Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër, ka arrestuar një punonjës të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas AMP-së, në pranga është vënë Megin Gani Ademi, 32 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se efektivi dyshohet se nuk ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ishte në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme ligjore.














