Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se, me gjithë këmbënguljen e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar se gjykatësi Ilir Toska ishte përfshirë në korrupsion e për rrjedhojë ishte i papërshtatshëm, KPK arriti të dokumentonte të kundërtën, ndërsa vendosi ta konfirmonte Toskën në detyrë.
Ndërsa kaloi pa probleme verifikimin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjykatësit të Apelit Ilir Toska, iu desh më shumë punë të rrëzonte një pretendim të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), për “papërshtatshmëri” pasi dyshohej si i përfshirë në një aferë korruptive në vitin 2004. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi Toskën në detyrë, pasi doli në përfundimin se përkundër pretendimit të DSIK-së, nuk kishte arsye për të dyshuar te gjykatësi dhe se në rastin në fjalë ai nuk kishte pasur asnjë kontakt të papërshtatshëm.
Nisur nga fakti që në hetimin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit trupa gjykuese e kryesuar nga Etleda Çiftja, me anëtare Xhensila Pinen dhe relatore Valbona Sanxhaktarin nuk kishte gjetur probleme për Toskën, procesi i rivlerësimit të këtij të fundit u fokusua në provimin ose jo të dyshimeve të ngritura nga DSIK-ja. – e cila bashkë me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) konsiderohen institucione ndihmëse të vetingut.
E ndërsa në rastin e Toskës KPK i rrëzoi gjetjet e DSIK-së, deri tani në të paktën 5 raste shkarkimi është vendosur edhe bazuar mbi pastërtinë e figurës nga të dhënat e DSIK-së, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe nga hetimet e vetë Komisionit.
Ilir Toska, gjyqtar i Apelit të Tiranës prej 11 vitesh është edhe kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ai ka një karrierë të gjatë në gjyqësor, ku ka punuar si gjyqtar i shkallës së parë si dhe kryeinspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në prill të vitit 2007, Toska është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, ku edhe ushtron aktualisht detyrën. Në vitin 2012, Ilir Toska ka kryer gjithashtu detyrën e anëtarit të Kolegjit Zgjedhor.
Roli i DSIK-së
DSIK, cilësohet si organ ndihmës i Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit në procesing e vetingut dhe mban korrespondecë me KPK-në, ndërsa informacionet mblidhen dhe verifikohen nga një grup i përbashkët pune, që përfshin Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHKÇBA) pranë Ministrisë së Brendshme.
DSIK duhet të verifikojë nëse subjekti i rivlerësimit ka lidhje me persona të krimit të organizuar, nëse ka marrë dhurata prej këtyre personave, nëse ka të afërm të përfshirë në krim dhe a mban kontakt me ta, nëse është përfshirë në korrupsion, ka fshehur dënime penale, e çështje të ngjashme.
Grupi i punës që ngrihet pranë DSIK-së i përcjell Komisionit të dhënat rreth subjektit dhe nëse e konsideron apo jo atë të përshtatshëm. Përfshirja e DSIK-së – një institucion i ngritur pranë kryeministrit, është shoqëruar me debate se mund të përdorej për të ndikuar politikisht procesin e vetingut. Megjithatë, ligji parashikoi se në fund është KPK që bën vlerësimin e të dhënave dhe po ashtu edhe hetim të pavarur dhe vendos nëse kushtet e papërshtatshmërisë përmbushen apo jo.
Subjekti në këto raste mund të shfajësohet nëse provon që kontaktet, të cilat DSIK duhet t’i dokumentojë me foto, biseda telefonik e të tjera, kanë qenë rastësore, apo nëse ai vetë është treguar transparent dhe i ka denoncuar ato.
Deri tani në papërshtatshmëri për këto shkaqe janë gjetur sipas KPK-së gjykatësit Gani Dizdari, Tom Ndreca, Admir Thanza, Artan Zeneli dhe prokurori Adriatik Cama. Ndërkohë sëfundmi DSIK, pas një vendimi detyrues të Gjykatës Administrative në favor të Komitetit Shqiptar të Helsinkit bëri publike se nga 800 subjekte të vlerësuar 200 prej tyre kishin rezultuar të papërshtatshëm për shkak të lidhje me krimin, korrupsionin dhe probleme të ngjashme.
