Qëndresa Qytetare i është drejtuar zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) me një kërkesë për auditimin e përdorimit, administrimit dhe mbrojtjes së 4 milionë eurove të akorduara nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e koncertit të Kanye West.
Në deklaratën e saj, organizata shpreh shqetësimin se ekzistojnë dyshime mbi ligjshmërinë e përdorimit të fondit rezervë, duke argumentuar se, sipas legjislacionit buxhetor, ky fond duhet të përdoret vetëm për shpenzime të paparashikuara dhe objektivisht të pamundura për t’u parashikuar gjatë hartimit të buxhetit.
Sipas Qëndresës Qytetare, financimi i një aktiviteti privat kulturor përmes Aktit Normativ nr. 3/2026, të miratuar vetëm pak ditë përpara zhvillimit të koncertit, ngre pikëpyetje mbi respektimin e procedurave ligjore, transparencën e vendimmarrjes, kriteret e përzgjedhjes së përfituesit dhe eficiencën në përdorimin e fondeve publike.
“Qëndresa Qytetare vlerëson se ekzistojnë dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe mënyrën e përdorimit të fondit rezervë, i cili, sipas legjislacionit buxhetor, duhet të përdoret vetëm për shpenzime të paparashikuara dhe objektivisht të pamundura për t’u parashikuar gjatë procesit të hartimit të buxhetit.
Financimi i një aktiviteti privat kulturor përmes një akti normativ të miratuar vetëm pak ditë përpara zhvillimit të koncertit ngre pikëpyetje të forta mbi respektimin e procedurave ligjore, transparencën e vendimmarrjes, kriteret e përzgjedhjes së përfituesit dhe eficiencën e përdorimit të parave publike.
Akti Normativ nr. 3/2026 bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore, pasi favorizon financiarisht përfitues të caktuar dhe rrezikon të shtrembërojë konkurrencën
Për këtë arsye, Qëndresa Qytetare i kërkon Kontrollit të Lartë të Shtetit të auditojë të gjithë procesin e vendimmarrjes, transferimit dhe përdorimit të fondeve publike të lidhura me Aktin Normativ nr. 3/2026.
Gjithashtu, kërkojmë që, nëse gjatë auditimit evidentohen elementë të ndihmës së paligjshme shtetërore apo shkelje të tjera ligjore, çështja t’u referohet institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin e Ndihmës Shtetërore dhe organet e ndjekjes penale.
4 milionë euro janë para publike dhe çdo qindarkë e tyre duhet të jetë e justifikuar, transparente dhe e kontrollueshme.
Qëndresa Qytetare do të ndjekë institucionalisht këtë çështje dhe do të informojë publikun mbi çdo zhvillim, përgjigje apo veprim të ndërmarrë nga institucionet përgjegjëse.- thuhet në njoftim.














