Nga Boldnews.al
Arben Ahmetaj, ministri i qeverisë “Rama” që i ka shumë për zemër projektet Partneritet Publik Privat (PPP) rezulton të jetë një “magjistar” i vërtetë edhe në tregun e pasurive të paluajtshme.
Ai rezulton të jetë një ndër ministrat dhe zyrtarët e lartë më të pasur në Shqipëri, sipas të të dhënave të vetëdeklaruara prej tij në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Arben Ahmetaj ka deklaruar pasurinë për herë të parë në fillim të vitit 2010, kur mori mandatin e deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, nën siglën e Partisë Socialiste. Nga të dhënat e vetëdeklaruara prej tij, Ahmetaj dhe bashkëshortja rezultonin se kishin në pasuri të madhe, të krijuar nga aktivitetet e tyre në sektorin privat apo në projekte të huaja. Formulari i pasurisë “para fillimit të detyrës” të Arben Ahmetaj gjendej në portalin “deputetim.al”.
Ndër pasuritë e deklaruara, rezultonte edhe një tokë arë, 3000 m2, në periferi të Tiranës, blerë nga Arben Ahmetaj, në vlerën e 3 milionë lekë të reja. Pra, çmimi i asaj tokë ishte rreth 1 mijë lekë të reja për m2 ose, e thënë ndryshe, një kafe e ujë në lokalet dhe hotelet e shtrenjta të Tiranës, të frekuentuara më së shumti nga Ahmetaj.
Të gjithë shumën për blerjen e kësaj toke, Arben Ahmetaj e ka paguar nëpërmjet një kredi, të marrë në një bankë të nivelit të dytë. Referuar pasurisë së deklaruar prej tij, Ahmetaj nuk duket se kishte nevojë për blerjen e kësaj toke, vetëm në rastet se ai synonte që më pas të investonte aty ose ta ri-shiste.
Kjo e dyta, pra ri-shitja, duket se është mundësia më e madhe. Në formularin e pasurisë, dorëzuar në mars 2018, tashmë ministër, Arben Ahmetaj ka kryer rivlerësimin e kësaj toke. Vlera e saj, gjithnjë sipas formularit të pasurisë, publikuar në “Opendata.al”, thuajse është 20 fishuar. Arben Ahmetaj shkruan: “Rivlerësim i pasurisë tokë arë, Tiranë. Çmimi i rivlerësimit është 130 euro/m2. Në total, vlera e saj është 390.000 euro ose 54 milion lekë të reja.
Bëhet fjalë për të njëjtën tokë, të cilën ministri i “konçensioneve” e ka blerë në vitin 2009 me 1 mijë lekë të reja m2. Ndërsa në vitin 2018, vlera e kësaj toke, sipas rivlerësimit, është 18 mijë lekë të reja për m2.
Procesi i rivlerësimit synonte që të ulte kostot e pronarëve të pasurive të paluajtshme, në rastet kur ata synonin t’i shisnin pronat e tyre. Për këtë proces, pronarët duhet të paguanin një kosto, e cila ishte më e vogël se sa do të shpenzonin në rastet se e shesin pronën pa kryer rivlerësimin e saj. Pra, i gjithë procesi i rivlerësimit lidhet kryesisht me personat që duan të shesin pronën e tyre.
Pra, logjika shkon tek fakti që edhe ministri Ahmetaj synon të shesë pronën e tij 3000 m2. Nisur nga koefiçienti i rivlerësimit, pasuria e tij, megjithëse e fshirë nga formularët e publikuar të pasurisë, duhet të jetë në një zonë të preferuar të Tiranës. Rritja me 20-fish e vlerës së pronës së ministrit Ahmetaj tregon se ajo është në një zonë të preferuar për zhvillim.
Këtu lind edhe pikëpyetja e madhe: A është reale vlera e blerjes së saj, në shumën 3 milionë lekë të reja? A është treguar i sinqertë ministri “i konçensioneve”, kur ka deklaruar në fillimet e tij si deputet që vlera e tokës që ai ka blerë është vetëm 1 mijë lekë të reja për metër katror?
Në fillim të vitit 2017, kur po zhvillohej procesi i rivlerësimit të pronave të paluajtshme, i drejtuar dhe orientuar nga ministria e Financave e Arben Ahmetaj, ai u shpreh: “Rivlerësim i pasurive të paluajtshme është një tjetër politikë në mbështetje të qytetarëve që po funksionon….”.
Duke parë formularin e pasurisë së ministrit Ahmetaj, duket qartë që kjo politikë është në mbështetje të pasurive….të tij. Ai, pasi ka shpenzuar vetëm 3 milionë lekë të reja në vitin 2009, tashmë e sheh se, nëpërmjet mekanizmave të hartuar prej vetë tij, vlera e tokës i është 20-fishuar.
Ministri Arben Ahmetaj paska rezultur me “shumë fat”. Nëpërmjet ligjit të hartuar prej vetë tij, ai përfitoi plot 390 mijë euro pa bërë asgjë. Kjo është një “colpo grosso”, siç e quajnë italianët-është njëlloj si të fitosh në kazino pa shpenzuar asnjë monedhë. Këtë e realizon vetëm ministri shqiptar i Financave, Arben Ahmetaj.