Këmbëngulja e DSIK-së për Toskën
Ilir Toksa u përfshi në listën prioritare tw procesit tw vetingut si kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësorë. Sipas vendimit të zbardhur, pasi KPK-ja i kërkoi informacion DSIK i dërgoi Komisionit një raport ku thuhej se kishte gjetur probleme në figurën e gjykatësit Ilir Toska.
“Për subjektin e rivlerësimit, z. Ilir Toska, administrohen informacione nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar”, thuhet në raportin e DSIK-sw dwrguar KPK-sw. DSIK kishte njoftuar se ndaj Ilir Toskës, “disponohen të dhëna të vitit 2004, nga të cilat ngrihen dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv”.
DSIK-ja shkruante nw raportin e saj se subjekti i rivlerësimit, kur ishte kryetar i inspektimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dyshohet se kishte marrë rryshfet bashkë me një inspektor tjetër nga një gjyqtar.
“Mita u dha me ndërmjetësimin e një punonjësi të Ministrisë së Rendit Publik. Në atë periudhë, inspektorët e KLD-së ishin të ngarkuar për kontrollin e një çështjeje civile të gjykuar nga gjyqtari mitëdhënës”, thuhet në raportin e zbardhur në vendim.
Nisur nga ky fakt DSIK-ja doli në përfundimin se “Ilir Toska, rezulton individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga struktura kriminale”. Por sipas KPK-së informacioni i dhwnw nga DSIK-ja nuk ishte i plotë.
“Nga relatori u krye verifikimi i informacionit që kishte mbledhur DSIK-ja për përgatitjen e këtij raporti dhe rezultoi se ai vinte vetëm nga një burim dhe referonte se ngrihen dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv të gjyqtarit në vitin 2004”, thuhet në vendimin e zbardhur.
Duke qenë se informacioni nuk përmbante më shumë se një burim dhe nuk kishte as prova materiale që kërkohen nga ligji, i cili thotë se kontakti duhet të jetë i dokumentuar me fotografi, biseda telefonike dëshmi e të ngjashme, KPK e cilësoi atë fillimisht të paplotë. Komisioni kërkoi që procesi të ishte konkret dhe i mbështetur në të dhëna të sakta dhe për këtë ia ktheu pas raportin DSIK-së duke kërkuar plotësime.
“Në vijim të kësaj analize, u dërgua një shkresë pranë DSIK-së me shpjegimet dhe argumentet e dhëna edhe më lart, ku kërkohet që ajo të shikojë edhe një herë raportin e saj, në frymën e ligjit dhe të Kushtetutës”, thuhet në vendim. Po ashtu KPK iu drejtua veçantë Shërbimit Informativ Shtetërorë “me kërkesën për informacion të mëtejshëm lidhur me këtë rast”. Në kërkesën dwrguar dy institucioneve iu kërkuan prova dhe fakte.
Sipas vendimit DSIK ktheu përgjigje në 10 prill, ku këmbënguli se edhe “nga verifikimi i kryer pas kërkesës sonë (KPK-së) për rishikimin e raportit, pas verifikimit shtesë të bërë, rikonfirmon konstatimin për papërshtatshmërinë e ushtrimit të detyrës për subjektin”.
Hetimi dhe vendimi i KPK-së
Pas kësaj KPK-ja vendosi të kryente vetë një proces të verifikimit të situatës. Në vendim del se Komisioni nuk qe i bindur nga hetimi i DSIK-së.
“Informacioni ishte i vitit 2004, nuk kishte shumë detaje, por as nuk mund të konfirmohej se ai ishte nga burime të besueshme dhe me akses”, thuhet në arsyetim.
