Eksperti amerikan David L. Phillips, në një intervistë për ‘Deutche Welle’, ka deklaruar se është kundër një ndarjeje etnike të kufijve të Kosovës, ndërsa ka shtuar se Serbia thjesht po zvarrit zgjidhjet.
“Kombet e Bashkuara mbështesin dialogun Kosovë- Serbi që nxitet nga Bashkimi Evropian. Dialogu është krijuar për të negociuar masat që duhen marrë për krijimin e besimit dhe adresimin e çështjeve teknike që çojnë në njohjen e Kosovës me kufijtë ekzistues. Deri më sot Serbia nuk i ka luajtur këmbët, po zvarrit zgjidhjet.
Puna e OKB-së nuk është krijimi i vendeve. Ndarja etnike do t’i jepte fund Kosovës si shoqëri multi-etnike. Shumë vetë kanë humbur jetën për parimin e pluralizmit. Prej tij nuk duhet hequr dorë”, tha eksperti amerikan.
Në këtë intervistë, Phillips ka shtuar se Kosova nuk do të kalojë territore te Serbia, ndërsa është dakord për marrjen e territoreve shqiptare në Preshevë.
“Territoret në veri të lumit Ibër në Kosovë janë zënë me forcë dhe me spastrim etnik. Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë pozicionin e vet. Nuk do të marrë pjesë në bisedime për të bërë legalizimin e kalimit të këtyre territoreve Serbisë. Statusi i territoreve shqiptare në Preshevë dhe pjesë të tjera të Serbisë do të jetë e vetmja që do të përfshihet në korrigjimin e kufijve”, tha eksperti amerikan.
Sipas Phillips, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin pozicionin e qeverisë së Kosovës, pasi kosovarët të kenë diskutuar çështjet dhe të kenë mbërritur në një marrëveshje.













