Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar lidhur me ngjarjen që tronditi Tiranën mbrëmjen e djeshme, ku një person u vra dhe dy mbetën të plagosur më armë zjarri.
“Është bërë anormale tani normaliteti. Besoj që të gjithë e keni parë dje që m’u në qendër të Tiranës, 50 metra larg zyrës së Kryetarit të Kuvendit, 100 metra larg zyrës së Kryeministrit, qëllohet me pistoleta, sikur të jenë fëmijë duke luajtur lojë luftash. Qëllohen me pistoleta, plagosen e vriten njerëz në vendin më të frekuentuar nga shumë të rinj e të reja, nga adoleshentë, të cilët kalojnë kohën e tyre të pasdites në kryeqytet”, u shpreh kryetarja e LSI-së gjatë një takimi me me strukturat e LSI-së në Cërrik.
“Krimi tashmë ka zaptuar çdo gjë. Përveçse ka zaptuar gjithë institucionet shtetërore, tashmë po zapton edhe rrugët e Tiranës dhe ambientet ku rrinë të rinjtë shqiptarë”, shtoi.
Kryemadhi bëri edhe një apel: “Ne na duhet vetëm të organizohemi, të solidarizohemi me njëri-tjetrin, për ta drejtuar këtë vend në rrugë të mbarë”.
Fjala e Plotë:
Faleminderit Astritit si kryetari i partisë në Cërrik, faleminderit edhe Altinit, si kryetar i bashkisë. Altini në fakt nuk është vetëm i LSI-së, por është edhe i qytetarëve të Cërrikut.
Sot ne këtë takim e bëjmë me strukturat e LSI-së, por e kuptoj që ato tashmë nuk duan të rrinë vetëm, janë zgjeruar dhe kanë ardhur anëtarë, apo edhe qytetarë për të na dëgjuar dhe rakorduar dhe kjo gjë është shumë e mirë. Ne menduam vetëm me strukturat, sepse duke qenë vetëm me to, do të ishte si një hap i parë. Por, me sa duket, në Cërrik ka ardhur aty ku nuk mban dhe të gjitha duan të thonë fjalën e tyre për të thënë që nuk mban më ujë pilafi me këtë qeveri, që ka uzurpuar dhe ka shkatërruar çdo gjë.
Ky nuk është takimi ynë i parë që pas zgjedhjeve, por ajo që është më e rëndësishme është që kompaktësia e strukturave tona ka qenë një nga elementët më të rëndësishëm. Kjo kompaktësi nuk duhet të ngelet tashmë thjesht në funksionim të strukturave, por duhet shpërndarë si një instrument për të vajtur te çdo qytetar dhe për të shpjeguar situatën ku gjendet vendi sot.
Është bërë anormale tani normaliteti. Besoj që të gjithë e keni parë dje që m’u në qendër të Tiranës, 50 metra larg zyrës së Kryetarit të Kuvendit, 100 metra larg zyrës së Kryeministrit, qëllohet me pistoleta, sikur të jenë fëmijë duke luajtur lojë luftash. Qëllohen me pistoleta, plagosen e vriten njerëz në vendin më të frekuentuar nga shumë të rinj e të reja, nga adoleshentë, të cilët kalojnë kohën e tyre të pasdites në kryeqytet. Krimi tashmë ka zaptuar çdo gjë. Përveçse ka zaptuar gjithë institucionet shtetërore, tashmë po zapton edhe rrugët e Tiranës dhe ambientet ku rrinë të rinjtë shqiptarë.
Situata është e tmerrshme, është tragjike dhe ne jo vetëm duhet të flasim e të flasim, por na duhet të reagojmë. Dhe reagimi ynë nuk vjen thjesht si një reagim politik, por duhet të vijë si një reagim qytetar.
LSI, ju e dini shumë mirë që, pas zgjedhjeve të 25 qershorit të 2017-s, mori vendimin për t’u pozicionuar në opozitë. Pse e mori këtë vendim? E morëm sepse mendonim se ishte një nga vendimet më të drejta. Mund të ishte pak, mund të themi, e pranueshme apo suportive për ne drejtuesit e LSI-së, deputetët, sepse kush është ai që do të ikë nga pushteti, por ne menduam që do të ishte shumë më e shëndetshme, jo vetëm për LSI-në, por për gjithë vendin, që kalimi i LSI-së në opozitë do t’i shërbente një situatë më të mirë apo ndryshimit të atij realiteti të hidhur që ishte instaluar.
