Nga Boldnews.al
Shqipëria vijon të jetë një prej vendeve kryesore të prodhimit, trafikimit dhe aktivitetit të organizatave të krimit të organizuar në fushën e lëndëve narkotike.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës, UNDOC, në Raportin Vjetor për vitin 2017, e ka renditur Shqipërinë në listën e vendeve kryesore që përballen me problemin e narkotikëve.
Qeveria shqiptare prej kohësh promovon suksesin e saj në luftën kundër drogës, por shifrat zyrtare ndërkombëtare flasin për të kundërtën.
Sipas UNDOC, Shqipëria është një prej dy vendeve, në kufirin e të cilëve kalon sasia më e madhe e drogës kanabis. Vendi tjetër është Hollanda, e cila është e detyruar të sfidojë trafikantët, të cilët sjellin kanabis nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut nëpërmjet porteve të mëdha që ka ky shtet.
Por, ndryshe nga Hollanda, Shqipëria ka problem shumë të theksuar, pasi kufijtë e saj janë të hapur si për hyrjen e drogave të forta nga vendet e Lindjes së Mesme, ashtu edhe për trafikimin e tyre, së bashku me kanabisin shqiptar drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Raporti Vjetor ndërkombëtar shkruan gjithashtu se, të dhënat e vetë UNDOC, por edhe të EUROPOL, e vendosin Shqipërinë në një pozitë shumë të lartë ndër vendet që trafikojnë kanabisin drejt Europës. Shqipëria “konkuron” për trafikun e kanabisit vetëm me Marokun.
Ndërkohë, më shqetësuese janë shifrat lidhur me organizatat kriminale shqiptare, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm të trafikut të lëndëve të forta.
Kështu, grupet kriminale shqiptare janë ndër kryesorët për trafikun e heroinës, së bashku me organizatat turke dhe afrikane.
Gjithashtu, organizatat kriminale me origjinë shqiptare mbajnë vend kryesor edhe për trafikun e kokainës, së bashku me kolumbianët, afrikanët dhe italianët e Ndragheta-s.
Natyrisht, në trafikun e kanabisit, grupet kriminale shqiptare zënë vendin e parë për trafikun e kanabisit në Europë.
Ky raport është një prej goditjeve të rënda që po merr në vijimësi qeveria shqiptare për luftën e munguar kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike. Bashkimi Europian ka ngritur shpesh shqetësimin për dështimin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar.
Së fundmi, Këshilli Europian vendosi të mos marrë në shqyrtim çështjen e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, për shkak se qeveria e drejtuar nga Edi Rama nuk ka shënuar progres në luftën kundër kriminalitetit të organizuar.