Nga Boldnews.al
Reforma në Drejtësi në Shqipëri kishte në themel të saj dy objektiva kryesorë- pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar e të paaftë; dhe, krijimin e Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), e cila ka si objekt të saj hetimin e zyrtarë të lartë shqiptarë.
Më shumë se dy vjet pas ndryshimeve kushtetuese, të cilat i hapën rrugën miratimit të Reformës në Drejtësi, ligjet dhe procedurat përbërëse të saj kanë krijuar një amulli dhe kolaps në gjykata e prokurori, duke vonuar krijimin e një serie institucionesh të reja, përfshirë edhe SPAK-un.
Një situatë, e cila i shkon shumë për shtat qeverisë së Edi Ramës, e cila ka dëshmuar se nuk është aspak e imunizuar nga korrupsioni në të gjithë nivelet, kjo e konfirmuar jo vetëm nga burime të brendshme, por edhe raporte ndërkombëtare prestigjioze.
Ndaj, qeveria e Edi Ramës jo vetëm që nuk ka asnjë interes për krijimin e shpejtë të SPAK-ut, por, po bën gjithçka është e mundur për ta vonuar. Këtë qëllim po e arrin nëpërmjet institucioneve të Vetingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit, dy struktura, të cilat do të konfirmojnë kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), të cilat nga ana e tyre duhet të zgjedhin gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme.
Por, si po realizohet kjo vonesë me vullnet politik? Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK-shkalla e parë) ka nisur prej më shumë se 10 muajsh verifikimin për kandidatët për kandidatët për KLGJ dhe KLP, në total 57 subjekte, të cilët përbëjnë edhe listën prioritare.
Deri më tani, kanë dalë para trupës së vetingu rreth gjysma e tyre. KPK argumenton se procesi i rivlerësimit është i thellë dhe kërkon kohën e tij, pasi zhvullohet hetimi administrativ për tre komponentë- pasuria, integriteti moral dhe aftësitë profesionale.
Por, ky argument rrëzohet nga vetë seancat dëgjmore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të zhvilluara deri më tani. Janë më pas se gishtat e njërës dorë rastet kur KPK ka kryer verifikim mbi të tre kriteret e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në shumicën dërrmuese të rasteve të deritanishme, KPK ka kryer rivlerësimin e pasurisë, duke u shndërruar në një dublikatë të një institucioni ekzistues, Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive.
Pra, justifikimi mbi vonesën e procesit për shkak të ngarkesës, nuk qëndron. Por, gjithësesi, ai i shërben Komisionit të Vetingut që të vonojë qëllimisht të gjithë procesin e rivlerësimit të kandidatëve për KLGJ dhe KLP, një pjesë e konsiduershme e të cilëve ende nuk kanë dalë në seancë dëgjimore.
Nga ana tjetër, Komisioni i Vetingut, duke shfrytëzuar hapësirën ligjore për “listë prioritare”, shmangu nga përparësia e saj kandidatët për KLGJ dhe KLP e vijoi procedurat për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Tashmë, rezultati është i dukshëm- Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese dhe me një Gjykatë të Lartë në kolaps. Sërish, një favor që KPK i bëri qeverisë dhe maxhorancës parlamentare të Edi Ramës, të cilat tashmë janë jashtë çdo kontrolli gjyqësor për ligjshmërinë e veprimeve të saj.
Komisionet e Vetingut e kanë të qartë se, nëse do të përfundonin fillimisht rivlerësimin për anëtarët e KLGJ dhe KLP, tashmë do të ishin të çliruara mekanizmat për krijimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe SPAK-un, si edhe plotësimin e vakancave në gjykatat më të larta të vendit. Por kjo zgjidhje nuk ka qenë aspak në prioritetet e Komisionit të Vetingut, i cili, me mekanizmat e tij dhe me vonesat në zhvillimin e procedurave, ka bllokuar të gjithë sistemin e drejtësisë.
Vonesat në shkallën e parë të Vetingut reflektohen edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (shkalla e dytë). Ky institucion është ai që vendos përfundimisht nëse një gjyqtar apo prokuror do të qëndrojë ose jo në sistem. Pra, edhe subjektet, të cilët sot kanë një “karton të kuq” nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), mund të rikthehen në detyrë nga Kolegji i Apelimit.
Një pjesë e subjekteve të shkarkuar nga Komisionet e Vetingut e kanë ankimuar vendimin në Kolegjin e Apelimit, ndërsa pjesa tjetër është ende në pritje të zbardhjes së vendimeve të shkallës së parë për të kërkuar të drejtën e tyre në shkallën e dytë.
Këtu është një histori më vete. Kolegji i Apelimit merr një kohë, të paktën 2-mujore, për të dhënë vendimin për ankimimet. Të paktën, kështu ka rezultuar në dy vendime që ka dhënë deri më tani Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Me një llogari të thjeshtë, nëse pjesa më e madhe e vendimeve të shkallës së parë ankimohen në Kolegjin e Apelimit, atëherë konfirmimi përfundimtar për kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, do të kërkojë edhe disa muaj të tjerë kohë.
Po e pranojmë se, në rastin më të mirë, KLGJ dhe KLP krijohen në fund të vitit 2018, gjë e cila realisht duket e pamundur me ritmet aktuale. Ligji për SPAK ka përcaktuar se kjo strukturë hetimore krijohet brenda 8 muajve nga krijimi i KLGJ. Pra, diku nga fundi i vitit 2019 mund të shpresohet në krijimin e SPAK-ut, por edhe ky afat me pikëpyetje të mëdha, për shkak të problematikave të tjera, përveç çështjeve kohore.
Prokurorët që do të jenë pjesë e kësaj njësie speciale do të duhet të kalojnë vetingun dhe një seri filtrash të tjerë, të cilët do të marrin kohën e tyre. Por, duke parë ecurinë e deritanishme të procesit të Vetingut, me shumë mundësi, do të jenë shumë të rrallë, në mos fare, prokurorët që do të aplikojnë për të qenë pjesë e SPAK-ut.
Sipas standarteve të ndjekura deri më tani nga Komisioni i Vetingut janë shumë të pakët, jo vetëm prokurorë e gjyqtarë, por edhe qytetarë të thjeshtë që do të plotësonin kriteret, sidomos atë të pasurisë, kur për vite me radhë Shqipëria është karakterizuar nga informaliteti.
Të gjithë këto kleçka ligjore, vonesa në veting, zhvendosje liste prioritare, frikësim i gjyqtarëve e prokurorëve me procesin e rivlerësimit, shkojnë vetëm në një drejtim- dështimin e krijimit të SPAK-un në një kohë të arsyeshme. Gjithçka shkon në favor të Edi Ramës dhe maxhorancës së tij, të cilët do të vijojnë të qëndrojnë të patrazuar nga hetimet penale. Për momentin, në krye të Prokurorisë Edi Rama, me duart e Ulsi Manjës, emëroi vetëm me 69 vota Arta Markun, e cila po dëshmon bindshëm se as nuk ka ndërmend të hedhë vështrimin hetimor nga gardhi socialist.