Ne jemi aq përgjegjës që ndoshta edhe duhet të kishim reaguar edhe më shpejt për sa i përket lëvizjes së partisë sonë nga qeverisja, por megjithatë me idenë që gjërat ndryshojnë më shpejt apo mendojnë që një ditë ky njeri mund të reagonte, menduam që një ditë do të ishte e mundshme. Por, ai jo vetëm që nuk reagoi, por u zhyt akoma dhe më thellë në botën e krimit dhe në dhunën e saj. Ajo çka ne na bën më shumë përshtypje sot është indiferenca apo ironia, me të cilën ai sot trajton problemet, me të cilat përballen shqiptarët.
Ai tallet me varfërinë e shqiptarëve. Besoj se kryetari i Bashkisë e di shumë mirë, por edhe një pjesë e juaja e di shumë mirë problemet që familjet e varfra kanë pasur, qoftë për sa i përket punësimit, apo edhe shumë çështjeve të tjera. Kryeministri ynë i famshëm me një të rënë të lapsit, zhduku ndihmën ekonomike për ato familje që mendonin që kishin një televizion, apo edhe një hekur për të hekurosur në shtëpinë e tyre. Pse e them këtë? E them sepse janë dy elementë tepër të domosdoshëm, që çdo shtëpi i ka, edhe në qoftë se nuk ka pasur para t’i blejë, ia ka dhuruar dikush. Ndihma ekonomike vërtet është një ndihmë që zgjidh hall, që zgjidh një problem për ato familje që përfitojnë prej saj. Ai njeri e zhduku ndihmën ekonomike, pasi i kushtonte pushtetit rreth 40 milion euro. Por, në fakt çfarë bëri? Vetëm për vitin 2018, Kryeministri Rama ka shpenzuar 70 milionë euro për Facebook-istët e vet. Besoj se dikush nga ju mund ta ketë në Facebook dhe e keni parë se çfarë bëhet me komentet pozitive aty, me elozhet, me servilosjet, apo edhe duke bërë like dhe share. Këta njerëz që punojnë për të dhe që shkruajnë në Facebook-un e tij paguhen me paratë e ndihmës ekonomike, para të cilat ky njeriu ua hoqi fukarenjve. Ju besoj i keni parë ato spotet publicitare në televizione për Shqipërinë. Unë nuk kam nevojë t’u tregoj shqiptarëve sa e bukur është Shqipëria. Këto spote duhet të bëhen në televizione të huaja, jo në televizione shqiptare. Por nëpërmjet parave të ndihmës ekonomike të shqiptarëve ky njeri ka paguar televizionet për t’u mbyllur gojën, veshët e sytë shqiptarëve, në mënyrë që të mos marrin vesh asgjë se çfarë ndodh në këtë vend.
E keni dëgjuar rastin e vajzës nga Fushë-Kruja si kishte tre herë që denonconte në Prokurori dhe ishin institucionet e shtetit që e mbulonin krimin e bërë nga djali i një deputeti. Dhe ndodh që ditën që oficeri i policisë denoncon këtë krim, atëherë Kryeministri irritohet, nevrikoset dhe shantazhon apo edhe i kanoset ish-punonjësit të policisë, i cili bëri një denoncim për kanosje.
Këto janë disa elementë që kur ne i flasim me ndërkombëtarët ata shokohen nga mënyra jo vetëm joprofesionale, por edhe nga mënyra kriminale se si funksionon shteti shqiptar dhe institucionet e tij. Dhe ajo që është më e tmerrshme është që nga një element që është kriminal, ai vazhdon dhe tallet akoma dhe më shumë me shqiptarët.
Keni dëgjuar edhe për borxhin e famshëm që thotë ministri i Financave, që do marrim 500 milionë euro kredi. Këto 500 milionë euro nuk do shkojnë për shqiptarët, as për shkolla, as për spitale, as për pensione, as për ndihmën ekonomike, as për rrugë, por do të shkojnë për të paguar koncesionet, PPP-të e famshme që besoj ju i keni dëgjuar.
Prandaj që të mos ndodhë kjo gjë, ne duhet të zgjohemi. Ne tashmë kemi krijuar një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Tashmë ne e kemi shumë të qartë aksionin tonë politik. Nga sot e tutje po u drejtohemi strukturave të partive tona dhe pas kësaj do të vijojmë me qytetarët. Ne nuk mund të jemi më alibi i Edi Ramës në Parlament. Shumë njerëz mund të thonë që: shkoni atje në parlament, propozoni ligje, ngrini dorën dhe votojini e kështu me radhë. Po për çfarë ligji të diskutoj unë, kur LSI ka që në 2016-n që ka paraqitur ligjin kundër koncesioneve në Parlament. Dhe jo vetëm që nuk e ka sjellë në Parlament që ta votojë, e le ta rrëzojë me vota, por nuk e merr as në diskutim. Për çfarë të shkoj unë në parlament kur opozita i ka çuar amendamentet për të zhbllokuar reformën në drejtësi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, apo të kryetarëve të Gjykatave Kushtetuese e asaj të Lartë. E jo vetëm që nuk e marrin në diskutim, por e rrëzojnë pa e futur në diskutim në komisionet përkatëse. Kur ju kanë dashur votat, ne jua kemi dhënë për reformën në drejtësi. E mbani mend besoj që ju dhanë 140 vota për këtë reformë, e cila do t’i shpëtonte shqiptarët nga drejtësia e korruptuar. Vetëm ata nuk shpëtuan nga kjo drejtësi. Shpëtuan Saimir Tahiri, shpëtuan bandat e kriminelët, ndërsa shqiptarët vijojnë të enden nëpër dyert e Gjykatave dhe Prokurorisë dhe kalvari i vuajtjeve të tyre do të zvarritet me vite të tëra, se s’ka më gjyqtarë që ta gjykojë çështjen e tyre.
