I tmerrshmi xhihadisti John i njohur për prerjen e kokave ka qëndruar për gati 2 javë në Shqipëri dhe më pas ka kaluar pa problem në Rinas duke paraqitur pasaportën e tij.
Gazeta britanike “Telegraph” pretendon se i frikshmi “Xhihadisti John”, ka qëndruar në Shqipëri përpara se të nisej në drejtim të Sirisë.
Revista e militantëve islamikë ka ka publikuar dëshminë e një miku të tij.
“Qëndrimi i “Xhihadistit John” në Shqipëri ka qenë transit pasi synimi ishte vijimi i rrugës drejt Sirisë, duke kaluar nëpërmjet Kosturit në Greqi dhe më pas ka marrë një autobus për në qytetin port të Selanikut. Nga aty është nisur me varkë për në Turqi, ku edhe ka takuar ndërmjetës të ISIS për të shkuar më pas në Siri.
Xhihadisti ka arritur të udhëtojë nëpër Evropë me pasaportë britanike, duke vënë në “lojë” në një far mënyre shërbimet e sigurisë”, shkruan “Telegraph”.
Mohammed Emwazi, u filmua duke prerë kokat e pengjeve perëndimore, dhe një mik i tij gjithashtu ka arritur të largohet nga Britania në vitin 2013, pa rënë gjithashtu në “sytë” e autoriteteve.
Miku i “Xhihadistit John”, ka treguar se me të mbërritur në Shqipëri, gjithçka kishte shkuar mirë dhe pasaportat u vëzhguan me kujdes. Ai thotë se një grua në sportel e pyeti se pse vizitonte Shqipërinë.
“Siç e kisha menduar më parë, i thashë se isha thjesht transit për disa ditë, para se të shkoja për ne ishullin e Korfuzit. Ajo me pyeti menjëherë, nëse njihja ndokënd në Shqipëri dhe unë mohova, duke thënë se këtu isha tranzit. Pas kësaj më la të kaloja. Abu Muharib dhe unë dolëm nga aeroporti që ishte në periferi të kryeqytetit te Shqipërisë, Tiranës. Menjëherë morëm një taksi dhe u nisëm për në qendër të qytetit, për të gjetur një hotel, ku të kalonim natën”, rrëfen ai.
Ai tregon se të nesërmen, ndryshuan hotel në mënyrë që të mos binin në sy.
“Pas 4 ditësh që ishim në Shqipëri, gjetëm një hotel tjetër ku treguam pasaportat tona false, për të rezervuar dhomën. Nisëm pastaj përpjekjet për t’u bashkuar me kontaktin tonë, që na ishte thënë, se do të na kalonte për në Turqi. Javën e parë nuk morëm asnjë përgjigje. Pas afërsisht një jave, arritëm të kemi një përgjigje, por duhej të prisnim ende një javë tjetër për t’u takuar. Gjatë kësaj kohe ne iu rikthyem një kontaktit tonë në Britani, për ta njoftuar se gjërat kishin ecur më ngadalë nga sa e kishim parashikuar dhe se duhej gjetur një mënyrë tjetër për të kaluar në Turqi”, thekson ai gjithashtu.
Në rrëfimin e tij, ai tregon se nuk mund të rrinin në hotel gjithë ditën pasi mund të binin në sy.
“Dolëm nëpër dyqane për të blerë rroba që na ndihmuan të dukemi se ishim vërtetë për pushime. Kërkuam në internet për rrugë apo mënyra të ndryshme që përdornin njerëzit për të kaluar kufirin, në mënyrë klandestine. Studionim dokumente apo kërkonim zgjidhje alternative. Gjithashtu kontaktuam Abu Usamah, që kishte qenë më parë në Sham, për ta mbajtur të informuar. Gjithashtu mund t’i kishim thënë vëllezërve në Ballkan, që ishin bashkë me të, nëse njihnin vëllezër të tjerë që të na ndihmonin sit ë kalonim për në Turqi”, shton ai.