Ish-drejtori i Spitalit Rajonal të Shkodrës si dhe 7 mjekë janë arrestuar pas një hetimi 2-mujor të Prokurorisë së Shkodrës. Ata akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke blerë ilaçe dhe medikamente mjekësore jashtë kritereve dhe kapacitetit të spitalit.
Mes të arrestuarve është ishdrejtori i Spitalit të Shkodrës, Përparim Çela, i cili ka mbajtur këtë detyrë deri në korrik të vitit të kaluar. Çela, përveç arrestimit do të pezullohet të ushtrojë detyrën e mjekut. Gjithashtu, mes të arrestuarve janë dhe Luan Dragusha, mjek, Karmen Kaculini, farmaciste, Renato Kepi, infermier.
Ndërsa dy mjekë të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjithashtu, pjesë e hetimit janë dhe tri punonjëse të tjera të Spitalit Rajonal të Shkodrës, të cilat do të hetohen në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Prokuroria e Shkodrës mësohet se kishte nisur prej muajit korrik hetim për këta punonjës të spitalit për shpërdorim detyre.
Personat në hetim akuzohen se kanë blerë medikamente dhe pajisje që përdoren për ndërhyrje kirurgjikale, me vlerë 57 milionë lekë, të panevojshme. Gjithashtu, këto produkte janë blerë shumë pranë afatit të skadencës, përveçse të panevojshme për spitalin.
Nga hetimi ka rezultuar se në kundërshtim me detyrën i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë materiale të domosdoshme mjekësore për kabinetin e Hemodinamikës. Mjekët dhe punonjësit e tjerë, në shkelje të ligjit, kanë kërkuar për blerje-tenderim, për periudhën kohore të mbetur të vitit 2016, pra, shtator-dhjetor 2016, një sasi shumë të madhe prej 400 stendash (kateter, koronare dhe sete kirurgjikale të kardiokirurgjisë etj.), jashtë çdo kriteri, apo kapaciteti që ky spital ka.
Nga verifikimet e kryera rezulton se për vitin 2016 janë lidhur 6 (gjashtë) kontrata për blerje barnash dhe materialesh për kabinetin e Hemodinamikës, shërbimi i Kardiologjisë, me një vlerë prej 34 492 870 lekësh, përfshi këtu edhe kontratat për mirëmbajtjen e materialeve të blera. Sipas Prokurorisë, ky spital nuk ka pasur asnjë mundësi akomodimi dhe resurse njerëzore, mjekë etj., të realizonte kaq shumë ndërhyrje, sa stenda e materiale të tjera ka blerë. Për këtë periudhe kohore, ky spital ka realizuar vetëm 3 ndërhyrje, ndërkohë që janë kryer 400 blerje.
Pra, në fund të vitit 2016, në magazinën, farmacinë e spitalit ka pasur një gjendje stendash, 397 stenda të cilat nëse do të kishin standardet e kërkuara nga ligji duhet të plotësonin nevojat për vitin pasardhës 2017 e shumë vite të tjera. Për vitin 2017 janë lidhur 6 (gjashtë) kontrata për blerje barnash dhe materialesh për kabinetin e Hemodinamikës, shërbimin e Kardiologjisë, me një vlerë prej 23 171 853 lekësh, përfshirë këtu edhe kontrata për mirëmbajtjen e materialeve të blera.
Planifikimet dhe blerjet për vitin 2017 prej 700 stendash janë bërë duke mos pasur parasysh gjendjen e stokut, afatin e skadencës së materialeve, kapacitetin e spitalit, ndërhyrjet e planifikuara për atë vit etj.. Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi është pranuar kërkesa e Spitalit Rajonal Shkodër, janë zhvilluar procedurat e tenderimit të materialeve mjekësore dhe dokumentacioni përkatës, pas shpalljes së fituesit, është përcjellë në Spitalin Rajonal Shkodër me qëllim lidhjen e kontratës dhe marrjen e materialeve në dorëzim.
Shtetasit Edi Smajli, Renato Kepi, Juljana Zhuri, Amanda Matlija, Albana Mehmetaj me detyrë anëtarë të komisionit të marrjes në dorëzim, kolaudimit, rezulton se kanë marrë në dorëzim medikamentet për repartin e Hemodinamikës në kundërshtim me kushtet e kontratave të lidhura në vitin 2016-2017, që përcakton rregullat e marrjes në dorëzim në lidhje me datën e skadencës, konkretisht “Data e skadencës në ditën e lëvrimit të mallit, duhet të jetë sa 2/3 e kohës ndërmjet datës së prodhimit dhe asaj të skadencës”.
Te arrestuar
Pas nje hetimi dymujor te Prokurorise Shkoder ne bashkepunim me drejtorine e policise me kerkese te Prokurorise Shkoder u caktuan dhe ekzekutuan masa sigurie per shtetasit e meposhtem perfshi drejtues te Spitalit Rajonal Shkoder me akuzen per shperdorim detyre:
1-Arrest burg si dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” per Perparim Cela mjek (caktuar dhe ekzekutuar)
2-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” Dh.U (shpallur ne kerkim)
3-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” per Luan Dragusha mjek (caktuar dhe ekzekutuar)
4-Arrest shtepi dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” per Karmen Kaculini farmaciste .(caktuar dhe ekzekutuar)
5-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” per Renato Kepi infermier te hemodinamika (caktuar dhe ekzekutuar)
6-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” per E.S. mjek (shpallur ne kerkim)
7-Arrest ne shtepi dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” per Amanda Matlija (caktuar dhe ekzekutuar)
8-Arrest shtepie dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” per Juliana Zhuri (caktuar dhe ekzekutuar)
9-Arrest shtepie dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” per Albana Mehmetaj (caktuar dhe ekzekutuar).