S’ka më Gjykatë të Lartë, s’ka më Prokurori të Krimeve të Rënda, s’ka më Gjykatë të Krimeve të Rënda. Pse? Sepse nuk ka më gjyqtarë, sepse Edi Rama të gjithë gjyqtarët apo prokurorët, të cilët i kishte kundërshtarët e tij politikë, apo dhe në moment të caktuara të jetës i kishin dalë kundra, i eliminoi me të ashtuquajturin Vetting.
Atëherë çfarë mund të bëjë më shumë opozita? Kur ne propozojmë ligje, kur ne japim dorën, kur ne propozojmë reforma, kur ne duam të zgjidhim Reformën Zgjedhore që vota të mos tjetërsohet dhe vota të mos shitet e të mos blihet, kur ne propozojmë që të zgjidhet një Prokuror i Përgjithshëm sipas ligjit dhe të jetë një prokuror i depolitizuar, kur ne propozojmë që të kemi një gjykatë të depolitizuar dhe jo një gjykatë të inkriminuar dhe të korruptuar, ky njeri thotë jo. Propozojmë që të kemi Vetting për politikanët, sepse ju bëjnë Vetting policëve, gjyqtarëve, prokurorëve, pse mos t’ia bëjmë Vettingun edhe Edi Ramës?
Sa nga ju këtu janë hequr nga puna vetëm se janë me LSI? Sa nga ju këtu për arsye të njërit apo të tjetrit edhe nqs duan të zgjidhin një hall në zyrat e shtetit, qoftë në Drejtoritë Arsimore, qoftë te Punësimi, etj, etj, i thonë jo se ky është i LSI? Sa nga ju janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike për të vetmen arsye, sepse plotësojnë kriteret e të qenit anëtarë të LSI-së apo të partive të tjera? Të gjitha këto, ky njeri i bën pa pyetur. Pra demokracia në këtë vend ka vajtur zero, shteti këtu është zero dhe i kapur nga krimi, siguria është zero e dominuar dhe e kontrolluar nga krimi, ekonomia këtu është e futur vetëm në tre duar, të cilat të gjitha paratë që kanë këta oligarkët e famshëm, i çojnë te banka e Edi Ramës dhe nga banka e Edi Ramës, shkojnë te xhepi i Edi Ramës. Pra të gjitha paratë e buxhetit të shtetit shkojnë në xhepin e Edi Ramës.
Atëherë për çfarë do rri kjo opozitë, që të bëhet fasadë e Edi Ramës? Jo! Harta e fundit ose pozicionimi i fundit që ne na ka ngelur është të takohemi me ju dhe të marrim vendimin se si do ia bëjmë dhe se si do veprojmë në hapat e mëtejshëm. Sepse nuk mund të ecim më me qëndrime partiake dhe politike në marrëdhënie me një Kryeministër që po i bën keq shqiptarëve, nuk po i bën keq një partie politike. Ky Kryeministër po i bën keq shqiptarëve.
Unë do iu them, pyesim këdo që doni ju nëse shqiptarët sot janë më të varfër apo më të pasur? Nëse shqiptarët sot kanë mundësi punësimi më shumë apo më pak? Nëse shqiptarët sot paguajnë më shumë për energjinë elektrike, apo për ujin e pijshëm, apo taksa seç kanë pas paguar më përpara? Nëse shqiptarëve u janë rritur më shumë pagat apo pensionet?
Jam e bindur që të gjitha këto pikëpyetje që unë bëra, janë në favor të shqiptarëve dhe jo në favor të kryeministrit. Kemi një kryeministër që gënjen, kemi një Kryeministër që e kthyer shëndetësinë falas që e trumbetoi aq shumë, e ka kthyer në shëndetësinë më të shtrenjtë, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Një i sëmurë në Shqipëri, kushton më shumë se sa mund të kushtonte në një spital privat në Itali, Gjermani apo në Angli dhe këto para ia merr buxhetit të shtetit, sepse asgjë nuk shkon, sepse ne e dimë shumë mirë që të sëmurët me paratë e tyre paguajnë ilaçet dhe dorezat e mjekëve.
