Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka reaguar ndaj vendimit të SHBA-ve për vendosjen e sanksioneve ndaj ministrave turq, duke u shprehur se, “Protestojmë fuqishëm vendimin e Departamentit Amerikan të Thesarit për sanksione ndaj shtetit tonë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë thuhet se protestohet fuqishëm vendimi i Departamentit Amerikan të Thesarit për sanksione në lidhje me Turqinë. “Vendimi në fjalë i cili si objektiv merr dy ministrat tanë nuk është në përputhje as me seriozitetin shtetëror, e as nuk mund të shpjegohet me parimet e ligjit dhe të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
“Nuk ka dyshim se ky vendim, i cili ka cilësinë e ndërhyrjes në mënyrë të parespektueshme ndaj sistemit tonë ligjor, është në kundërshtim me natyrën e marrëdhënieve tona me SHBA-të dhe se do të shkaktojë një dëm të madh ndaj përpjekjeve konstruktive të cilat po vazhdojnë në drejtim të zgjidhjes së problemeve në mes të dy shteteve. Iu bëjmë thirrje administratës amerikane që të kthehet nga ky vendim. Përgjigja ndaj qëndrimit agresiv në fjalë, i cili nuk do t’i shërbeje asnjë qëllimi, do t’iu kthehet njëjtë (SHBA-ve) pa u vonuar”, theksojnë nga ministria e jashtme turke.
Po ashtu edhe ministri i jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në llogarinë e tij në twitter ka shkruar se, “Përpjekjet e SHBA-ve për të vendosur sanksione ndaj dy ministrave tanë nuk do të mbetet pa përgjigje”.
Deklarata për sanksione të Shtëpisë së Bardhë ndërhyn ndaj gjyqësorit të Turqisë
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders duke e treguar si arsyetim moslirimin e pastorit amerikan, Andrew Craig Brunson, gjykimi i të cilit po vazhdon në Turqi, kishte deklaruar se SHBA-të do të vendosin sanksione ndaj ministrit të Drejtësisë së Turqisë, Abdulhamit Gül dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu.
“Me urdhrin e presidentit, Departamenti Amerikan i Thesarit do të sjellë sanksione ndaj ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së Turqisë, të cilët kanë luajtur rol në arrestimin dhe burgimin e pastorit Brunson.”, tha Sanders. Sanders po ashtu ishte shprehur se do të bllokohen pasuritë e mundshme në SHBA të këtyre dy ministrave.
Edhe Departamenti Amerikan i Thesarit kishte njoftuar se Gül dhe Soylu janë vendosur në listën e sanksioneve “meqë drejtojnë institucionet të cilët luajnë rol në arrestimin e Brunsonit”. Sipas ligjeve të SHBA-ve, personave të cilët hyjnë në listën e sanksioneve iu ngrihen pasuritë e mundshme në SHBA, si dhe u ndalohet që të krijojnë marrëdhënie tregtare me amerikanët.
Aktakuza ndaj Brunson-it
Në aktakuzën e përgaditur nga prokurori në Izmir, Berkant Karakaya, ndaj pastorit amerikan Brunson, i cili u arrestua më 9 dhjetor të vitit 2016 me pretendimin se ka kryer vepër penale në emër të organizatave terroriste FETO dhe PKK, thuhet se ai nën imazhin e një kleriku ka kryer vepër penale në emër të organizatave terroriste në fjalë, ka qenë në bashkëveprim në kuadër të strategjive të tyre të përgjithshme dhe se ka bashkëpunuar me dëshirë dhe në dijeni të synimeve të këtyre organizatave.
Për Brunson pretendohej se kishte takuar me pjesëtarët e nivelit të lartë të FETO-s, duke i njohur emrat e tyre të koduara. Në këtë kuadër ai kishte biseduar dhe kishte përcaktuar strategji me të ashtuquajturin imam të rajonit Egje të organizatës, të arratisurin Bekir Baz dhe ndihmësin e tij Murat Safa, si dhe me të dyshuarin e arrestuar për të cilin është hapur padi për veprën penale “anëtarësim në organizatën e armatosur terroriste” Taner Kılıç, kryetar i Bordit të Amnesty International për Degën e Turqisë.
Në aktakuzë po ashtu përfshihen edhe përmbajtjet e mesazheve të pastorit Brunson të dërguara te ushtarët amerikanë, ku pastori shpreh pikëllimin e tij për dështimin e tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016.
Në dosje është shtuar mesazhi në telefonin e tij mobil ku thuhet se, “Ne prisnim disa ngjarje që do t’i tundnin turqit. U formuan kushtet e nevojshme për t’u kthyer te Jezusi. Tentativa për grusht shtet ishte një shok. Turq të shumtë, ashtu si në të kaluarën, iu besuan ushtrisë por kësaj here ishte shumë vonë. Dhe pas tentativës për grusht shtet kjo është një dridhje tjetër. Më duket se ngjarjet do të përkeqësohen. Në fund do të fitojmë ne”.
Edhe në hetimet teknike, 293 herë ishin zbuluar sinjalet të GSM-it në vende shumë të përafërta me njëri tjetrin, të dyshuarit Brunson me të dyshuarin e arratisur, i ashtuquajturi imami i rajonit Egje, Bekir Baz, për të cilin pastori pretendonte se nuk ishte takuar me të.