Me fitoren e qartë në votimet paraprake në Nju Jork Clinton mund të jetë e sigurtë për mominimin nga demokratët. Tek republikanët ende gjithçka mbetet e mundshme – pavarësisht fitores së Trump-it. Ines Pohl komenton.
Ka vetëm një suprizë në këtë mbrëmje elektorale në shtetin e Nju Jorkut: Eshtë ndjenja e çlirimit tek ekipi i Hillary Clinton-it. Në fillim të zgjedhjeve paraprake askush nuk e kishte menduar, se do t’i duhej ndonjëherë të vihej në pikëpyetje, nëse senatorja për shumë vite e “shtetit të tyre” do të fitojë bindshëm ose jo. Por këtë vit askush nuk mund të jetë i sigurtë. Madje as një ish-First Lady.
Nëse në fitoren ndaj Bernie Sanders diferenca do të ishte dukshëm nën dhjetë përqind, atëherë do të dëmtohej rëndë imazhi i fitimtares gjithsesi i cënuar i ish-ministres së Jashtme. Asaj i duhej të fitonte me difernecë bindëse votash në shtetin, që ajo e quan atdheun e saj.
Në radhë të parë kjo është e rëndësishme për atmosferën në radhët e përkrahësve të saj. Ndonëse edhe në zgjedhjet që kanë paraprirë më shumë kanë votuar për Clinton se sa për konkurentin e saj, fitoret e shumta të vogla të të vetëshpallurit socialist Bernie kanë pasur efekt. Shumë përkrahës të Clinton-it dukeshin të lodhur dhe të zhgënjyer.
Në biseda të drejtpërdrejta ata thonin, se po u kujtohen zgjedhjet e vitit 2008, kur papritur i panjohuri Barack Obama arriti atë që dukej e pamundur dhe tek e fundit fitoi kundrejt perandorisë Clinton. Nëse Sanders me imazhin e tij të revolucionarit dhe me shumë përkrahës të rinj do t’ia dalë të përsëritet i njëjti skenar?
Shumë energji
Në hotelin Sheraton, ku simpatizantët e Clinton-it brohorisnin kandidaten e tyre, ishte e prekshme ndjenja e çlirimit qysh në publikimin e prognozave të para bindëse. Në këtë mjedis u çlirua energji si asnjëherë tjetër. Sepse të gjithë e dinin, që Nju Jorku do të shërbejë si provë lakmusi. Nëse Clinton nuk do t’ia dilte këtu me një fitore bindëse, për të do të vështirësohej situata në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Pavarësisht se cili do të ishte sfidanti i saj.
Konform kësaj Clinton u shrpehu personalisht mirënjohjen simpatizantëve të saj dhe në dukje e çliruar ajo u bë një me masën. Shumë, shumë gra iu hodhën në qafë asaj gjatë fjalës së falenderimit e po aq shumë ishin që fshinin lotët e gëzimit. Hillary Clinton jo vetëm që është kthyer në skenë, por ajo është e pranishme. Me këtë impuls nga Nju Jorku asgjë nuk do të mund ta ndalë atë në rrugën për nominimin si kandidate e demokratëve për garën presidenciale.
Republikanët në krizë ekszitenciale
Tek republikanët analiza rezulton e paqartë. Ndonëse Donald Trump fitoi bindshëm, edhe pas këtyre zgjedhjeve paraprake nuk është e qartë, se si do të veprojë partia e tij me kandidatët në kongresin e partisë. Ashtu si edhe gjatë javëve të mëparshme sërish vlen motoja: pas zgjedhjeve ndodhemi para zgjedhjeve. Vetëm një gjë dihet saktë: nga 18 deri më 21 korrik në Cleveland/Ohio zhvillohet kongresi i republikanëve. Të deleguarit aty duhet të pozicionohen qartë, nëse do të pranojnë vendimin e shumicës së zgjedhësve – apo me prezantimin e një kandidati të ri do ta çojnë partinë drejt një krize ekzistenciale.
Hillary Clinton e di këtë dilemë. Pas fitores në Nju Jork asaj nuk i duhet më që të fokusohet tek kundërshtari brenda radhëve të veta, por mund të nisë fushatën kundër republikanëve. E diskutueshme siç është ajo, tani ka ardhur koha edhe për këtë. /DW/