Nga Boldnews.al
Pas një fundjave të trazuar, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka rënë qetësia. Pjesa më e madhe e 10 prokurorëve “rebelë” i janë kthyer rutinës së punës, duke parë se si tre prej tyre po përgatisin inventarin për dorëzimin e dosjeve, para se të largohet për në qytetet e largëta, ku u “degdisën” me firmën e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.
Në mesjavën e kaluar, Arta Marku urdhëroi nisjen e hetimit disiplinor për 10 prokurorë të Krimeve të Rënda, të cilët refuzuan të merrnin pjesë në shortin për dosjen e Emiljano Shullazit. Për 3 prej këtyre prokurorëve, u vendos që, krahas procedimit disiplinor, të transferoheshin. Konkretisht, Olsian Çela në Prokurorinë e Beratit, Sonila Muhametaj në Pukë dhe Besim Hajdarmataj në Pogradec.
Në fakt, u duk disi i çuditshëm ky trajtim i diferencuar nga Arta Marku, e cila zgjodhi që të penalizonte më rëndë vetëm 3 nga 10 prokurorët, pavarësisht se qëndrimi i tyre kundër drejtueses Donika Prela ishte i njëjtë.
Pas qetësimit të situatës, panorama po fillon të duket më e qartë. Siç ka raportuar edhe më parë “Boldneës.al”, debati për dosjen “Shullazi” dukej më shumë i stisur se sa real. Ngërçi mund të ishte zgjidhur dhe, në fakt, e kishte zgjidhjen, që para se të shpërthenin polemikat ndërmjet prokurorëve dhe Donika Prelës.
Por, mesa duket, e gjithë situata është shfrytëzuar për të goditur grupin e prokurorëve që po ndjek hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i dyshuar për bashkëpunim me narko-trafikantët Habilaj.
Dy prej prokurorëve kryesorë të kësaj dosje, Arens Çela dhe Besim Hajdarmataj gjenden në listën e të penalizuarve nga Arta Marku. Madje, drejtuesi i grupit hetimor, Hajdarmataj, u largua përfundimisht nga hetimi i kësaj dosjeje, duke u transferuar në Pogradec.
Për kujtesë, Hajdarmataj është një prej tre prokurorëve “tropojanë”, sipas përcaktimeve negative nga mediat e majta, të cilët kërkuan arrestimin e Saimir Tahirit në Tetorin e vitit të kaluar.
Ai ishte gjithashtu prokurori kryesor që ri-kërkoi arrestimin e Tahirit në gjykatë, ndërkohë që u “shkarkua” nga pozicioni i drejtuesit të Krimeve të Rënda. Së fundmi, ai është një prej 3 prokurorëve të “transferuar”, nga 10 të tillë që u “rebeluan” gjatë javës së kaluar.
Dy prokurorë të tjerë të çështjes, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, u përfshinë në listën e të hetuarve për ekstradimin e paligjshëm të Nazer Seitaj, pavarësisht se përgjegjësia ishte e drejtëpërdrejtë e Arta Markut dhe e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Duke risjellë në vëmendje këto fakte, krijohen dyshime të forta se e gjithë “furtuna në gotë” që ndodhi javën e kaluar në Prokurorinë për Krime të Rënda, duket se ka pasur qëllimin final pikërisht goditjen e prokurorëve të çështjes “Tahiri”.
Ndaj, pas “transferimit” të prokurorit kryesor të kësaj dosjeje, gjendja në Prokurorinë për Krime të Rënda i është rikthyer normalitetit. Sinjalet e para për zbutjen e situatës u dhanë të shtunën, kur Donika Prela mori në krah të saj prokurorin Blerim Tominaj, një prej të “penalizuarve”, në konferencën për media ku u shpallën rezultatet e operacionit “Bajri”.
Me këtë dalje publike, Prela u dërgoi mesazh prokurorëve të tjerë, atyre të cilët “shpëtuan” nga transferimi, se nuk do të kishin pasoja të tjera. Qëllimi i “rebelimit” ishte arritur: dosja “Tahiri” tashmë ka rënë në duar të sigurta.













