Aktori Gentian Zenelaj, i njohur edhe si moderatori i Emisionit “Stop”, është shndërruar në një nga zërat më të fortë të aktorëve kundër shembjes së godinës së “Teatrit Kombëtar”.
I ftuar në studion e lajmeve në Syri.net, ai rikonfirmuar së artistët nuk kanë ndërmend të tërhiqen në këtë lëvizje për të mbrojtur ndërtesën nga ata që ai i quan “arroganca e pushtetit për të shkatërruar historinë e Shqipërisë, me qëllimin për të bërë para të shpejtë për vete dhe për miqtë e tyre”.
Përballë gazetarit Alen Xhelili, Genti, nuk e fa fshehur aspak mllefin e justifikuar, ndërkohë që ka sqaruar çfarë po ndodh në të vërtetë me tentativën për të prishur “Teatrin”.
“Kësaj i thonë që, me një të rënë të lapsit të shkatërrosh gjithçka. Ai nesër mund të fshijë të gjitha ndërtesat e vjetra të institucioneve të Tiranë. Arsyeja pse…?! Sepse kjo është para e shpejtë dhe në këtë betejë për të bërë paranë e shpejtë, ata nuk po ndale duke shkatërruar gjithë historinë e këtij vendi”, thekson aktori i njohur i humorit.
Pse Maqedonia nuk bëri teatër të ri, por ndërtoi teatrin e vjetër të ndërtuar në vitet 1960. Pse nuk dinin ata të bënin një teatër të ri. Jo, sepse ata po blejnë historinë, që nesër, ose pas 200 vitesh ata të thonë se ne kemi jetuar këtu, sepse këtu kemi teatrin 250-vjeçar.
Madje ai nuk nguron ta vërë gishtin m’u në plagën e vërtetë, atë që i nxjerr zbuluar kryebashkiakun dhe të gjithë atë që e mbështesin pas tij idenë për të prishur Teatrin.
“Aty nuk është problem Teatri, por problem toke. Mallkuar qofshin ato metra toke. Unë kam një fat të madh që nuk kam asnjë tokë. Gjyshi im nuk më ka lënë asnjë metër tokë.
Më pas jep një mesazh të drejtë për drejtë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj: “Mjaft më ke këtë arrogancë… I them kryetarit të Bashkisë: ‘Ti nuk je i përjetshëm kryebashkiak i Tiranës. Do ikësh, do ikësh…! Por Tirana do të qëndrojë këtu për ne. Nesër, kur të ikësh, do të jesh qytetar i Tiranës, atëherë do të të duhet të mendosh a ke marrë vendimet e duhura për fëmijët e tu…’”.
Genti nuk kursen as kryeministrin, i cili sipas tij është simboli i arrogancës në këtë vend.
“Të gjithë e dimë arrogancën e Kryeministrit…. Kallamarja që ka vënë në derën e kryeministrisë, nuk ka nevojë të jesh ekspert, që ta cilësosh si një shëmtirë. Por ajo është simboli i arrogancës në këtë vend, sepse ata bëjnë gjithçka çfarë duana ata dhe nuk pyesin askënd”.
Për Gentin, problemi i madh që në këtë vend nuk funksionon asgjë është i lidhur ngushtë me sindikatat. “Ky vend ka shkuar për dreq, sepse këtu nuk ekzistojnë sindikatat. Ky vend ka shkuar për dreq, sepse sindikatat këtu janë ndarë në të majta dhe të djathta, Ky vend ka shkuar për dreq, sepse sindikatat ulen në tavolinën me politikën, ulen me drejtorët. Ky vend ka shkuar për dreq, sepse ligjet i bën vetëm një tavolinë. Dhe shqiptarët për mua kot mendojnë se i bëjnë gjërat me votën e tyre”.
Ndërkohë që vë alarmin, se ajo që po ndodh është një gjëmë që po i kanoset Tiranës: “Po ra Teatri kombëtar…, unë e quaj më humor “Barrikada e fundit. Po ra Teatri Kombëtar, Tiranë kthehet një vijë në hartë, vetë bulevardi i madh dhe Lana që formon një kryq”.
“Kjo nuk është betejë vetëm e aktorëve, por e të gjithë shqiptarëve. Askush nuk ka të drejtë që ta zhbëjë historinë e këtij vendi. Prandaj u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, se nëse ata nuk japin veton, që ta marrin në dorë këtë vend. Shqiptarët sot nuk e kanë fatin e vendit të tyre në dorë. Por mjaftë më, tani duhet ta marrin në dorë.
Unë i kuptoj artistët që nuk dalin, sepse është shumë e vështirë që të dalin dhe të protestojnë kundër tyre. Po mundohen ta konsiderojnë këtë lëvizje sikur është vetëm e aktorëve, sepse duan ta zbehin, por kjo nuk është beteja e aktorëve, por e gjithë shqiptarëve. Ne do të bëjmë maksimumin për ta mbajtur atë teatër në këmbë, jo sikur u bë me Këndin e Lojërave
Por unë ju them atyre artistëve, të cilët janë miqtë e mi, drejtori i ri i Teatrit të kukullave, apo edhe të tjerët janë miqtë e mi. Por unë iu them sot: Politika është që gëlltit një lugë dhe vjell gjithë jetën, është e vjetër. Jo, e reja është ‘e gëlltit dhe të mbetet në bark’.
Nëse quhet partiak Robert Ndrenika, aman më thoni në cilën parti dhe do ta votoj gjithë jetën” , ka deklaruar në studion e Syri.net, aktori dhe moderatori i njohur, Gentian Zenelaj.