Pamela Qirko, motra e Belinda Balluku, pritet të emërohet zv.drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), pavarësisht se nuk rezulton të ketë përvojë në sektorin financiar.
Sipas Monitor, Këshilli Drejtues i ASD-së pritet ta miratojë këtë muaj emërimin e Pamela Qirkos në postin e zëvendësdrejtores së përgjithshme, pas propozimit nga drejtuesi e ri i institucionit, Mina Kusta.
Pamela Qirko është juriste dhe nga viti 2017 deri në vitin 2023 ishte anëtare dhe më pas kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), institucioni kyç i procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pas përfundimit të mandatit, ajo tentoi të emërohej gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, por kërkesa e saj u rrëzua këtë muaj.
Në CV-në e saj nuk rezulton ndonjë eksperiencë në sektorin bankar apo financiar, megjithatë kjo nuk duket se ka penguar avancimin drejt një posti drejtues në institucionin që administron skemën e sigurimit të depozitave bankare në vend.
Emërimi i saj vjen në një kohë kur motra, Belinda Balluku, vijon të jetë objekt i akuzave të vazhdueshme për korrupsion, abuzim me tenderët publikë dhe favorizim në kontratat e infrastrukturës, por që është marrë në mbrojtje nga Edi Rama, i cili ka bllokuar lejen për arrestimin e saj.
Në një situatë të tillë, duket se Balluku nuk ndalet dhe po sistemon edhe motrën e së saj në një tjetër post të rëndësishëm shtetëror si pjesë të një modeli shpërblimi dhe riciklimi të njerëzve të afërt me pushtetin.













