Policia gjermane ka arrestuar shtetasin shqiptar Alket Bafti, 26 vjeç, i njohur edhe me mbiemrin Senaj, i cili ishte në kërkim prej më tepër se një viti nga autoritetet italiane. Bafti akuzohet për plagosjen e një 18-vjeçari maroken pranë një bari në në Alseno, (Piacenza), në mbrëmjen e Pashkëve më 2017.
Që atëherë i humbi gjurmët, deri sa u gjet në Lingen, qytet i vogël gjerman në Saksoninë e Poshtme. Në Gjermani ai ishte nën hetim nga policia vendase për një seri vjedhjesh (për të cilën ka marrë një dënim prej dy vjetësh e pesë muajsh burg), hetim që është ndërthurur me ato të karabinierëve të Piacenzas dhe policisë shqiptare.
Gjurmët e gishtërinjve zbuluan që i riu, me disa emra fals, ishte i njëjti person i kërkuar në Itali. Mbrëmjen e 16 prillit 2017, Bafti shtiu me pistoletë, duke plagosur në këmbë të riun maroken, me sa duket pas një sherri.