KPK fillimisht i kërkoi Toskës të jepte shpjegime dhe sillte dokumente për të provuar nëse DSIK kishte apo jo të drejtë. Në shpjegimet e tij gjykatësi parashtron një pamje krejt tjetër të çështjes. Ai i shkroi KPK-së se përndryshe nga pretendimi i DSIK-së se ai kishte marrë rryshfet nga gjykatësi ndaj të cilit po bëhej inspektim, qëndrimi i tij si kryeinspektor kishte qenë që gjykatësi në fjalë të ndëshkohej me “shkarkim nga detyra”
Toska sqaroi se për materialin kundër tij (një përgjim) kishte mësuar dy ditë pasi ai i kishte rekomanduar zëvendës kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku punonte si kryeinspektor dhe Ministrisë së Drejtësisë, shkarkimin e gjykatësit që supozohet se i kishte dhënë atij dhe inspektorit rryshfet.
Toska sipas KPK-së paraqiti raportet e mbajtura dhe shkëmbimet zyrtare. Ai i tha KPK-së se vetë nuk e kishte parë asnjëherë përgjimin në fjalë, por dinte që ai ishte shqyrtuar nga Presidenti i Republikës, Ministria e Brendshme e të ngjashme.
Po ashtu ai i bëri me dije KPK-së se nuk kishte pasu kontakt me asnjë nga personat e përmendur dhe se ai kishte mbrojtur qëndrimin për shkarkimin e gjykatësit i cili supozohet se e kishte paguar edhe disa vite më vonë, kur çështja shkoi në Gjykatën e Lartë e cila rrëzoi vendimin për shkarkim nga KLD-ja.
Nga ana e saj KPK thotë se administroi praktikat e verifikimit të tri ankesave, “përkatësisht të zotit E. M., të Ministrit të Rendit Publik, si dhe shtetasit F.S. dhe B. S., materialet e ILDKPKI-së së vitit 2004, si dhe materialet nga procedimi disiplinor”. Komisioni thotë se nga shqyrtimi i këtyre materialeve “arrihet lehtësisht në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, z. Ilir Toska, nuk ka qenë në kushtet e parashikuara në raportin e DSIK-së”.
KPK vendosi se nuk provohet që ka pasur lidhje mes Toskës dhe personave të përfshirë në këtë proces dhe sipas saj nuk u konstatua ndonjë “kontakt i papërshtatshëm”. Madje përndryshe KPK thotë se gjeti “lehtësisht se kanë qenë persona të tjerë ata që mund të kenë tentuar për të ndërhyrë në këtë proces”.
Po ashtu ajo shfajësoi Toskën nga çdo përgjegjësi duke arritur në përfundimin se ai “në asnjë rast nuk është përpjekur të ndryshojë apo të modifikojë vërtetësinë e materialit/relacionit të paraqitur, përkundrazi, ai ka kryer me përgjegjësi dhe korrektesë punën e tij dhe konform ligjit”.
Më herët në këtë vendim KPK pati dalë në përfundimin se ai ka kryer deklarim të saktë dhe ka pasur burime financiare të ligjshme e të mjaftueshme. “Pasuria e subjektit të rivlerësimit dhe e personave të lidhur rezulton të jetë e ligjshme, nuk ka deklarim të rremë apo të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë. Subjekti nuk gjendet në situatë konflikti interesi”, thuhet në vendim. Po ashtu ata e cilësuan Toskën bashkëpunues, ndërsa gjetën se ai përmbushte edhe kriterin profesional.
Në të 6 ankesat kundër tij KPK gjeti se në asnjërën prej tyre nuk kishte indicie për shkelje të ligjit. Në një rast ankesa ishte bërë nga një person që nuk kishte pasur asnjëherë çështje me gjykatësin në fjalë për që pretendonte se “220 gjyqtarë e prokurorë për shpërdorim detyre, pasi kanë dhënë vendime në disfavorin e tij”. Po ashtu në një rast tjetër u gjet se pretendimi ishte i pabazë pasi Toska kishte qenë në pakicë në vendimin e marrë nga trupin gjykues, që sipas KPK e bënte të paqartë ankesën ndaj tij. Ankesat e tjera u rrëzuan për mungesë të dhënash dhe indiciesh për shkelje të ligjit.
/BIRN/