Nga Boldnews.al
Përplasjet ndërmjet banorëve të Jalës dhe zyrtarëve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), të cilët kundërshtonin prishjen e godinave të tyre, nxorën në skenë Fatmir Metën, ish-shefi i Komisariatit të Tropojës, në kohën e vrasjes së Azem Hajdarit. Meta, rezulton të jetë i ricikluar në administratën e lartë shtetërore gjatë qeverisjes së Edi Ramës, duke u emëruar Kryeinspektor i IKMT-së së Vlorës.
[fbvideo link=”https://sq-al.facebook.com/SaliBerisha/videos/285654305589525/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]
Fatmir Meta ishte shumë aktiv gjatë të martës duke u përplasur fizikisht me banorët e Jalës, si edhe duke kërcënuar deputetët e Partisë Demokratike, Agron Shehaj e Nada Meçorapaj, të cilët gjendeshin në vendngjarje për të mbështetur qytetarët nga abuzimi i strukturave shtetërore.
Emri i Fatmir Metës ka qenë shumë i njohur vite më parë. Ai ishte shef i Komisariatit të Tropojës në vitet 1997-1998, kohë kur qyteti ishte arenë e përplasjeve të përgjakshme ndërmjet dy grupeve rivale.
Fatmir Meta, pavarësisht funksionit të tij policor në atë kohë, rezulton se u ka dhënë ndihmë atentatorëve të deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ai ishte një ndër personat e arrestuar për ngjarjen, e cila konsiderohet si “vrasja e shekullit”.
Në vendimin e gjykatës, rezulton se Fatmir Meta, i cili ditën e vrasjes (12 shtator 1998) gjendej në Tiranë, është takuar me Jaho Mulosmanin, i cili tashmë është dënuar me burgim të përjetshëm, si një prej organizatorëve dhe atentatorëve kryesorë të Azem Hajdarit.
Gjatë takimit në Tiranë, Jaho Mulosmani i ka kërkuar Fatmir Metës makinën tip “Fuoristradë” me logo dhe sinjale policie, të cilën ky i fundit e mbante për shkak të detyrës së tij si shef Komisariati në Tropojë. Gjithashtu, Fatmir Meta rezulton se i ka dhënë Jaho Mulosmanine dhe telefonin e tij celular, të cilin gjithashtu e kishte për shkak të detyrës së tij zyrtare.
Disa orë më vonë, makina dhe telefoni i Fatmir Metës i kanë shërbyer Jaho Mulosmanit që, pas vrasjes së Azem Hajdarit, të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, si edhe, me anën e celularit, të komunikonte me bashkëpunëtorët e tij në krim.
Në vendim e gjykatës përshkruhet me detaje momenti i vrasjes së Azem Hajdarit. Mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, makina e Fatmir Metës me fenelina policie, e cila drejtohej nga Jaho Mulosmani, kishte ndaluar pranë selisë së Partisë Demokratike. Atentatorët i kanë zënë pritë deputetit Hajdari dhe e kanë qëlluar, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Menjëherë pas atentatit, Mulosmani ka komunikuar në telefon me bashkëpunëtorët e tij, të cilët gjendeshin në dy automjete të tjera dhe, të gjithë bashkë janë nisur drejt Tropojës, ku kanë mbërritur mëngjesin e ditës tjetër.
Rrugëtimi i atentatorëve ka qenë i pashqetësuar, për faktin se treshja e makinave drejtohej nga makina me logo dhe sinjale policie e Fatmir Metës.
Për shkak të ndihmesës që u dha atentatorëve, Fatmir Meta ishte zyrtari më i lartë policor që u arrestua për “vrasjen e shekullit”. Gjithësesi, ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Prokuroria e kundërshtoi vendimin e pafajësisë ndaj Fatmir Metës, por gjithësesi, edhe Gjykata e Apelit e shpalli përfundimisht të pafajshëm, pavarësisht se mjeti i tij policor u shërbeu atentatorëve të Azem Hajdarit që të largoheshin qetësisht nga vendi i krimit.
Shumë vite pas kësaj ngjarjeje, emri i Fatmir Metës nuk u lakua në ambjente publike. Kjo, deri të martën e kësaj jave, kur ai u shfaq kërcënues ndaj banorëve të Jalës dhe deputetëve të opozitës.