Bernd Riegert/
Dy vjet të shkuara, në 1 gusht 2016 hyri në fuqi marrëveshja informale për shkëmbimin e të dhënave personale midis Komisionit Evropian dhe qeverisë së atëhershme të SHBA. Marrëveshja me emrin “Privacy shield” (Mbrojtja e sferës private) u mundëson 3500 sipërmarrjeve që marrin pjesë në të në SHBA dhe në Bashkimin Evropian që të dërgojnë të dhëna, emaile dhe fotografi të klientëve të tyre matanë Atlantikut.
Komisioni Evropian ankohet se qeveria aktuale amerikane nën Donald Trumpin nuk e zbaton sipas marrëveshjes marrëveshjen për “Privacy Shield” dhe rrezikon me këtë mbrojtjen e të dhënave. Komisarja e Drejtësisë e BE, Vera Jourova i ka shkruar javën e kaluar ministrit amerikan të Tregtisë Wilbur Ross një letër ankuese duke i dhënë atij afat deri në fund të tetorit. Joureva kritikon ndër të tjera se pala amerikane nuk ka caktuar ende një person Të Ngarkuar, ku klientët evropianë të mund të drejtohen kur mendohet se kanë të bëjnë me shpërdorim të të dhënave të tyre.
Ministri i Tregtisë Ross përkundrazi, para disa muajsh e kritikoi si të tepruar mbrojtjen e të dhënave në Evropë. Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave që hyri në fuqi në maj rrezikon bizneset e sipërmarrjeve amerikane, u bë e ditur nga ministria e Drejtësisë.
Parlamenti Evropian: “Jo mbrojtje e mjaftueshme”
Parlamenti Evropian kërkoi në një rezolutë madje që marrëveshja për “Privacy Shield” për shkëmbimin e të dhënave të shfuqizohet që në 1 shtator dhe të përpunohet. Kryetari i Komisionit të Brendshëm në parlament, Claude Moares tha që në qershor se “Privacy Shield” nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme në kuptimin e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave dhe të Kartës së të Drejtave Bazë.
Marrëveshja “Privacy Shield” u mundëson sipërmarrjeve si “Facebook” ose “Google” qasje në të dhënat dhe në të gjitha përmbajtjet e përdoruesve të tyre në Evropë. Atyre u dëshmohet, pa i kontrolluar më tej, se përcaktimet e tyre për mbrojtjen e të dhënave janë në përputhje me kërkesa evropiane.
Nga ana e saj, qeveria amerikane ka pranuar detyrimin që të ketë qasje në të dhënat e Facebook-ut etj vetëm në gjashtë raste të formuluara disi turbull, për t’i analizuar këto të dhëna nga shërbimet e fshehta. Kjo synohet të pengojë një përgjim masiv të përdoruesve evropianë. Veç kësaj, administrata amerikane ka shpallur detyrimin që ta vëzhgojë më mirë mbrojtjen e të dhënave në sipërmarrjet amerikane dhe të ngrejë një instancë për ankesat.
Edhe “Privacy Shield” para gjyqit
Dy vjet më parë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë e shpalli të pavlefshme një rregullore të vitit 2000 të njohur me emrin “Safe Harbour”. Paditësi ishte avokati i ri Max Schrems nga Austria. Ai qe mbrojtur në Irlandë, ku e ka për arsye taksash rezidencën evropiane “Facebook”-u, kundër përdorimit të të dhënave të tij në Facebook. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut kritikoi atëherë se në SHBA nuk ka rregullore të ngjashme për mbrojtjen e të dhënave si në Evropë. Institucionet në SHBA kanë thuajse qasje të pafrenuar nga rregulla në të dhënat e Facebook-ut, yahoo-së, google etj. Prandaj marrëveshjet për shkëmbimin e të dhënave janë të mundura vetëm nën kushte të rrepta.
Ndërkohë Schrems është avokat për mbrotjen e të dhënave dhe aktivist për mbrojtjen e të dhënave. Ai e ka hedhur sërish në gjyq marrëveshjen e re “Privacy Shield” para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Se kur do të merret vendimi për këtë është e paqartë.
Zëvendëszëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lindsay Walter bëri të ditur se “administrata e Trumpit do të synojë që të paraqisë një projektligj për mbrojtjen e të dhënave private, i cili të ruajë balancën midis sferës private dhe efikasitetit ekonomik”. Kjo do të ndodhë deri në vjeshtë. Për momentin në SHBA nuk ka asnjë ligj federal që të rregullojë mbrojtjen e të dhënave.(dw)