Nga Besart Kadia
Debati i brendshëm në Britaninë e Madhe sot vërtitet rreth referendumit popullor që do të mbahet në pak kohë, nëse qytetarët do të votojnë të qëndrojnë në BE dhe të influencojnë klubin europian nga brenda, apo do votojnë të largohen dhe të bashkëpunojnë me BE-në si Zvicra apo sipas ministrit të Drejtësisë Gove, si Shqipëria.
Fushata ndahet në dy kampe: Ata që duan të qëndrojnë në BE dhe ata persona që mendojnë se janë më mirë pa BE dhe që njihen si kampi Brexit. Pikërisht këta të fundit kanë përfshirë dhe Shqipërinë në debatin e brendshëm, duke hedhur dritë me anë të mediave të tyre të fuqishme mbi modelin shqiptar apo Shqentry: Shqipëria do të futet në Europë.
Shqipëria si vend në zhvillim nuk ka pasur kurrë më parë ndonjë rëndësi në diskutimet britanike për modelin e saj ekonomik apo politik. Në fakt ajo s’është përmendur as në kohën e Grexit, mundësia e Greqisë për të dalë nga Eurozona. As në krizën e PIGS (derrat në Anglisht) akronimi për Portugalinë, Italinë, Greqinë dhe Spanjën gjatë krizës ekonomike të viteve 2009-2010 në Europë.
Ne s’jemi përmendur as për krizën e vendeve BRIC ( tulla) vendet në zhvillim si Brazili, Rusia, India dhe Kina. Në këtë botë të shpejtë mediatike, ku mendimet shpesh nuk duhet të kalojnë 140 fjalët e Twitter, gazetarët e mediave, kryesisht britanike, japin etiketime për shtete apo aktorë ekonomikë që më pas bëhen trend dhe pranohen si terminologji në mbarë botën. Dhe kampi Brexit nxiti diskutimin për modelin shqiptar dhe kur erdhën këtu, panë instalimin e modelit Shqentry, që sipas Daily Mail “duhet të jesh gomar që të duash të ndjekësh modelin shqiptar, kur Britania të dalë nga BE”.
Gazetari Ian Birrel, me të cilin u takuam në Tiranë, ishte mik i ministrit të Drejtësisë Gove dhe bashkëpunonte me të për reformën në burgje, por kjo nuk e ndalonte Birrelin të ishte i drejtpërdrejtë me ministrin e tij, si një mik, se Shqipëria nuk është shembull për t’u marrë. Sepse sipas tij, Shqipëria është e varfër dhe pothuajse gjysma e popullsisë jeton në varfëri, me sektor bujqësor të prapambetur, me politikanë të korruptuar e arrogantë dhe që përbën vetëm 0.1% të tregtisë me BE-në dhe që ka çerekun e popullsisë në emigrim. Për të tëra këto arsye: Mos ndiqni modelin shqiptar ishte thirrja e gazetës Daily Mail, ndër më të ndjekurat në Angli.
Por nga ana tjetër, gazetat shqiptare na flasin përditë për Shqentry ose modelin e suksesshëm rilindës për Shqipërinë. Ka një kontradiktë të fortë mes Brexit, e cila do që Britania të largohet nga BE për të rritur sovranitetin e saj politik, dhe Shqentryt, që është e gatshme të ofrojë shumë nga sovraniteti i saj për shkak të inferioritetit ekonomik dhe mungesës së traditës për të krijuar institucione demokratike. Shqentry është modeli i një shteti të varfër, që tërheq pak ose shumë pak vëmendjen e investitorëve të huaj.
Shqentry është modeli i një vendi që konkurrencën nuk e ka me fqinjët e me të ardhmen, por e ka me të shkuarën e kundërshtarin e brendshëm politik. Shqentry bazohet në kontradiktën e fortë logjike, ku thotë se pavarësisht rritjes së papunësisë nga 13% në 2013 në 17.3% në 2016, ajo ka mundur të krijojë 173 mijë vende pune. Ky model të lejon të pretendosh se ndërkohë që ke bërë taksat më të larta në rajon, shteti ka mundur të thithë më shumë investitorë të huaj. Modeli Shqentry të thotë se ka rritje ekonomike, se ka investime të huaja, se ka ulje të varfërisë, se ka shtet dhe se ka shërbime cilësore shtetërore dhe falas.
Shqentry është model ballkanik qeverisjeje, ku kryeministri qëndron mesatarisht 2 orë live në TV në ditë dhe mpin mendimin dhe aftësinë për të reflektuar. Modeli Shqentry përdor policinë për të mbledhur taksa dhe burgos të papunët që s’paguajnë drita. Në këtë model nuk kërkohet asnjëherë ndjesë, sepse asnjëherë nuk gabojnë, por kërkohen fajtorë në gjithçka e këdo që nuk ndan mendimin me ideuesit e këtij modeli, që kërkon të hyjë në Europë, por të vetmit investitorë janë kinezë. Duhej Brexit që të ekspozonte modelin e dështuar Shqentry.