Sikur të kishte diçka për t’i thënë aktores Aishe Stari, aty për aty, nxitimthi, në rrugë, do të duheshin të paktën 2 orë. Nuk kishte makinë, kalimtarë e zog që nuk ndalej për ta përshëndetur. Aishja vazhdonte të kishte në Durrës lavdinë që kishin dikur aktorët në Tiranë, përpara se indiferentizmi të çonte në punë të tij.
Në kafene fliste me të kamerieri 18-vjeçar dhe gjithë moshatarët që nuk ishin fare klientë, por zgjasnin dorën nga përtej luleve. Aishja jetonte mirë me këtë, madje, i kishte pëlqyer gjithmonë Durrësi, pikërisht për këtë, sepse e kishte dashur dhe trajtuar mirë gjithmonë. Ajo nuk kishte asgjë për t’u ankuar, as nga ‘ajo’ kohë e as nga kjo. Për sa kohë politika qëndron larg saj, gjërat shkojnë mirë.
Në kafenenë që jemi ulur, deri pak ditë më parë, Aishe Stari ulej edhe me një nga kolegët e saj më të vjetër, atë që kishte njohur që nga kohërat e gjimnazit, gati 60 vite shkuar, Fadil Hasën. Edhe pse prej vitesh i paangazhuar në teatër, sa herë që takoheshin, Ishja, siç e thërrasin të gjithë, vazhdonte të këmbëngulte se duhet të kthehej, të angazhohej. “Ai nuk e bëri asnjëherë, ishte i vendosur”. Kemi ardhur të flasim për të, dhe Ishja, si rrallë kolegë të saj, ishte e vërtetë në të gjithë ato që thoshte, pa zbukurime dhe stërhollime të panevojshme…
Pse ishte shkëputur Fadil Hasa nga skena?
Çfarë ndodhi me të? Fadilin nuk e largoi njeri nga skena, deshi dhe u largua vetë. Prej vitesh mbajti një qëndrim partiak dhe mendoj që bëri gabim. Ai apo kushdo tjetër mund të jenë të lirë të zgjedhin kahun e tyre në politikë, por nuk kanë pse e lënë të ndikojë në profesionin e tyre. Politikan mund të bëhet kushdo sot, artist jo. Kur humbi PD, dha dorëheqjen, ‘nuk dal më në skenë’, tha, dhe ashtu bëri. Sa herë i kam thënë të kthehej, nuk bindej.
Keni folur më vonë, ishte penduar?
Jo, nuk ishte penduar.
Mendoni që ishte i lodhur nga skena?
Ne edhe mund të lodhemi me skenën, por edhe çlodhemi shpejt. Ndryshe nga të gjitha punët e tjera, ne duhet të vëmë dhe pasionin dhe nëse bën diçka për t’iu dhënë kënaqësi të tjerëve dhe ia del, i harron të gjitha. Pastaj, nuk është pak të të shohin të gjithë qytetarët si pjesëtarë të familjes së tyre. Dashurinë që më japin mua qytetarët e Durrësit, nuk ka të paguar, ndihem shpesh në vështirësi. E shprehin të gjitha moshat, nga më i vogli. Më bën përshtypje me komplimentet e të rinjve, që mendoj se as më kanë parë… Ata nuk më kanë njohur mua në rini e megjithatë më thonë që ke qenë gjithnjë e bukur. Unë mendoj që më thonë kështu, sepse më duan, edhe Fadilin e donin e, megjithatë, ai nuk veproi ndryshe.
Disa aktorë të tjerë janë përfshirë në politikë, kanë ikur e janë rikthyer. Keni folur me të, pse ishte kaq i prerë?
Unë nuk e kam pyetur hollësisht, sepse unë nuk jam fare e dhënë në biseda partish.
Ai ishte i angazhuar në vazhdimësi?
Kohët e fundit jo, ishte i tërhequr, ra në një gjendje qetësie, gjatë së cilës nuk merrej më me asgjë
Megjithatë ai vazhdonte kalonte këtej apo jo?
Gjithë ditën këtu rrinte, janë dy kafene këtu shkonte o të njëra, ose te tjetra, takoheshim e pinim kafe shpesh bashkë. Ne njihemi që kur është harruar. Kemi qenë shokë shkolle në gjimnaz, pastaj punuam bashkë një jetë të tërë dhe puna jonë është ndryshe nga të gjitha të tjerat, të lidh e bën bashkë më shumë. Pas shkollës, Fadili shkoi në Bashkimin Sovjetik për inxhinieri navale dhe pasi u kthye, u vendos në punë në por
Në sa shfaqje keni qenë bashkë?
Në të gjitha shfaqjet. Estrada në të tillë mënyrë funksionon, ne kemi qenë të gjithë në të gjitha shfaqjet. Organikën e ka pasur të ngushtë, ne aktivizoheshim të gjithë dhe kjo mirë na ka bërët. Prej aty u përfshi si amator në Estradë dhe më pas u vendos përfundimisht…
A keni qenë ju njësoj shakaxhinj edhe në paskuintë, a ishte edhe ai pak si natyra që shihnim në skenë?
