I nxehti i gushtit kishte shpërndarë të gjithë në pushime, por jo gazetaren Klodiana Lala. Ishte data 17 gusht kur gazetarja e News 24 do të publikonte dosjen e prokurorisë ku ishin të zbardhura përgjimet mes Jurgis Çyrbjes, ish-zyrtar i lartë i hipotekës në Durrës, aktualisht deputet i Partisë Socialiste dhe një anëtari të bandës së Emiljano Shullazit.
Pjesë nga teksti i lajmit të gazetares Klodiana Lala
“Referuar dosjes hetimore rezulton se menjëherë sapo një oficer i policisë gjyqësore shkoi në zyrat e hipotekës në Durrës për të sekuestruar praktikën e regjistrimit të ish-hotel Vollgës, Çyrbja telefonon Gilmando Danin, i konsideruar si krahu i djathtë i Shullazit. Ligjvënësi e informon atë, se prokuroria ishte vënë në lëvizje dhe shprehte shqetësim për këtë fakt. “E kemi keq punën. Lidhet me detyrën time”, dëgjohet Çyrbja t’i thotë të pandehurit. Po atë ditë, prokurorët e ftuan Çyrbjan, të jepte shpjegime ne cilësinë e personit qe kishte dijeni për rrethanat e hetimit. Pasi mbaron rrëfimin e tij, pa kapërcyer rrethimin e godinës së xhamtë, ligjvënësi telefonon sërish Gilmando Danit dhe i kërkon të takohen. Nga ai moment deputeti dhe i dyshuari nuk rezultoi të kenë folur më në telefon. Pak muaj me vonë të Çyrbja u ballafaqua në sallën e gjyqit me Shullazin dhe të pandehurit e tjerë duke dhënë dëshminë e tij. Ai foli asokohe edhe për një takim që kishte pasur me Emiljano Shullazin, për çështjen e ish-hotel Vollgës, por nuk pranoi të kishte pasur komunikime me miqtë e tij përmes telefonit, ku i informonte për gjithë sa ndodhte. Prej atëherë ka kaluar jo pak kohe. Çyrbja vazhdon i qetë jetën parlamentare. Ndërkohë Shullazi dhe miqtë e tij, ndaj të cilëve rëndojnë akuza të rënda, si gjobëvënie apo shkatërrim prone me eksploziv presin shtatorin për të dëgjuar pretencën e prokurorisë. Në këto muaj kur vettingu në gjyqësor ka dhënë frytet e para, e pritet që ky proces të nisë edhe në polici, pyetja e madhe që shtrohet është: A ka ardhur koha për vetting në politikë?”
Reagimi i Jurgis Çyrbja
Korrekt para ligjit dhe para zgjedhësve Jam i detyruar të jap një shpjegim publik si detyrim nga zgjedhësve të mij mbi atë çfarë në media është transmetuar dhe më pas është keqpërdorur si gjithmonë nga opozita pa ekip dhe pa lidership. Gjithçka pretendohet sot i kam sqaruar në prokurori dhe në dëshminë time përpara organeve të drejtësisë më shumë se një vit më parë.
Dua te informoj publikun se kjo është një çështje e hetuar nga Prokuroria ku unë kam dhënë të gjithë informacionet dhe dëshmitë. Ata që sponsorizojnë lajme vere, nuk do të arrijnë qëllimin për të dëmtuar imazhin tim dhe të grupit parlamentar ku kam nderin të bëj pjesë, sikundërse nuk e arritën edhe para një viti me po të njëjtin lajm vere.