Shumë institucione të Kosovës, besohet se kanë nevojë për procesin e verifikimit, i njohur në termat ndërkombëtar edhe si “vetting”. Verifikimi, sipas njohësve të sistemit të drejtësisë shihet si i domosdoshëm sidomos për gjyqësorin, prokuroritë dhe organet e ndjekjes penale në përgjithësi. Ky proces i verifikimit synon nxjerrjen e personave të korruptuar jashtë sistemit të drejtësisë. Ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjyqtari Hamdi Ibrahimi tha për Radion Evropa e Lirë, se çdo proces që ka të bëjë me verifikimin, që mund të ndihmojë në përmirësimet në sistemin e drejtësisë, duhet të përkrahet.
“Ky proces duhet të jetë i vazhdueshëm dhe duhet të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, në kuptimin e asaj që të mos bëhet për interesa grupore, partiake ose të interesave të caktuar. Mendoj se duhet të përfshihen në procesin e verifikimit (vettingut) jo vetëm gjyqtarët e prokurorët, po edhe personat e tjerë të cilët janë të përfshirë në sistemin e drejtësisë. Nuk do të mund të ketë proces të mirëfilltë të verifikimit (vittingut), nëse nuk përfshihen të gjithë personat që në çfarëdo forme janë të lidhur me sistemin e drejtësisë”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi thekson se gjendja në sistemin e drejtësisë nuk është aq alarmante që të kërkohet me urgjencë të bëhet një pastrim apo verifikim, por sipas tij, këtij procesi nuk duhet t’i ikë asnjë gjyqtar apo prokuror.
“Ne si gjyqtar duhet të kemi parasysh se i nënshtrohemi kontrollit të shoqërisë, opinionit, mediave, shoqërisë civile dhe është një proces që mendoj se do të ndikonte pozitivisht në autoritetin e drejtësisë, në autoritetin e vendit dhe nuk dua të besoj që ndonjë gjyqtar, prokuror ose ndonjë person nga sistemi i drejtësisë, që nuk e përkrahë këtë proces”, tha Ibrahimi.
Gjyqtari Ibrahimi thotë se një proces i tillë do të kishte sukses në rast se bëhet nga persona kredibil, njerëz me duar të pastra, nga njerëz të profesionit dhe nga ata që as sot as nesër nuk ndikohen nga asnjë interes. Tek e fundit, pohoi Ibrahimi, “vettingu” duhet të bëhet në interes të vendit.
“Kosova ka kuadro për një “vetting” të mirëfilltë. Ka njerëz të shkencës e dijes. Ka njerëz që me punën e tyre kanë reflektuar me një pastërti dhe me dije të lartë profesionale, por për fatin tonë kolektiv këta njerëz shumë rrallë vijnë në shprehje”, tha Ibrahimi.
Kurse, Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi thotë për Radion Evropa e Lirë, se nga monitorimet e bërë vërehet se te bartësit e institucioneve në sistemin e drejtësisë, ka mungesë të integritetit.
“Besueshmëria e ulët në sistemin e drejtësisë, në këtë rast të prokurorët dhe gjyqtarët, është nevojë që të ketë një “vetting” për të pasur figura të pastra të cilët bëjnë ndjekje dhe gjykojnë në sistemin e drejtësisë. Kjo është një domosdoshmëri dhe një proces i cili duhet të fillojë sa më parë me përgatitjet e kornizës ligjore, në mënyrë që të verifikohen fije për peri të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Musliu.
Kohë pas kohe, nga zyrtarët e institucioneve dhe partive politike ka pasur pohime se në Kosovë sa më parë duhet të ketë një verifikim, por Ibrahimi thotë se jo të gjithë e duan një drejtësi të mirëfilltë në vend.
“Sa herë që flasim për këtë proces [verifikimin], duhet ta kemi parasysh që ky proces bart pas vetes rrezikun që dikush ta përdorë si proces edhe, siç thotë populli, t’i laj[ kusuret me ata që janë brenda e janë ‘të padëshiruar’ dhe të sjellin njerëzit e vet. [Në një rast të tillë], ky kishte me qenë një proces shumë degradues për vendin”, tha Ibrahimi.
Musliu në anën tjetër, thotë se ky proces duhet të bëhet me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në Policinë e Kosovës.
“Verifikimi duhet të mbahet me ndihmën e faktorit ndërkombëtar sepse politika jonë në Kuvendin e Kosovës, çfarëdo ndryshimi që mund të bëjë dhe çfarëdo procesi të “vettingut” që mund të ndryshojë, nuk mund të ketë integritet të plotë, për të bërë përzgjedhjen e personave adekuat, sepse deri tash janë të njëjtit persona që kanë dëshmuar se kanë ushtruar ndikim të vazhdueshëm në sistemin e drejtësisë “, tha Musliu.
Pavarësisht disa iniciativave dhe deklaratave të disa përfaqësuesve politikë, ende nuk është bërë asgjë konkrete as në lidhje me me Ligjin për lustrim.
Njohës të sistemit të drejtësisë në Kosovë, konsiderojnë se ende nuk ka një klimë të favorshme politike në Kosovë për procedimin dhe miratimin e këtij ligji.
Këshilli i Evropës ka aprovuar kohë më parë dy rezoluta me anë të të cilave kërkon që gjatë hartimit të Ligjit të lustrimit të respektohen parimet e një shteti ligjor, zbatimi i ligjeve të lustrimit, apo të masave administrative përkatëse.(rel)