Humori është një reagim i natyrshëm i njeriut. Mua nuk më pëlqen që të më cilësojnë si njeri që të bëj për të qeshur në çdo rrethanë, e kam fjalën përtej skenës. Nëse të vjen një batutë, nëse ndihesh në humor për të bërë edhe të tjerët të qeshin po, por jo të sforcohesh. Fadili ka pasur humor dhe këtë e kanë treguar edhe skeçet që ai krijonte vetë. Ka filluar të shkruajë bejte që herët dhe vazhdoi ta bënte deri vonë. Ai nuk ishte i shkolluar në profesion, ia kishte dhuruar Zoti. Mendoj që kemi qenë edhe me fat sepse kemi pasur regjisorë shumë të mirë. Kemi punuar për një kohë të gjatë me Gjergj Vlashin, përveçse me shumë shije e guxim, ishte shumë i zoti. Ai ka vënë në skenë pjesë që as nuk ia merrte mendja kujt që mund të viheshin. Për shembull, a mundesh të bësh ti një shfaqje estrade me veprat e Enver Hoxhës? Ai e ka bërë… Edhe Enveri ka ardhur vetë, i ka parë shfaqet e tij dhe i ka vlerësuar, madje, një herë, Enveri ka thënë shkoni në Estradën e Durrësit dhe shikoni si zbërthehet një vepër. Pas kësaj që tha ai, ne dilnim nga shfaqja dhe shihnim çdo natë makina qeveritare. Ka qenë njeri i zgjuar dhe i ekuilibruar. Pas tij erdhi Haxhi Rama, gjithashtu i talentuar e me krijime të mira. Pra, në këtë drejtim, mendoj që Fadili ka pasur fat sepse fat është të kesh drejtues të mirë.Edhe mendoj që ka qenë pikërisht regjisori që ka vënë re e ka shfrytëzuar aftësitë e mia.
Ç’natyrë ishte Fadili?
Përgjithësisht ka qenë natyrë gazmore, përherë me shoqëri, por edhe me masë.
Duket sikur aktorët e humorit ngurtësohen, ndryshojnë në jetë…
Mendoj që është përshtypje e gabuar. Është e rëndësishme që aktorët të jenë së pari qytetarë të mirë, përndryshe humori i tyre, tendencat e humorit, kritikat që jepeshin përmes tij nuk mund të bëhen nga një qytetar që nuk është dinjitoz për vete. Edhe mua më thonë shpesh që ne kemi menduar se po të rrish me ty, do na bësh për të qeshur! Jo, nuk është kështu! Sigurisht që kam edhe unë kam momentet e mia të kënaqësisë, edhe jashtë punës, kur më vjen të bëj humor, por nuk mund të rri duke qeshur gjithë kohës.
Kur ka qenë bashkëpunimi i fundit me Fadilin?
Oh, ka shumë kohë. Vite më parë. Ai u përfshi në politikë menjëherë dhe qëndroi larg aktrimit.
Më thatë më parë që keni qenë ju që keni ndikuar edhe në martesën e tij… Si ka qenë historia?
Unë e ngacmoja shpesh kur ishim të rinj, hë, i thosha, akoma ti? Një herë më tha që i pëlqente një shoqja e motrës sime dhe unë ndërhyra që të bëheshin bashkë. Ishte vërtet vajzë shumë e mirë në të gjitha këndvështrimet, dinte t’i shkonte Fadilit pas qejfit, pa krijuar zhurma të kota. Ajo u largua nga jeta shpejt. Po ju tregoj diçka për humor… Kohë më vonë, pasi ishte larguar nga jeta gruaja e tij, më thotë një koleg se Fadili ka ndërmend të martohet. Shkova menjëherë poshtë ballkonit dhe e thirra të zbriste. -“E mo Fadilo, ke nërmen me u martu e?”. -“Ça flet kshu mi Ishe?!”,- më tha. Në fakt, nuk kishte pasur ndërmend ta bënte…
Vazhdonte Fadili t’i kishte qejf gotat?
Siç ju thashë, ai ishte njeri tavolinash, simpatik për tavolinat. Njerëzit e pëlqenin dhe kalonin kohë me të, të bën pak kjo gjë qejfli gotash.
E kishit takuar këto kohët e fundit kur ishte i sëmurë?
Po, i shkuam në shtëpi bashkë me Muharremin, tri ditë përpara se të vdiste. Vazhdonte të pinte duhan pa fund, sepse në atë pikë nuk kishte më kthim pas, mushkëritë e tij nuk do të jetonin më, kështu që asgjë nuk rregullohej. Nuk ishte në gjendje të keqe kur shkuam, bisedonte, nuk ishte shtrirë. Vetëm 10 ditët e fundit nuk ka dalë nga shtëpia, më parë dilte vazhdimisht. Kemi shkuar shumë mirë bashkë, unë e ngacmoja shumë dhe ai nuk mërzitej asnjëherë. “Bir none, Fadil, sa i bukur je”, i thosha gjithmonë./panorama/