Ka hyrë në fuqi udhëzimi nr. 602, datë 1.8.2018 i ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, për procedurat dhe dokumentacioni për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale.
Sipas udhëzimit të ministres, procedura e marrjes së statusit iniciohet nga vetë organizata jofitimprurëse me anë të një kërkesë drejtuar ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale. Kërkesa duhet të jetë në formë të shkruar dhe duhet të përmbajë edhe një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së organizatës dhe parashtrim të arsyeve se si organizata përmbush kriteret ekonomike dhe sociale të parashikuara në ligj për ndërmarrjet sociale.
Udhëzimi parashikon që kur një ndërmarrje sociale ushtron veprimtari për të cilat nevojitet licencë, pajisja me licencë, sipas përcaktimeve ligjore që rregullojnë licencimin, duhet të sigurohet përpara aplikimit për marrjen e statusit.
Krahas kërkesës për marrjen e statusit, subjektet e interesuara duhet të paraqesin vërtetim të lëshuar, jo më vonë se tre muaj para datës së aplikimit, nga Zyra e Regjistrimit të OJF-ve te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, një kopje të statutit dhe aktit të themelimit dhe një vendim të organit më të lartë vendimmarrës të organizatës jofitimprurëse ku të shprehet qëllimi i organizatës për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale.
Gjithashtu, subjekti i interesuar për të marrë statusin e ndërmarrjes sociale duhet të paraqesë dokumente të tjera që vërtetojnë përmbushjen e kritereve ekonomike e sociale, kopje të licencës, nëse do të jetë rasti si dhe një kopje të pasqyrave financiare të vitit paraardhës në rast se organizata e ushtron aktivitetin prej më shumë se një viti. Ndërkaq, nëse dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë ose kur vlerësohet e arsyeshme, strukturat përkatëse mund të kërkojnë dokumentacion shtesë përveç atij të paraqitur nga kërkuesi.
Verifikimi
Udhëzimi parashikon që nëse vlerësohet e nevojshme, gjatë procedurës së vlerësimit të kërkesës, strukturat përkatëse pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale mund të kryejnë vizitë vlerësuese në mjediset ku ushtron veprimtarinë organizata.
Në çdo rast kërkuesit njoftohen për vendimin e njohjes apo refuzimit të statusit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rast të përmbushjes së kritereve ligjore, njohja e statusit bëhet me urdhër të ministrit. Në rast të refuzimit të statusit, njoftimi duhet të përmbajë edhe arsyet e refuzimit. Në rast të njohjes së statusit, organizata jofitimprurëse detyrohet të përdorë emërtimin “Ndërmarrje Sociale” përkrah emrit të organizatës”.
thuhet në udhëzim
Mundësitë e reja
Veprimtaritë e ushtruara nga ndërmarrjet sociale kontribuojnë në përmbushjen e objektivave socialë të sipërmarrjes, si: promovimi i përfshirjes sociale të kategorive në nevojë në këto veprimtari, inkurajimi i punës vullnetare, përfshirja e të rinjve në këto veprimtari, përmirësimi i kapaciteteve të shoqërisë për të ndërmarrë veprimtari novatore, që adresojnë çështjet sociale, ekonomike dhe mjedisore.
Veprimtaritë e ushtruara nga ndërmarrjet sociale krijojnë mundësi të reja për punësim dhe një mjedis inkurajues për integrimin social e riintegrimin profesional të grupeve të pafavorizuara në tregun e punës. Ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë në nivel lokal, duke ofruar mallra e shërbime në përputhje me nevojat e komunitetit dhe në kuadër të parimit të deinstitucionalizimit të funksioneve të njësisë së qeverisjes vendore
Kriteret ekonomike
1. Ndërmarrja sociale duhet të ushtrojë në mënyrë të vazhdueshme një veprimtari në fushën e prodhimit të mallrave dhe/ose ofrimit të shërbimeve.
2. Të paktën, 20 për qind e të ardhurave, pas vitit të dytë të aktivitetit dhe, të paktën, 30 për qind e të ardhurave, pas vitit të tretë e në vijim të aktivitetit, duhet të realizohen nga veprimtaritë e parashikuara në nenin 10 të këtij ligji.
3. Në veprimtarinë e saj ndërmarrja sociale,
përveç kontributit të vullnetarëve, duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe, të paktën, 3 punonjës me pagesë.
4. Të ardhurat e realizuara nga veprimtaria ekonomike e ndërmarrjeve sociale i shërbejnë zgjerimit të vazhdueshëm të veprimtarisë së tyre.
Kriteret sociale
1. Ndërmarrja sociale synon nxitjen e objektivave socialë në një fushë veprimtarie të mirëpërcaktuar.
2. Të paktën, 30 për qind e punonjësve të punësuar në ndërmarrjen sociale duhet t’i përkasin kategorisë së grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike.
Veprimtaria që ushtrojnë ndërmarrjet sociale
-Në fushën e shërbimeve shoqërore, veprimtari që lidhen me shërbime të kujdesit shoqëror, të cilat ofrohen në qendrat rezidenciale, qendrat ditore, në shtëpi dhe në komunitet, sipas parashikimeve ligjore përkatëse;
-Në fushën e shërbimeve shëndetësore, veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit, të aktiviteteve fizike e sporteve amatore, për qëllim socializimi e argëtimi;
-Në fushën e promovimit të turizmit, shërbime në bar-restorante-hoteleri, guida turistike dhe shërbime të turizmit social për personat, të cilët nuk kanë mundësi të vizitojnë atraksionet turistike për shkak të kushteve shëndetësore ose të jetesës;
-Në fushën e veprimtarive kulturore, veprimtari që lidhen me artin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre;
-Në fushën e mbrojtjes mjedisore, veprimtari që lidhen me ruajtjen e mjedisit nga ndotja e dëmtimi nga aktiviteti njerëzor dhe veprimtaritë ekonomike, për të garantuar një mjedis të shëndetshëm për qytetarët;
-Në fushën e kualifikimit dhe të ndërmjetësimit për punësim, veprimtari për promovimin e trajnimit profesional, veprimtari edukative e të ndërmjetësimit për punësim për personat që përfshihen në kategoritë e grupeve të pafavorizuara.
-Ndërmarrjet sociale kryejnë edhe veprimtari tregtimi mallrash apo shërbimesh, të ofruara nga veprimtari të ndërmarrjeve të tjera sociale, produkte për personat e pafavorizuar, produkte të prodhuesve të vegjël nga zona të thella apo të pafavorshme nga ana mjedisore, si dhe të tjera veprimtari në mbështetje të ndërmarrjeve të tjera sociale.
-Në fushën e prodhimit, ndërmarrjet sociale kryejnë veprimtari që lidhen me prodhimin artizanal të një game të gjerë mallrash e produktesh që i shërbejnë komunitetit dhe, veçanërisht, produktesh që kanë për qëllim krijimin e lehtësive për personat e pafavorizuar.