e këshilltarëve më me shumë aktivitet mediatik në bashkitë e qarkut Tiranë, bazuar në rendje alfabetike të emrave, ndodhet më poshtë.
Në listë bëjnë pjesë 22 këshilltarë, nga të cilët 16 janë të këshillit bashkiak të bashkisë Tiranë, 3 nga këshillit bashkiak i bashkisë Kamëz, 2 nga këshilli bashkiak i bashkisë Kavajë, 1 nga këshilli bashkiak i bashkisë Vorë, ndërkohë që mungojnë vlerësimet maksimale për ndonjë nga anëtarët e këshillit bashkiak të bashkisë Rrogozhinë, për shkak të nivelit minimal të angazhimit të tyre. Në vlerësimin gjinor të angazhimit tyre rezulton se këshilltarët meshkuj kanë nivel të lartë angazhimi me 60% ndaj 40% këshilltare gra e vajza. Kjo e dhënë është me interesa për shkak se bashkia Tiranë është e vetmja bashki në nivel republike që ka numër e përqindje më të lartë të grave e vajzave në këshill sesa këshilltarë meshkuj. Dominimi i numrit të këshilltareve në Tiranë erdhi edhe për shkak se partitë kanë respektuar kuotat gjinore dhe se në krye të listës së secilës parti kryesore më 2015 ka pasur gra e vajza kandidate. Një lexim më i detajuar i listës nxjerr në pah faktin se më aktivët në Këshill janë figurat drejtues të grupeve në Këshilli, drejtuesit e vetë Këshillit, individët me poste në partitë kryesore politike si dhe individët që kanë kryesuar listat e kandidimit në zgjedhjet lokale 2015. Për shkak të angazhimit part–time të këshilltarëve, drejtuesit e grupeve dhe figurat politike kryesore kanë edhe aktivitet më të fokusuar dhe mbajnë peshën kryesore të debateve në këshill dhe në përfaqësimin e tij në raport me institucionet e tjera dhe publikun.
Referuar ndarjes së listës së këshilltarëve më aktivë në bashkinë Tiranë, Kavajë, Kamëz, Vorë e Rrogozhinë, rezulton se sipas forcave politike, partia kryesore politike në mazhorancë, PS, ka 5 këshilltarë shumë aktivë, PD në opozitë ka 9 këshilltarë shumë aktivë, LSI e cila më 2015 ishte pjesë e koalicionit fitues por që pas 2017 është në opozitë ka 4 këshilltarë shumë aktivë, ndjekur me nga një këshilltar për tri parti të vogla (PDIU, PBDNJ, PASH) dhe një këshilltare e pavarur (2018), e zgjedhur më 2015 në emër të FRD. Vlen të theksohet fakti, se midis listës prej 22 emrave më aktiv në publik dhe media mbi problematikat lokale, gjenden edhe këshilltarë, të cilët kanë rekorde negative në angazhimin në mbledhjet e rregullta të Këshillit Bashkiak apo të komisioneve në Këshill. Zgjedhja e tyre për të qenë “i padukshëm”në Këshill dhe shumë aktivë në publik, është më shumë zgjedhje strategjike në funksion të karrierës politike publike sesa si zgjedhje e kushtëzuar nga mënyra sesi ndërvepron Këshilli apo organet e tjera vendimmarrëse në bashki. Një shpjegim më i thelluar mbi këto raporte, – sesi mazhoranca është më pak aktive sesa opozita, – duket kërkuar në tri tipare të jetës politike në bashkitë e qarkut Tiranë.
- Së pari, shumica e këshilltarëve të mazhorancës në pushtet (PS) kanë poste të tjera të larta politike ose administrative dhe për pasojë, kanë angazhime të tjera më prioritare sesa fokusimi në mbledhjet part-time të këshillit bashkiak. Po ashtu, shumica e këshilltarëve të partive të tjera kanë angazhime paralele akademike, biznesi, etj, duke u kufizuar në ushtrimin prioritare të përgjegjësive të këshilltarit bashkiak.
- Së dyti, vendimmarrja në pushtetin vendor është kryesisht vertikale dhe kryetari i bashkisë ka kompetenca e ushtrim maksimal pushteti në raport edhe me aktivitetin e këshillit. Për rrjedhojë, në rastet kur kryetari i bashkisë i përket partisë në pushtetin qendror apo kur forca politike e kryetarit të bashkisë ka mazhorancën në këshill, këshilltarët e mazhorancës dublohen nga titullarët e bashkisë, ndaj ata nuk kanë interes direkt në debatet politike që zhvillohen në këshill. Në rastet kur forca politike e kryetarit të bashkisë është e ndryshme nga forca politike që drejton pushtetin qendror, apo kur forca politike e kryetarit nuk është mazhorancë edhe në këshillin bashkiak, këshilltarët kanë më shumë hapësirë për ushtrimin e aktivitetit të tyre.
- Së treti, për një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit të Këshillit bashkiak, si në rastin e Tiranës, Kamzës, etj, partia që ka drejtimin politik të qytetit ka siguruar vota shtesë nga partitë e vogla të opozitës dhe për rrjedhojë, vendimmarrja e shumicës është garantuar. Për më tepër, në një pjesë të vendimmarrjeve të rëndësishme, sidomos në Tiranë, partitë kryesore të opozitës kanë bojkotuar ose kanë protestuar në momentet e vendimmarrjes, duke ndikuar edhe në rënien e interesit politik të këshilltarëve që bëjnë kuorumin në sallë, për të luajtur rol protagonist edhe në debate.