Kemi një arsim që themi është falas, që mashtroi shqiptarët me librat falas dhe ndërkohë ia ndryshoi çmimin e librave 8-vjeçarëve. Kemi një taksë që rritet çdo ditë e më shumë qoftë për karburantin, qoftë për energjinë elektrike, qoftë për ujin e pijshëm.
Atëherë ç’na ka ngelur tjetër? Të vendosim vetëgjyqësi!
Sepse ky njeri nuk merr vesh as me votë dhe as me logjikë. Nuk mund t’i kërkosh logjikën një të palogjikshmi. Nuk mund t’i kërkosh moralin, një të pamoralshmi. Nuk mund t’i kërkosh të drejtën, një të padrejti. Ky njeri që çdo gjë e ka të ndërtuar në bazë të pazareve dhe tarifave, mendon se edhe shqiptarëve mund t’ua blej shpirtin, të ardhmen e fëmijëve të tyre përkundrejt diçkaje.
Është ajo që kam artikuluar dhe e them gjithmonë. Ky njeri po licencon bandat kriminale, duke iu dhënë para, duke iu dhënë pushtet, duke iu dhënë kontroll në territore të caktuara dhe taksa e këtyre bandave ndaj Edi Ramës është vetëm dita e zgjedhjeve. Por jam e bindur se sa më të bashkuar dhe të organizuar të jemi ne, kjo taksë nuk ka për të ekzistuar më dhe kjo licencë nuk ka për ekzistuar më.
Pse nuk do të ekzistojë më? Sepse ne e dimë shumë mirë që kriminelët janë frikacakët më të mëdhenj dhe në krye kanë Edi Ramën, që është frikacaku më i madh. Pse e them këtë? Sepse po të mos ishte frikacak Edi Rama, nuk do të bënte të gjithë këto gjera që ka bërë sot, sepse ai ka frikë nga ikja nga pushteti, por mbi të gjitha ka frikë edhe nga revolta popullore. Ai mendon që duke i varfëruar shqiptarët, duke i përulur shqiptarët, do t’i nënshtrojë ata dhe do t’i kontrollojë ata sikur të jenë skllevërit e tij.
Koha e skllavërisë ka ikur! Sot është koha e demokracisë dhe nëse në vitin 2018 flasim për demokraci, flasim për fjalë të lirë, flasim për të drejta të barabarta, flasim për mirëqenie në Shqipëri, sot këto nuk janë realitete, por janë ëndrra që shqiptarët i kanë aspiruar me vite.
Prandaj dhe takimet tona që nuk do të ndalen, pra nga Cërriku do të vazhdojnë nëpër rrethe të tjera, kanë si qëllim sensibilizimin e strukturave të LSI për t’u ristrukturuar, për t’u riorganizuar me partitë e tjera opozitare, sepse sot për herë të parë kemi një mazhorancë numerike që është në opozitë dhe kemi në pushtet një minorancë numerike që është Edi Rama.
Edi Rama ka vetëm 48% të votave që i ka blerë me paratë e drogës, që i ka marrë me pistoletë në kokën e njerëzve. Me të gjithë këtë infrastrukturë kaq të shtrenjtë, ai nuk arriti të merrte votat e shqiptarëve. Prandaj sot ai është në minorancë dhe ne na duhet vetëm të organizohemi, të solidarizohemi me njëri-tjetrin, për ta drejtuar këtë vend në rrugë të mbarë.
Të gjithë thonë që nuk kemi shpresë, kjo është një propagandë e Edi Ramës. Shqiptarët kanë djemtë dhe vajza të mrekullueshëm për të drejtuar këtë vend. Ashtu siç e kanë drejtuar në kohët më të vështira, ashtu do e drejtojnë edhe sot. Kjo është një propagandë e makinerisë së Edi Ramës, që nuk kemi shpresë.
Ky qenka e keqja më e madhe dhe të keqe më të madhe se Edi Rama, nuk i kanë parë sytë shqiptarëve në 30 vite tranzicion. Është aq e keqe saqë jo vetëm nuk garanton të ardhme për fëmijët e shqiptarëve, por edhe ia shkatërron atyre këtë gjë. Për hir të fëmijëve tanë ne o të mundohemi dhe do të luftojmë që ta ndalim këtë të keqe. Është në dorën tuaj, bashkë me ne që kjo e keqe të ndalet shumë shpejt, ose për një kohë të gjatë. Sa më shumë të zgjatet kjo sëmundje, aq më shumë do t’i lodhin shqiptarët dhe Shqipërinë.
Faleminderit!