Buxheti i Shtetit ulet me 36 milionë euro me rregullimet e mesvitit. Përveç kësaj, do të pakësohet numri i punonjësve të administratës me 81 vetë, ndërkohë që anulohet rritja e mundshme e pagave të nëpunësve shtetërore, që ishte parashikuar nga një nen i veçantë në ligjin aktual për Buxhetin 2018, në masën 1 miliard lekë.
Këto, dhe të tjera, janë ndryshime që janë bërë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Sipas traditës, shifrat e Buxhetit iu nënshtrohen ndryshimeve në gjysmën e parë të vitit, këtë herë kryesisht në ulje.
Bilanci
Në ligjin për Buxhetin e vitit 2018, që është miratuar në fund të vitit të kaluar, përcaktohej niveli prej 357 miliardë e 853 milionë lekësh si të ardhura në Buxhetin e Shtetit. Kjo shifër aktualisht korrigjohet në ulje, duke qenë se qeveria ka vendosur ta kalojë atë në 353 miliardë e 354 milionë lekë, me një ulje në masën gati 4.5 miliardë lekë apo gati 36 milionë euro.
Muajt e fundit, ndonëse niveli i të ardhurave ka qenë vazhdimisht më i lartë se ai i realizuar vitin e kaluar, gjithsesi është konstatuar një ngadalësim i kësaj rritjeje, ndërkohë që shifrat e planit si gjashtëmujor në këtë drejtim nuk janë realizuar. Me sa duket, Financat publike e kanë marrë në konsideratë një trend të tillë, duke u treguar më realiste për performancën e institucioneve në vartësi të tyre.
Nga ana tjetër, në ulje parashikohet tanimë edhe zëri i shpenzimee në Buxhetin e Shtetit. Konkretisht, nga 390 miliardë e 219 milionë lekë që janë parashikuar në ligj, me Aktin e djeshëm Normativ kjo shifër kalon në nivelin e 385 miliardë e 720 milionë lekëve, një ulje prej 4.5 miliardë lekësh, bazuar edhe kjo në uljen e të ardhurave, për të mos rritur borxhin publik. Në fakt, si pasojë e kësaj ri-llogaritjeje, deficiti buxhetor do të mbetej i njejtë: 32.37 miliardë lekë, sa ç’parashikon edhe Ligji aktual.
Pagat
Por, në kuadër të uljes së shpenzimeve buxhetore, përfshihet edhe një klauzolë: shfuqizohet Neni 14 i ligjit aktual, i cili thotë se “Fondi për rritjen e pagave prej 1.000 milionë lekësh shpërndahet nga Ministria e Financave mbi bazën e nivelit të pagave që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Anulimi i këtij Neni nënkupton se këtë vit nuk duhet të ketë rritje të pagave të administratës. Kjo ishte një gjë që pritej, pasi zakonisht një rritje e tillë vendoset që në gjashtëmujorin e parë të vitit dhe hyn në fuqi më 1 korrik, gjë që nuk ka ndodhur.
Punonjësit
Nga ana tjetër, edhe numri i punonjësve të administratës ndryshon, gjithashtu në ulje. Nga 81 mijë e 753 vetë, ai kalon sipas Aktit Normativ në 81 mijë e 672 vetë. Ulje minimale, prej 81 personash, por gjithsesi që largon disa dhjetëra vetë nga puna në shtet.
Vendorët
Në një lëvizje të kundërt me sa më sipër, bashkive u parashikohet një rritje e vogël e të ardhurave, që kalojnë, nga një total prej 46 miliardë e 188 milionë lekësh, në 46 miliardë e 221 milionë lekë. Pritej që, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm, qeveria mund të bënte edhe më shumë në këtë drejtim.
Rezerva
Si gjithnjë, në buxhetin e shtetit parashikohet edhe një rezervë, që shfrytëzohet në raste jo të zakonshme shpenzimesh. Ajo përbëhet nga Fondi Rezervë, që menaxhohet nga Këshilli i Ministrave, si dhe nga Kontigjenca.
Ndërsa kjo e fundit – që përdoret kryesisht për t’u mbrojtur nga luhatje në kursin e këmbimit valutor apo llëvizje në normat e interesit të borxhit – nuk lëviz nga 4 miliardëshi i miratuar në fund të vitit të kaluar nga Kuvendi i Shqipërisë, Fondi Rezervë ndryshon. Edhe ky në ulje.
Kështu, nga 2.7 miliardë lekë, qeveria do të ketë në dispozicion për raste të jashtëzakonshme 2.6 miliardë,: 100 milionë lekë më pak. Në këtë kuadër, 200 milionë lekë më pak do të kenë institucionet e reja të Drejtësisë (nga 1 miliard, shifra kalon në 800 milionë lekë), ndërsa me 100 milionë lekë rriten fondet për ngjarje të papritura, që kalojnë nga 1.7 në 1.8 miliardë lekë.
Sigurimet
Sa u përket fondeve të detyrueshme të sigurimeve sociale, fondi në dispozicion të sigurimeve shëndetësore mbetet i pandryshuar, me 40 miliardë e 400 milionë lekë. Ndërsa ai i sigurimeve shoqërore, ku boshti kryesor përbëhet nga pensionet e më se 600 mijë shqiptarëve, kalon në 122 miliardë e 276 milionë lekë, nga 120 miliardë e 251 milionë lekë, me një rritje në masën 16 milionë euro.