Trajneri i Australisë, Bert van Marwijk, tha se skuadra e tij meritonte më shumë nga dy ndeshjet e para të Kupës së Botës. Pas barazimit 1-1 kundër Danimarkës dhe humbjes 2-1 ndaj Francës, “kangurët” kanë një pikë pas 180 minutash. Holandezi mendon se Australia meritonte katër pikë.
“Thashë pas ndeshjes ndaj Francës se meritonim të paktën barazimin, por u mposhtëm. Këtë herë meritonim fitoren, por barazuam. Unë jam krenar për futbollistët e mi dhe më vjen shumë keq sepse duhet të kishim katër pikë, ndërsa tani kemi vetëm një. Me përjashtim të 15 minutave të para ishim superiorë ndaj Danimarkës,” – tha Van Marwijk.
E vetmja shpresë që ka Australia për t’u kualifikuar në 1/8-t e finaleve të Kupës së Botës është që në raundin e fundit të ndeshjeve, Franca të mposhtë Danimarkën dhe njëkohësisht “kangurët” të fitojnë ndaj Perusë.