Nga Boldnews.al
Partia Socialiste, nëpërmjet Taulant Ballës, u detyruar më në fund të pranojë se ekziston mundësia që Këshilli Europian mund t’i thotë “Jo” hapjes së negociatave me Shqipërinë në samitin e parashikuar të zhvillohet në fund të muajit Qershor.
Kjo është një kthesë e fuqishme e maxhorancës qeverisëse, e cila deri më tani nuk ka pranuar, të paktën publikisht, se ka dështuar me përmbushjen e reformave që presin vendet e Bashkimit Europian nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama.
Edi Rama nuk pranoi të reagonte ndaj një lajmi të keq që kreu i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, dha në sallën e Parlamentit. Sipas Bashës, zyrtarisht Bundestagu gjerman nuk vlerëson angazhimin e qeverisë shqiptare për integrimin në BE. Kryedemokrati Basha deklaroi gjithashtu se zyrtarët gjermanë ndihen të gënjyer nga deklaratat e Ramës, i cili ka premtuar se qeveria e tij ka përmbushur kërkesat e Brukselit.
Në vend të Ramës, Partia Socialiste foli me zërin e Taulant Ballës, i cili, as nuk mohoi, por as nuk pohoi se edhe kryetari i tij ishte në dijeni të verdiktit gjerman. “Boldneës.al” ka raportuar edhe më parë se qeveria “Rama” do ta ketë të vështirë të kalojë klasën në provimin para Këshillit Europian.
Disa vende, përfshirë Francën, Hollandën e Danimarkën, e kanë shprehur prej kohësh skepticizmin e tyre për avancimin e reformave në Shqipëri. Këto vende druhen se, hapja e dritës jeshile për Tiranën në një kohë shumë të shpejtë, do të shkaktonte pakënaqësi tek populistët në rritje në Europë, të cilët e konsiderojnë qeverinë shqiptare të paaftë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ndaj, për t’i vënë fre rritjes së populistëve, qeveritë e disa vendeve të BE-së nuk janë gati t’i japin dorën qeverisë së Edi Ramës, e cila, nga ana e saj, nuk ka bërë asgjë të qënësishme për të merituar mbështetjen e europianistëve.
Qeveria “Rama” është e ndotur me imazhin e lidhjes së saj me krimin e organizuar. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është nën akuzë për bashkëpunim me grupe kriminale që trafikonin lëndë narkotike. Ministri aktual i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, akuzohet nga opozita se ka bërë gjithçka për të ndihmuar vëllain e tij trafikant që t’i shpëtonte vuajtjes së dënimit në Itali.
Ekonomia shqiptare nuk jep asnjë shenjë përmirësimi. Përtej deklaratave pompoze qeveritare, në 5 vitet e fundit, Shqipëria nuk ka qenë e aftë të thithë asnjë investim të huaj. Qeveria ka parishikuar një plan ambicion “1 miliard dollarë”, por që nuk duket se ka asnjë sinjal se si do të jetë e aftë për t’i shlyer.
Shteti ligjor në Shqipëri është në ditët e tij më të vështira të pluralizmit. Me shumë mundësi, vendi ynë është i vetmi në shtetet pluraliste, i cili nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë mundësi që të kërkojnë në rrugë gjyqësore respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Gjykata e Lartë është thuajse jashtë funksionimit, me më pak se gjysmën e anëtarëve të saj në detyrë. Mijëra dosje gjyqësore janë në pritje të shqyrtimit gjyqësor, proces i cili mund të marrë shumë vite kohë.
Prokuroria e Përgjithshme, pas zgjedhjes së kontestueshme të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, ka mëse 6 muaj që funksionon si shtojcë e pushtetit ekzekutiv të Edi Ramës.
Të gjithë institucionet e reja të drejtësisë, të cilët pritet të krijohen pas miratimit të Reformës në Drejtësi, do të jenë nën kontrollin e maxhorancës qeverisëse, bazuar kjo në mekanizmat “hileqarë” të parashikuar në korpusin e ri ligjor.
Duke i marrë në kompleks faktorët politikë, ekonomikë dhe të drejtësisë, dukshëm përgjegjësia për dështimin e mundshëm për hapjen e negociatave, bie në mënyrë të drejtëpërdrejtë mbi kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e tij.